Analize

Si Hungaria mund t’i ndihmojë shqiptarët e vaksinuar për të lëvizur në BE

Me afrimin e sezonit të verës, i gjithë Ballkani është i shqetësuar rreth lëvizjes së lirë në Europë, e cila të paktën për momentin, duket se kufizohet për disa kategori qytetarësh, edhe pse mund të jenë vaksinuar.

Të përballura me mungesën e vaksinave perëndimore, të gjitha vendet e rajonit përveç Kosovës u drejtuan vaksinave kineze dhe ruse për të imunizuar popullsinë. Shqipëria numëron deri më tani 700 mijë të vaksinuar, pjesë më e madhe me vaksinën kineze Sinovac. Por edhe pse Këshilli i BE-së rekomandoi pranimin e të vaksinuarve me këto vaksina, vendet anëtare duket se kanë patur tjetër qëndrim.

Sipas vendimit të fundit të Parlamentit Europian, të vaksinuarit me vaksinat kineze, Sinovac, Sinopharm ose Sputnik V, mund ta kenë të vështirë të kalojnë kufijtë këtë verë pasi BE vendosi që do njohë certifikatat e vaksinimit vetëm për vaksinat e miratuara nga Agjencia Europiane e Barnave. Ky vendim nuk ka lënë të izoluar jo vetëm shqiptarët dhe Ballkanin, por edhe Hungarinë e cila ka më shumë se 1 milionë të vaksinuar me doza kineze dhe ruse.

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez pranë Ministres së Shëndetësisë Carolina Darias gjatë prezantimit të Certifikatës se Vaksinimit në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit

“Një vaksinë nuk ka një ideologji, vetëm efikasitet,” deklaroi pas vendimit të PE-së, Balázs Hidvéghi, një eurodeputet nga partia qeveritare hungareze Fidesz. “Europa nuk është në gjendje të zgjedhë midis dozave për qytetarët e BE-së dhe duhet të pranojë çdo vaksinë që mbron nga virusi”, argumentoi ai duke e quajtur draftin të papranueshëm.

Projektligji lë të hapur një derë që vendet anëtare të lejojnë sipas dëshirës turistët e vaksinuar me vaksina të pa aprovuara nga BE-ja. Megjithatë, përfshirja e Hungarisë në këtë vendim ka një anë të mirë për Shqipërinë, pasi qeveria hungareze po lobon që një pjesë e mirë e vendeve anëtare të pranojnë turistë të vaksinuar me doza kineze dhe ruse.

Ministrit të Jashtëm hungarez Peter Szijjarto iu desh të nisë një turne në kryeqytetet europiane për të nënshkruar sa më shumë marrëveshje bilaterale të jetë e mundur për të mbajtur kufijtë e hapur për qytetarët hungarezë.

Deri më tani Sllovenia dhe Kroacia kanë treguar tashmë se do të mirëpresin çdo qytetar të vaksinuar pavarësisht vaksinës dhe Greqia po hapet gjithashtu për të gjithë turistët, ndërsa në fundjavë hapi kufijtë për punëtorët sezonalë nga Shqipëria, por jo për turistët. Jashtë BE, vendet si Maqedonia e Veriut, Serbia si dhe Turqia dhe Gjeorgjia po pranojnë po ashtu të gjitha certifikatat e vaksinimit.

Fqinjët e Evropës Qendrore të Hungarisë, megjithatë, po mbajnë një qëndrim më të ashpër. Szijjarto deri më tani ka qenë në gjendje vetëm të bindë vetëm homologun tij çek Jakub Kulhanek të njohë të gjitha vaksinat. Polonia dhe Sllovakia po mbajnë qëndrimin e BE-së, duke thënë se do të njohin vetëm certifikatat me vaksinat e aprovuara nga EMA.

Ata që morën vaksinat Pfizer ose AstraZeneca ndihen më me fat, por pasi çertifikata e vaksinimit të Shqipërisë, e cila mund të shkarkohet nga e – Albania përcakton edhe vaksinën specifike.

Korfuz

Po ashtu Gjermania është kundër dhe Austria, partneri kryesor tregtar i Ballkanit, kohët e fundit ka vendosur t’u japë dritën jeshile atyre që janë vaksinuar me vaksinën kineze Sinopharm, pasi ajo mori një leje nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, por jo për vaksinën kineze Sinovac, me të cilën Shqipëria filloi vaksinimit masiv dhe as për atë ruse Sputnik. Të dyja këto vende e kanë hequr vendin tonë nga zona e kuqe dhe detyrimin e karantinës, por lejojnë vetëm udhëtimet thelbësore dhe kërkojnë një tampon.

Bashke me vendet e Ballkanit, Hungaria aktualisht është i vetmi vend i BE-së që përdor vaksina jo-perëndimore dhe i vetmi që mbështetet në vullnetin e mirë të të tjerëve kur bëhet fjalë për lëvizjen e lirë. Por vullneti i mirë për qeverinë e Hungarisë është në mungesë në Evropë, veçanërisht pas fushatës agresive të zhvilluar nga Orban kundër Brukselit për ” prokurimit e ndadaltë të vaksinave”.

Zsolt Semjen, Zëvendës Kryeministri i Hungarisë, shkoi aq larg sa duke thënë se nëse një vend nuk pranon të gjitha vaksinat në dispozicion, atëherë Hungaria nuk do të njihte në mënyrë të njëanshme vaksinat e një vendi tjetër anëtar, sepse “kjo do të ishte një heqje dorë nga sovraniteti”.

Megjithatë pavarësisht paralajmërimeve, asgjë nuk e ndryshojnë faktin se, të paktën për momentin, hungarezët, ashtu si ballkanasit, do të kenë nevojë për një test negativ PCR sa herë që shkojnë jashtë vendit, i cili jo domosdoshmërish do të pengonte udhëtimet, por sigurisht e bën atë më të shtrenjtë dhe të papërshtatshëm lëvizjen jashtë vendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë