Shendet

Si funksionon metformina dhe pse është efektive për diabetin e tipit 2

Metformina është një ilaç oral që përdoret shpesh për të trajtuar diabetin e tipit 2. Duke qenë se kjo sëmundje është shumë e përhapur në popullatë, atherë dhe medikamenti është shumë i kërkuar.
"Në përgjithësi, metformina është një ilaç i sigurt dhe ul A1C (proteina që tregon se hemoglobina e gjakut është lidhur me një sheqer, si glukozë ose fruktozë) deri në 1.5% gjë që dëshmon se është shumë efektive", thotë Dr. Anis Rehman, një profesor asistent i mjekësisë klinike në ekzaminimet e endokrinologjisë, diabetit, dhe metabolizmin në universitetin e Illinois, SHBA.
Çfarë është metformina?
Metformina është aprovuar nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave për trajtimin e diabetit të tipit 2, megjithëse ndonjëherë përdoret edhe për të trajtuar sindromën e vezoreve policistike. Qëllimi i ilaçeve është të ulë nivelet e sheqerit në gjak.
Metformina ul sheqerin në gjak në tre mënyra:
Ul sasinë e glukozës, ose sheqerit, që thithni nga ushqimi juaj.
Ul sasinë e glukozës së prodhuar në mëlçi.
Kjo rrit reagimin e trupit tuaj ndaj insulinës, duke ju bërë më të aftë të përdorni sheqerin në gjak për energji, ashtu si bëjnë njerëzit pa diabet.
Metformin është një ilaç me recetë që vjen në një lëng, pilulë ose tabletë që shkrihet. Zakonisht merret dy deri në tre herë në ditë, përveç tabletës me shkrirje që merret vetëm një herë në ditë.
Sipas Shoqatës Amerikane të Diabetit, terapia e kombinuar edhe me medikamente të tjera mund të ulë nivelet e sheqerit në gjak kur vetëm metformina nuk e bën. Njerëzit me nivele të larta A1C duhet të marrin terapi të kombinuar, megjithëse hulumtimi është i përzier nëse kjo i ul nivelet e A1C më shpejt sesa vetëm metformina.

Sa është efektive metformina?
Metformina është shumë efektive për shumicën e njerëzve me diabet të tipit 2. Në fakt, një përmbledhje shkencore e cituar gjerësisht e vitit 2012 zbuloi se metformina uli nivelet e A1C me një mesatare prej 1.12% për pacientët me diabet të tipit 2.
Një studim më i fundit i vitit 2019 i botuar zbuloi se pacientët e tipit 2 me nivelet më të larta të A1C, panë rritjen pas fillimit të metforminës.
Sipas mjekëve, mënyra më e mirë për të matur efikasitetin e metforminës është kryerja e një testi A1C, i cili tregon nivelet mesatare të glukozës në gjak gjatë 12 javëve të fundit. Si rezultat, do të duhet të prisni rreth tre muaj pasi të keni filluar metforminën për të matur nivelet e A1C dhe për të marrë një rezultat të saktë.
Shumica e njerëzve e marrin metforminën për një kohë të gjatë dhe nuk duhet të ndalojnë mjekimin pa folur me mjekun e tyre.
"Diabeti tip 2 është një sëmundje kronike gjatë gjithë jetës, që do të thotë se metformina merret kryesisht për një kohë të gjatë," thotë Rehman.
Duhet të përdoret së bashku me ndryshimet në stilin e jetës, si ushtrimet fizike dhe konsumimi i ushqimeve të duhura. Në raste të rralla, në të cilat pacientët në mënyrë efektive bëjnë ndryshime të mëdha në stilin e jetës, mjeku i tyre mund t'ia heq këtë medikament.
"Në një grup të vogël pacientësh, me diagnozë të re të diabetit tip 2, ndryshimet në stilin e jetës, të tilla si humbja e peshës trupore 10% dhe dietat e kontrolluara nga karbohidratet mund të çojnë në uljen e diabetit të tipit 2", thotë Rehman.
Efektet anësore të metforminës:
“Efektet anësore më të zakonshme të metforminës janë ato gastrointestinale duke përfshirë diarrenë, gazrat në stomak dhe të përzierat. Rreth gjysma e pacientëve i përjetojnë këto, por ato përgjithësisht kalojnë brenda një ose dy javëve,” thotë Rehman.
Ndërsa mjeku Jordan Messler, një spitalist në spitalin Morton Plant Hospitalist tregon se një efekt anësor serioz, por i rrallë i metforminës është acidoza laktike.
Acidoza laktike ndodh kur acidi laktik grumbullohet në trup. Kjo më së shpeshti ndodh tek pacientët me metforminë kur ata marrin shumë nga ilaçet ose gjithashtu kanë sëmundje të veshkave. Shenjat paralajmëruese mund të përfshijnë rrahje të shpeshta të zemrës ose probleme me frymëmarrjen dhe pacientët duhet të telefonojnë menjherë mjekun nëse kanë diçka të tillë.
Në përgjithësi, metformina është efektive dhe ka pak efekte anësore, për këtë arsye i ka rezistuar kohës.
"Metformina ka qenë në përdorim si një trajtim për diabetin e tipit 2 që nga vitet 1950. Ky medikament ka një profil të fortë sigurie, tolerohet mirë nga pacientët dhe ka ndërveprime minimale me ilaçe të tjera," tha Messler.
Burimi:Insider/Përktheu:Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë