Sindikatat e krimit të organizuar të Italisë janë ende duke vrarë njerëz dhe trafikuar drogë dhe armë. Por “arma” e tyre e fundit janë bizneset e menaxhimit të mbetjeve. Mafia italiane është e famshme për përpjekjet e saj në administrimin e mbetjeve, duke bërë që hedhja e paligjshme dhe trafikimi i mbeturinave të lulëzojnë nën maskën e riciklimit ose djegies së tyre për të prodhuar energji.
Sipas një raporti të fundit të Europol, grupet mafioze po shfrytëzojnë tarifat e lartë të mënaxhimit të mbetjeve si dhe rënien ekonomike për të marrë kontrollin e kësaj industrie. Nga njëra anë ata po shfrytëzojnë vendet e varfra të Europës Juglindore, për t’i dërguar mbetjet komunale ose ato toksike atje, duke u lidhur me zyrtarë dhe biznesmenë të korruptuar në të gjitha kombet e Europës Juglindore. Nga ana tjetër ata mundohen të groposin ose trafikojnë mbetjet brenda për brenda vendit, dukë shkaktuar dëme të mëdha mjedisore.
Grupi mafioz Camorra thuhet se ka kontrolluar menaxhimin e mbeturinave në qytetin e Napolit që nga fillimi i viteve 1980. Qyteti italian fitoi vëmendjen në të gjithë botën në vitin 2008, kur mbeturinat e pa mbledhura u grumbulluan në rrugët e qytetit për më shumë se dy javë sepse mafia mbylli landfillet. Grupet mafioze të vendit fqinj gjithashtu kanë hedhur në mënyrë të paligjshme mbetje toksike, industriale në Napoli dhe pjesë të tjera të vendit.
Organizatat kriminale kudo në botë gjithashtu janë përfshirë gjërësisht në skemat e menaxhimit të mbetjeve. Në pjesë të Tajvanit, bandat gërmojnë në bregun e lumit për zhavorr dhe ua shesin kompanive të ndërtimit. Pastaj, ata mbushin vrimat me mbeturinat që kanë mbledhur. Bosët gjeorgjianë të krimit ndërhynë kur qyteti i Tbilisi privatizoi transportin e mbeturinave. Në Nju Jork, Cosa Nostra dominonte mbledhjen e plehrave nga vitet 1950 deri në vitin 2019, kur Rudy Giuliani mori kontrollin e kësaj industrie.

Si një biznes me vlerë miliarda euro, menaxhimi i mbeturinave u ka dhënë rrjeteve kriminale mundësinë për të diversifikuar aktivitetet e tyre dhe për t’u infiltruar në ekonomi. Sasia e madhe e mbeturinave të mbetura nga kompanitë industriale në Europë po ushqen një kërkesë në rritje për shërbimet e menaxhimit të mbeturinave. Por rregulloret më të rrepta të vendosura nga unioni europian dhe rritja e çmimeve për asgjësimin legal të mbetjeve po i tundojnë industritë të zgjedhin furnizuesit alternative të menaxhimit të mbetjeve.
Këtu ndërhyjnë kriminelët: duke shfrytëzuar bizneset që përpiqen të balancojnë fitimet maksimale duke minimizuar kostot. Kriminelët regjistrojnë ligjërisht ndërmarrje dhe paraqiten si urë për administrimin dhe asgjësimin e mbetjeve duke kërkuar çmime shumë më të ulëta se sa kompanitë e tjera në tregun e ligjshëm. Mbeturinat plastike që ata pretendojnë se riciklojnë në letër, përfundojnë në grumbuj të madh mbeturinash të hedhura në natyrë. Disa prej tyre i fusin sërish në treg, edhe pse plastika e ricikluar mund të jetë një kërcënim për shëndetin e njeriut nëse nuk ka kaluar procesin e duhur të riciklimit.
Së bashku me përpjekjen për të zvogëluar shpenzimet, krizat ekonomike në sektorë të ndryshëm industriale inkurajojnë përhapjen e shërbimeve të paligjshme të menaxhimit së mbeturinave. Kjo kërkesë bën që grupet e krimeve të organizuara të specializohen në menaxhimin e mbeturinave.
Përfshirja e mafias në rrjetin e menaxhimit të mbeturinave ndodh brenda dhe jashtë BE-së. Mbetjet plastike transferohen zakonisht nga një shtet anëtar në tjetrin për të shmangur tarifat e larta në vendet perëndimore dhe kostot e tjera që lidhen me asgjësimin e duhur të produkteve të mbetjeve në përputhje me rregulloret e BE-së. Zakonisht ato sillen në Europën Juglindore.

Mbetjet e Perëndimit në Jug
Vitin e kaluar, në Sofje shpërthyen protesta të zemëruara, ndërsa banorët denoncuan ajrin toksik, pasi ekspertët zbulua se po regjistronin nivele të tmerrshme të dioksidit të squfurit në kryeqytetet. Ky gaz tepër toksik, përbërësi kryesor i shiut acid, kur kombinohet me ujë, shkakton dëmtime të frymëmarrjes dhe është veçanërisht i rrezikshëm për fëmijët dhe astmatikët. Faji për ndotjen në rritje i atribuohej një inecerarori të privatizuar aty pranë që digjte mbeturinat për të prodhuar energji.
Direktiva europiane që rregullon transportin e mbeturinave ka pasur një efekt paradoksal: transferimin e mbeturinave në Europën Lindore. Nëse në të kaluarën problemi i plehrave ishte dërgimi i tyre në Kinë, marrësi më i madh i plehrave nga BE, kjo ndryshoi në 2018 kur Pekini zbatoi kufizimet drakoniane në importet e mbeturinave. Me Kinën që mbylli papritur tregtinë, mbetjet e vendeve të pasura europiane duhej të gjenin pika dalëse alternative. Plehrat dhe ndotja që lidhen me djegien e tyre, vazhdojnë të transportohen drejt lindjes.
Për shembull, djegia e mbeturinave në Bullgari vlerësohet të jetë së paku 50 për qind më e lirë se në Itali, duke bërë që termocentralet dhe ineceratorët bullgarë të nënkontraktohen nga homologët e tyre të Europës Perëndimore. Ndërkohë, taksat e ulëta të vendosura nga depozitimi, të kombinuara me rregulloret e buta për ato që mbetje që groposen, e bëjnë Bullgarinë dhe Europën Juglindire një destinacion fitimprurës për menanxhimin e mbetjeve.
Në dhjetor 2019, një skandal publik shpërtheu kur policia ushtarake italiane kapi një tren mallrash që përmbante 800 ton mbeturina të paligjshme drejt Bullgarisë. Duke dyshuar për përfshirjen e mafies italiane (konkretisht ‘Ndranghetën), mediat bullgare dhe organizatat mjedisore dhanë alarmin se Italia po eksportonte mbetje të patrajtuara dhe toksike në vend. Reputacioni i Italisë (veçanërisht rajonet e saj jugore) është dëmtuar vazhdimisht nga grumbullimi dhe asgjësimi i dobët të mbetjeve, gjë që e ka shtyrë vendin fqinj të eksportojë një sasi të madhe plehrash për të lehtësuar situatën.
800 tonët e kapur përfaqësonin vetëm një rast të skandaleve mjedisore të lidhura me mafian italiane. Edhe 9,000 tonë mbetje të tjera që arritën në qytetin Pleven në fund të vitit 2019 nëpërmjet një operacioni mafioz gjithashtu shkaktuan shqetësim të madh. Në fakt, organizatat mjedisore dhe Partia Socialiste Bullgare kanë dhënë alarme të paktën që nga vera e vitit 2019. Dhe megjithëse 9,000 tonë mund të tingëllojnë si shumë, është vetëm një pikë në një oqean të gjerë dhe të panjohur të plehrave që lëvizin nga perëndimi në lindje . Për shembull, portali investigativ Bivol pretendon se Bullgaria do të marrë të paktën 1.5 milion tonë mbeturina ardhmen, duke përfshirë edhe ato të kompanive industriale të Romës.
Dërgesat e mbeturinave në Pleven shkaktuan alarm sepse ambientalistët raportuan se plehrat italiane, të cilësuara si gati për t’u ricikluar, u hodhën në një fushë dhe u lanë aty.

Kryeministri Bullgar, Bojko Borisov, premtoi hetime të mëtejshme në kompanitë importuese të mbeturinave, e cila dyshohet për lidhje me mafian italiane.
Për më tepër, qeveria bullgare kapi njëzet e pesë kontejnerë italianë me mbetje në portin e Varnas dhe Borissov propozoi një moratorium të përkohshëm për importet e mbeturinave.
Ndërsa 800 ton mbeturina italiane ishin të pakontrolluara, gazetari investigativ Dimitar Stoyanov zbuloi se ato ishin të destinuara për hedhje ose djegie të paligjshme. Ai dyshoi se ai që kishte bërë të mundur hyrje e tyre në vend ishte Hristo Kovachki, një nga sipërmarrësit më të pasur në Bullgari, i cili bëri pasurinë e tij duke privatizuar termocentralet shtetërore dhe minierat e qymyrit. Aktivistët dhe ekspertët e mjedisit pretenduan se impiantet e qymyrit të linjitit të epokës socialiste të Kovachki nuk ishin të përshtatshme për djegien e mbeturinave. Kjo, pretendojnë kritikët, është e mundur vetëm sepse Kovachki gëzon mbrojtje nga ata në nivelet më të larta të qeverisë dhe administratës shtetërore.
Sipas një kablloje të ambasadës amerikane, Kovachki kishte kontakt kyc në Itali, Konstantin Dimitrov, një trafikant i njohur i cili u vra publikisht nga bandat rivale të mafias italiane në 2003.
Por ndërsa skandali filloi të dominonte titujt e mediave, shteti u detyrua të kthente disa prej kontejnerëve, të cilat përmbanin të gjitha llojet e plehrave komunale të cilësuara si të papërshtatshme për t’u djegur. Për sa i përket shtetit bullgar, importimi i plehrave nuk është një problem, nëse nuk zbulohet ndonjë parregullsi në dokumente. Pikërisht kjo e ka bërë atë një nha destinacionet e preferuara të mafias italiane.
Burimet: “Europol”, “Jacobin”, “Bivol”. Përshtati Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




