Sipas kompanisë, “Merc & Co”, antivirali molnupiravir, do të përgjysmonte rrezikun e vdekjes dhe shtrimin në spital të pacientëve të pavaksinuar me Covid. Trajtimi do të kushtojë 700 dollarë dhe duhet të administrohet brenda pesë ditëve nga fillimi i simptomave për të qenë efektiv.
1-Çfarë është pilula molnupiravir?
Është një ilaç antiviral, që në studimin klinik të fazës 3 (në 775 pacientë) është treguar se zvogëlon rrezikun e shtrimit në spital dhe vdekjen me 50 përqind te pacientët e rritur me Covid të lehtë ose të moderuar (jo të vaksinuar), por në rrezik të sëmundjeve të rënda (për obezitetin, të moshuarit, diabetin ose sëmundjet kardiovaskulare).
Variantet e reja (Delta, Gamma dhe Mu) përbënin 80% të rasteve të vlerësuara. Rezultatet u njoftuan disa ditë më parë në një deklaratë për shtyp nga dy kompanitë që e prodhuan atë: “Msd”, ose “Merck & Co” dhe “Ridgeback Biotherapeutics”.
Bazuar në këto të dhëna, kompanitë do të aplikojnë tek Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave për autorizim për përdorim urgjent. Lajmi u prit me entuziazëm nga shkencëtarët. Imunologu amerikan, Anthony Fauci, konsulent i Shtëpisë së Bardhë për pandeminë, foli për "rezultate mbresëlënëse".
2-Pse u ndërpre gjyqi?
Rekrutimi i vullnetarëve u pezullua për shkak të epërsisë së dukshme të ilaçit në krahasim me placebon: nuk është e pranueshme në aspektin etik të privosh pacientët, të cilëve u jepet placebo nga përfitimi që rrjedh nga ilaçi.
3-Si funksionon ilaçi?
Studiuesit në Universitetin Emory në Atlanta (SHBA), ku u zbulua ilaçi, kanë punuar në molnupiravir që nga viti 2013. Me ardhjen e pandemisë, përbërësi aktiv është konsideruar si një terapi potenciale me spektër të gjerë kundër gripit dhe në faza klinike ka bllokuar transmetimin e Sars-Cov-2 në organizëm në 24 orë.
Për dallim nga vaksinat kryesore të administruara aktualisht kundër Covid-19, ilaçi i “Merck & Co” nuk synon proteinën shumë mutagjene të virusit dhe për këtë arsye duhet të ruajë efikasitet të vazhdueshëm pavarësisht nga variantet. Molnupiravir vepron kundër polimerazës virale, një enzimë që i duhet koronavirusit të ri për të replikuar brenda trupit. Ilaçi u krijua për të futur gabime në kodin gjenetik të virusit, duke parandaluar kështu dyfishimin e tij. Ilaçi bllokon Sars-CoV-2 pa vënë në dyshim sistemin imunitar.
4-Si dhe kur administrohet?
Ilaçi administrohet me gojë, dy pilula në ditë për pesë ditë dhe është veçanërisht efektiv nëse përdoret në fazat e hershme të infeksionit, brenda pesë ditëve nga shfaqja e simptomave. Faktori i kohës në diagnozë, duket të jetë themelor, por të kapësh sëmundjen kaq shpejt nuk është e qartë: nuk është e thënë që një pacient në shfaqjen e simptomave (të zakonshme për shumë sëmundje të tjera virale), t’i nënshtrohet menjëherë një tamponi.
5-Sa do të kushtojë molnupiravir?
Kostoja për çdo cikël të terapisë, do të jetë 700 dollarë. Qeveria amerikane tashmë është zotuar të blejë 1.7 milionë trajtime nga “Merck”, për një total prej 1.2 miliardë dollarësh. Kompania farmaceutike ka lidhur marrëveshje me disa kompani indiane për shpërndarjen me kosto të ulët të ilaçit.
6-Sa i sigurt është?
Të dhënat e raportuara janë shumë inkurajuese dhe incidenca e efekteve anësore ishte e krahasueshme në grupin e trajtuar me ilaçe dhe me placebo. Siç ndodh zakonisht në provat e kategorive të caktuara të barnave, për arsye parandaluese, burrave dhe grave që morën pjesë në eksperiment, iu kërkua të shmangnin marrëdhëniet seksuale për katër ditë dhe të gjitha grave iu nënshtruan testeve të shtatzënisë (të cilat duhej të ishin negative ) para marrjes së ilaçit.
7-Si do të ndikojë disponueshmëria e pilulës ndaj vaksinave?
Nuk ka kuptim të heqësh dorë nga një vaksinë, vetëm sepse ekziston një ilaç për të trajtuar sëmundjen. Është e vërtetë se molnupiravir është treguar, sipas informacionit të publikuar, që përgjysmon rrezikun e shtrimit në spital ose të vdekjeve, por vaksinat janë më shumë se 90% efektive në këto raste, kushtojnë shumë më pak, kanë efekte anësore minimale e të njohura gjerësisht dhe nuk kanë nevojë për diagnozë të hershme.
Burimi: “Corriere”; Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.