Nga Gazeta Si- Dhimbje gjoksi, rrahje të shpejta të zemrës, frymëmarrje e rënduar, djersitje e madhe dhe frikë nga vdekja. Këto janë simptomat e pagabueshme të sulmeve të panikut, episode në të cilat njeriu goditet nga ankthi dhe frika e fortë, edhe në mungesë të një rreziku të dukshëm.
Tani një grup neuroshkencëtarësh amerikanë, ia ka dalë të krijojë një hartë të rajoneve të trurit, lidhjeve dhe neuroneve të përfshira në këtë fenomen. Një qark që mund të shënjestrohet përmes disa barnave për të neutralizuar sulmet e panikut. Zbulimi u botua në numrin e fundit të revistën “Nature Neuroscience”.
“Më parë mendohej se përgjegjëse për sulmet e panikut ishte në përgjithësi amigdala, qendra përgjegjëse për frikën në trurin e njeriut”, thotë Sung Han, profesor i asociuar në Institutin Salk për Studime Biologjike, dhe autori kryesor i këtij studimi.
“Por edhe njerëzit me amigdalë të dëmtuar mund të përjetojnë sulme paniku. Prandaj ne e dinim se duhej të kërkonim diku tjetër. Tani kemi zbuluar një qark specifik të trurit jashtë amigdalës, i cili lidhet direkt me sulmet e panikut. Kjo mund të frymëzojë zhvillimin e trajtimeve të reja për këtë çrregullim, që do të jenë të ndryshme nga ilaçet e disponueshme aktualisht dhe që synojnë zakonisht sistemin e serotoninës në trurin e njeriut”, shton ai.
Në vend të kësaj, studiuesit u përqendruan në një zonë të trurit të quajtur bërthama parabrakiale anësore (PBL) e cila ndodhet në pons, një zonë anatomike e trungut të trurit. Kjo pjesë e trurit konsiderohet si një “central alarmi” i sistemit nervor. Po ashtu, ajo kontrollon ritmin e frymëmarrjes, shpejtësinë e rrahjeve të zemrës dhe temperaturën e trupit.
Duke studiuar bërthamën e lartpërmendur tek minjtë, ekipi konfirmoi rolin e tij në gjenerimin e sulmeve të panikut dhe simptomave fiziologjike dhe emocionale të lidhura me to. Për më tepër, PBL prodhon një neuropeptid, pra një lajmëtar kimik, që do të kishte një rol kyç në rregullimin e përgjigjeve ndaj stresit.
Një “ndërhyrës” i mundshëm
Kur u përpoqën të simulonin sulmet e panikut tek minjtë, shkencëtarët vunë re se lëshimi dhe marrja e neuropeptidit quajtur PACAP ( Pituitary Adenylate Cylcase-Activating Polypeptide) shkaktoi sjelljen e lidhur me sulmet e panikut. Ndërkohë frenimi i këtij sinjali, i reduktoi simptomat. Studiuesit besojnë se ky është një zbulim shumë premtues për trajtimet e ardhshme përmes barnave të këtij fenomeni psikologjik serioz.
Krahasimet e çrregullimeve
Sipas autorëve të studimit, gjurmimi i rrugës specifike drejt origjinës së sulmeve të panikut, është gjithashtu shumë i rëndësishëm për të dalluar këto episode nga ankthi i përgjithshëm, i cili nuk shkakton simptomat klasike fizike të sulmeve të panikut.
Dhe mbi të gjitha nuk shfaqet në një rast kaq spontan dhe në mënyrë të pakontrollueshme. Përkundrazi ai ka një element përbërës më “mnemonik” (mnemonika është një grup rregullash dhe metodash që përdoren për të memorizuar informacionin, që është i vështirë për t’u mbajtur mend shpejt dhe më lehtë) dhe që aktivizohet nga stimuj më të parashikueshëm. Nënvizimi i këtyre dallimeve, do të shërbejë gjithashtu për të përmirësuar terapitë ndaj sulmeve të panikut.
Burimi: Focus. Përshtati: Gazeta Si.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




