Gazeta Si – Një rast mashtrimi i një 60-vjeçareje në Fier, u zbulua pak kohë më parë, teksa hiqej si avokate dhe kishte arritur t’u merrte qytetarëve shuma të ndryshme monetare.
Gruaja, u premtonte atyre zgjidhjen e çështjeve të ndryshme ligjore e gjyqësore përfshirë legalizimin e pronave, procedurat e pensionit apo çështjes e pronësisë.
Prokuroria e Fierit ka njoftuar përfundimin e hetimeve dhe dërgimin për gjykim për të pandehurën K.K., e cila u ka marrë paratë qytetarëve pa u kryer asnjë prej shërbimeve të premtuara.
Në total 8 persona rezultojnë të jenë mashtruar nga e pandehura në zonën e Lushnjës dhe Fierit. Hetimi ka zbuluar gjithashtu se e pandehura ka kryer veprime në dukje të një përfaqësimi ligjor në një kohë kur nuk kishte status aktiv për ushtrimin e profesionit të avokatit, si dhe ka përfituar të ardhura nga ky aktivitet pa i deklaruar ato pranë organeve tatimore.
Në disa episode, viktimat janë siguruar nga e pandehura se procedurat ishin në vijim dhe se çështjet do të përfundonin brenda afateve të caktuara, ndërkohë që më pas komunikimi me të është ndërprerë dhe nuk është dhënë asnjë rezultat konkret.
Në raste të tjera, rezulton se janë dhënë informacione të pavërteta mbi ekzistencën e proceseve gjyqësore apo aplikimeve administrative, të cilat, pas verifikimit pranë institucioneve përkatëse, nuk kanë rezultuar të jenë bërë prej saj.
Nga të dhënat e administruara, rezulton se për disa vite ajo ka ushtruar aktivitet ekonomik faktik, ndërkohë që figuronte me status pasiv në regjistrat tatimorë, duke mos deklaruar të ardhurat e përfituara dhe duke shmangur detyrimet përkatëse tatimore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



