Rrjete nervore? Inteligjenca Artificiale ? Cip neuromorfik? Por mund të bëhet akoma më mirë. Në vend se të imitojmë funksionimin e trurit të njeriut në kompjuterët tanë, pse të mos imitojmë kompjuterët me trurin tonë. Po flasim për bio-kompjuterët, ose siç e quajnë disa ekspertë të OI, “inteligjencën organoide”, një qasje e re që bashkon neuroshkencën dhe shkencën kompjuterike, duke shfrytëzuar plasticitetin, kujtesën dhe kapacitetin e jashtëzakonshëm llogaritës të “harduerit” tonë biologjik, me aftësitë e mundshme të llogaritësve elektronikë.
Nuk bëhej fjalë për ndonjë gjë të re, ose të paktën në kuptimin e ngushtë (ka nga ata që e kanë provuar me sukses rreth 20 vjet më parë). Por një studim i ri i sapo-publikuar në “Nature Electronics”, përshkruan përpjekjen më të avancuar të bërë ndonjëherë në këtë fushë:një pajisje që kombinon organoidet trunore (mikro-trurin artificial të prodhuar nga qelizat staminale) çipat elektronikë, të cilat kanë dëshmuar se janë në gjendje të vazhdojnë me inteligjencën artificiale më të avancuar tradicionale.
Super-kompjuterët biologjikë
Prototipi u krijua nga një ekip studiuesish nga Universiteti i Indianës në SHBA, të udhëhequr nga eksperti i inxhinierisë së sistemeve, Feng Guo. Ai është eksperimenti i parë praktik i një qasjeje që krijuesit e tij kanë vendosur ta quajnë “Brainoware”.
Synimi i studiuesve, është të shfrytëzojnë potencialin e neuroneve njerëzore, çipave biologjikë të aftë për të funksionuar njëkohësisht si banka memorie dhe mikroprocesorë, duke i integruar ato brenda harduerit elektronik përgjegjës për dërgimin e inputeve, si dhe marrjen e interpretimin e rezultateve të përpunuara prej tyre.
Në trurin e njeriut janë të përqendruara rreth 86 miliardë neurone në komunikim të vazhdueshëm reciprok, të lidhur me njëri-tjetrin nga rreth 1 miliard sinapse. Fuqia kompjuterike e këtij organi, është tani për tani e paarritshme me teknologjitë elektronike. Përpjekja më ambicioze u bë në vitin 2013 nga Super-kompjuteri K i Institutit për Shkenca Kompjuterike të Avancuara Riken në Japoni, me 82 mijë procesorët e tij dhe memorien 1 Petabajt.
U deshën 40 minuta për të simuluar rreth 2 për qind të aktiviteteve, që truri i njeriut i kryen në një sekondë. Me kaq shumë fuqi kompjuterike, edhe një pjesë mikroskopike e indit të trurit, mund të jetë jashtëzakonisht e dobishme dhe e fuqishme si hardueri kompjuterik.
Dhe për fat të mirë është e lehtë që të merret një i tillë, falë zhvillimeve që ka pasur teknologjia e organoideve vitet e fundit, që janë organe të vogla artificiale të krijuara nga qelizat staminale, dhe që nxiten të vetë-organizohen në struktura tredimensionale të ngjashme me një organ njerëzor në miniaturë.
Si rregull, ato përdoren për të studiuar zhvillimin dhe funksionimin e organeve njerëzore in vitro. Por asgjë nuk ju ndalon që t’i lidhni ato me një kompjuter dhe të shihni se çfarë ndodh. Dhe kjo është pikërisht ajo që bënë studiuesit amerikanë.
Si funksionon Brainoware
Pajisja përbëhet nga një organoid i përbërë nga qeliza të trurit në faza të ndryshme zhvillimi,
të lidhura me elektroda me një kompjuter tradicional, që janë përgjegjëse për menaxhimin e hyrjen dhe daljen e të dhënave. Aparati u zhvillua duke përdorur një protokoll të mësimit të makinerive, ku informacioni përpunohet nga një rezervuar (në këtë rast organoidi), që trajnohet në një mënyrë të pambikëqyrur.
Pra pa i thënë askush nëse ajo që bën është e drejtë apo e gabuar, ndërsa rezultatet e tij interpretohen nga një algoritëm i trajnuar nën mbikëqyrjen e zhvilluesve. Praktikisht, mini-truri biologjik lihet i lirë të ndryshojë gjendjet e tij të brendshme dhe lidhjet ndërmjet neuroneve në varësi të inputeve elektrike që merr, pa ndërhyrë askush në këtë proces.
Ndërkohë hardueri elektronik lexon të dhënat dalëse dhe trajnohet për t’i interpretuar ato, dhe për të bërë mbi to parashikime dhe klasifikime. Specifikimet janë padyshim materiale për ekspertët e mësimit të makinerive dhe inteligjencës artificiale, por rezultatet e eksperimentit janë magjepsëse edhe për jo-ekspertët.
Për të verifikuar aftësitë e Brainoware-it të tyre, studiuesit e vunë atë në provë në 2 detyra që normalisht i besohen AI:njohja e zërit dhe zgjidhja e një problemi matematikor. Në rastin e parë, sistemit iu dhanë 240 audioklipe që përmbanin 8 zëra mashkullorë që shqiptonin zanore, dhe iu kërkua të identifikonte personin e regjistruar në secilën prej klipeve.
Në të dytën, iu kërkuar të parashikonte evolucionin e një sistemi dinamik, i njohur në matematikë si tërheqësi Hénon. Brainoware u vu në punë për dy ditë në problemin e parë, duke pasur një saktësi prej 78 për qind në njohjen e 8 zërave të ndryshëm në videoklipe.
Pak më keq, por jo dhe aq, sesa ajo që u mor nga një rrjet nervor artificial tradicional.
Në problemin e dytë, rezultatet e bio-kompjuterit ishin superiore ndaj atyre të një rrjeti nervor pa memorie afatshkurtër, dhe pak më të ulëta se ato të një rrjeti nervor me memorie afatshkurtër, e cila kërkon ekuivalentin e 50 ditëve të trajnimit Brainoware për të arritur këto rezultate.
Problemet etike dhe zhvillimet e ardhshme
Tani për tani, ky është një eksperiment që ka treguar potencialin e organoideve të trurit të përdorura si rezervuarë brenda një rrjeti nervor artificial hibrid. Ky është një hap i parë, duke qenë se për momentin performancat janë inferiore ndaj atyre të Inteligjencës Artificiale elektronike,
Megjithatë, eksperimentet mund t’i hapin dyert një teknologjie tërësisht të re. Sigurisht, kjo nuk do të ndodhë në një periudhë afatshkurtër, sepse për të mbajtur organoidin në jetë duhen instrumente që janë shumë të shtrenjta, komplekse dhe intensive për t’u transportuar jashtë një laboratori bioteknologjik.
Por brenda pak dekadash çdo gjë është e mundur, ndërsa do të jetë e rëndësishme të kihen parasysh aspektet etike të këtij hulumtimi. Nëse për momentin organoidet nuk janë gjë tjetër veçse grupime neuronesh pa vetëdije, zhvillimi i këtyre teknologjive dhe integrimi i tyre brenda rrjeteve nervore me kompleksitet në rritje, është i destinuar të mjegullojë gjithnjë e më shumë kufirin midis inteligjencës biologjike dhe asaj artificiale.
“Sa më shumë të rritet kompleksiteti i këtyre organoideve, aq më jetike bëhet për komunitetin shkencor shqyrtimi i një morie çështjesh neuro-etike që lindin rreth biokomputerëve që përfshijnë indet nervore njerëzore”- shkruan një grup ekspertësh në një koment të botuar po në “Nature Electronics”, në të cilin u paraqitën rezultatet e Brainoware.
Ndërsa do të duhen ndoshta dekada përpara se të krijojmë sisteme të përgjithshme bio-kompjuterike, ky hulumtim ka shumë të ngjarë të gjenerojë njohuri të jashtëzakonshme në studimin e mekanizmave të të mësuarit, zhvillimit nervor dhe implikimeve të sëmundjeve neurodegjenerative”.
Burimi: Wire.it/ Përshtati: Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.