Analize

Si fitoi Gjermania miliarda euro nga kriza greke?

Ndërkohë që Athina ishte e zhytur në borxhe, Gjermania ka fituar më shumë se 2.9 miliardë euro nga viti 2010 deri në vitin 2017, duke u shndërruar kështu në përfituesen kryesore të krizës greke. Të dhënat e publikuara nga “Euroactiv”, citojnë një dokument zyrtar të Ministrisë gjermane të Financave, duke treguar se Berlini nuk ka qenë vetëm një nga huadhënësit kryesorë në Greqi, por edhe një përfitusit më të mëdhenj të bonove greke.

"Në kundërshtim me të gjitha mitet e krahut të djathtë, Gjermania ka përfituar masivisht nga kriza në Greqi, duke rritur buxhetin gjerman me miliarda euro", tha Sven-Christian Kindler, zëdhënësi i Partisë së Gjelbër në një deklaratë me shkrim. Grupi i tij parlamentar i dërgoi një kërkesë qeverisë lidhur me fitimet e Programit të Tregjeve të Letrave me Vlerë (SMP), i cili erdhi si pjesë e programit të borxhit grek.

Që nga viti 2010, Gjermania ka blerë bono qeveritare greke si pjesë e një marrëveshjeje me BE-së për të mbështetur ekonominë greke, e cila gjendej në atë periudhë në vështirësi të jashtëzakonshme. Bonot u blenë nga Bundesbank dhe më pas u transferuan në thesarin federal. Sipas marrëveshjes fillestare me qeverinë greke, çdo interes i fituar mbi obligacionet do t’i kthehej Greqisë kur ajo të përmbushte detyrimet e saj për ndërmarrjen e reformave.

Përgjigja e dhënë nga ministria gjermane e Financave tregon nga viti 2010 deri në vitin 2017 përfitimet nga bonot arritën në 2.9 miliardë euro. Detajet tregojnë se përfitimet e krijuara nga skema e SMP-së arrinin shumën totale prej 3.4 miliardë eurosh, por në në vitin 2013 dhe 2014, Berlini transferoi 914 milionë euro për Mekanizmin Europian të Stabilitetit (ESM). Fillimisht përfitimi neto për Gjermaninë arriti në 2.5 miliardë euro, por Banka Gjermane e Zhvillimit (KfË) krijoi një fond shtesë prej 400 milionë eurosh, duke bërë që fitimet nga kriza greke të shkonin 2.9 miliardë euro. Në vitin 2013, 527 milionë euro u transferuan në Greqi, ndërsa në vitin 2014, 387 milionë euro u vendosën në një llogari, e cila do të aktivizohej nëse programet shtrënguese rezultonin të ishin pozitive. Gati 9 vite pas krizës, Sven-Christian Kindler vuri në dukje se Greqia ka nevojë për hapësirë, investime dhe reduktimin e varfërisë në vend.

"Kaputtsparkurs [shtrëngimi shkatërrues] ka qenë shumë i gjatë dhe i ka shkaktuar dëme serioze ekonomisë greke- këmbënguli ai, duke shtuar se ministri gjerman i Financave, socialdemokrati Olaf Scholz, duhet të ndryshojë pozicion dhe të mbështesë lehtësimin e borxheve- Greqia ka nevojë për një lehtësim të konsiderueshëm të borxheve. Athina i ka mbajtur premtimet dhe zotimet e saj, por tani është radha e Europës për të përmbushur premtimet e saj. Është e rëndësishme që Gjermania dhe Evropa të mos dalin nga fjala”, deklaroi ai.

Merkel dhe Tsipras

Ndërkohë vendet e eurozonës janë takuar ditën e sotme për të gjetur një zgjidhje mbi borxhit grek, ekuivalent me 180% të prodhimit të saj vjetor. Nëse do të jenë të suksesshme, bisedimet do të shënojnë një moment të rëndësishëm për Europën, nëntë vjet pasi Greqia habiti botën, ndërkohë që borxhit dilnin jashtë kontrollit dhe nxitën një alarm për kolapsin e eurozonës. Ministri gjerman i Financave i Gjermanisë nuk ka dërguar asnjë sinjal për qëndrimin e mundshëm të Berlinit në lidhje me këtë çështje. Për Gjermaninë, BE-ja është para së gjithash një projekt politik. Në përpjekjet e saj për të mbrojtur integrimin evropian, Gjermania shpesh u ka dhënë përparësi interesave politike dhe atyre ekonomike. Në verën e vitit 2015, kur vendet e eurozonës ranë dakord për një paketë të tretë shpëtimi për Greqinë, Gjermania nuk e humbi kurrë përqendrimin nga interesat e saj ekonomike, duke refuzuar t'i jepte Athinës shumën e kërkuar dhe duke këmbëngulur për një program të rreptë reformash.

Greqia kishte marrë dy paketa shpëtimi, e para në vitin 2010 dhe e dyta në vitin 2012. Një motivim i rëndësishëm për të dyja paketat ishte shqetësimi i një efekti domino nëse Greqia dilte nga eurozona. Situata në vitin 2015 megjithatë ishte ndryshe. Jo vetëm që shanset për një efekt domino u reduktuan ndjeshëm, por bankat e Evropës ishin lodhur duke shlyer borxhin grek. Argumenti ekonomik për të shpëtuar Greqinë edhe një herë tjetër, nuk ishte i fortë, veçanërisht pasi kriza greke po shihej si një humnerë pa fund.

Alexis Tsipras

"Kam thënë në mënyrë të përsëritur: Nëse dështon euroja, dështon edhe Europa dështon- deklaroi Merkel, në një fjalim në Bundestag më 19 mars të vitit 2015- Ndoshta shumë mendojnë se po tregohem shumë dramatike, por këmbëngul se euroja është shumë më tepër se vetëm një monedhë. Është, pjesë e institucioneve që ne kemi krijuar, simboli më i fortë i gatishmërisë sonë për t’u bashkuar në prosperitet dhe paqe ".

Megjithatë, me kalimin e kohëve, Gjermania ia doli të mbronte jo vetëm rolin e euros si një instrument politik, por edhe interesat politike të Berlinit, duke e braktisur Greqinë buzë humnerës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë