Nga Kelly Grovier– Për më shumë se 30 vjet, artisti i muraleve Banksy ka përfshirë në shumë prej veprave të tij më ikonike nga vajza që përpiqet me dëshpërim të kapë një balonë në formë zemre, te protestuesi me maskë që hedh një buqetë me lule , referenca të mprehta ndaj mjeshtrave të vjetër, nga Michelangelo te Monet, Vermeer dhe Van Gogh. Por ka më tepër. Nën idetë e tij të heshtura fshihet një angazhim i thellë dhe i qëllimshëm me historinë e ideve, nga stoicizmi klasik deri te dekonstruimi postmodern.
Më 29 maj, Banksy postoi në Instagram një foto të veprës së tij të parë të re pas më shumë se pesë muajsh, duke ngjallur kuriozitet në internet për vendndodhjen e fshehtë. Zbuluar pak më vonë në portin kryesor jugor të Francës, Marseille, muri në pamje të parë duket i thjeshtë, një siluetë e gjatë e një fari të pikturuar me sprej mbi një mur të zbehtë urban; një stol i vjetër metalik i vendosur pranë; dhe një hije e pikturuar që shtrihet në trotuar, duke lidhur objektin real me jehonën e tij të dy-dimensionale. Në farin e zi është shkruar: “Dua të jem ajo që ti pe në mua.”

Kushdo që kërkon burimin e ideve që nxisin veprën e re të Banksy-t, duhet vetëm të hapë ndonjë libër historie filozofie te alegoria kryesore e shpellës së Platonit (nga traktati i shekullit të katërt para Krishtit, “Republika”), dhe ta kthejë metaforën antike përmbys. Në përrallën e Platonit, të burgosurit e lidhur brenda një shpelle ngatërrojnë hijet në mur me realitetin, pa qenë të vetëdijshëm për format më të vërteta që i heqin ato hije jashtë shpelles.
Por këtu, Banksy na provokon duke e kthyer situatën përmbys, drejt anulimit të lidhjes mes thelbit dhe hijes. Në murin e Banksy-t, ai nuk hedh një imitim të dobësuar të vetvetes, por diçka shumë më madhështore , një far, simbol i ndriçimit dhe udhëzimit. Këtu, silueta, jo realiteti, është e vërtetë.
Kjo përmbysje e Banksy-t na detyron të pyesim se ku qëndron realiteti vërtetë. Te ajo që është, apo te ajo që mund të jetë? Fraza e tij prekëse “Dua të jem ajo që ti pe në mua” është me të vërtetë elastike. A është kjo murale ajo që ëndërron të jetë më shumë se sa duket? Apo hije që dëshiron të bëhet dritë? Apo jemi ne të gjithë , përfshirë edhe Banksy-n që përpiqemi të jetojmë sipas versioneve më të mira që imagjinojnë ata që besojnë te ne? Përgjigja padyshim është po për të gjitha këto.
Më poshtë është një përmbledhje e shpejtë e disa prej veprave më të njohura të artistit dhe se si ato gjithashtu shpesh përmbysin parimet më të rëndësishme filozofike , sociale dhe intelektuale që përcaktojnë kush jemi dhe kush mund të jemi.
Vajza me Balonën, 2002
Murali i njohur i Banksy-t “Vajza me Balonën”, që paraqet një fëmijë që përpiqet të kapë një balonë në formë zemre që po i largohet, u shfaq për herë të parë në vitin 2002 në vende të ndryshme në Londër, përfshirë South Bank, bashkë me frazën ngushëlluese “Gjithmonë ka shpresë”. Kjo bindje, që nxit përpjekjen e vazhdueshme për një ideal të dukshëm të paarritshëm në mur (nuk ka asnjë mundësi që ajo balonë të kthehet), përputhet ngushtësisht me idetë e filozofit gjerman të shekullit të 19-të, Arthur Schopenhauer, për një “Vullnet” të pashuar dhe irracional si forcë themelore që drejton njerëzimin.

Hedhësi i Luleve (ose Dashuria është në Ajër), 2003
Murali i njohur i Banksy-t që tregon një burrë me maskë, i ngrirë për një moment para se të hedhë jo një tullë apo bombë, por një buqetë lulesh, mund të duket në fillim si një simbol i përkushtimit paqësor ndaj mosbindjes civile. Vepra duket se pasqyron parimet e Satyagraha-s së Mahatma Gandhit , një filozofi jo-dhune që pacifisti indian e formuloi në 1919.

Një Komb Nën CCTV, 2007
Në muralin e Banksy-t në Marseille ai përdor një teknikë të njohur për të siguruar që vepra të dalë në hapësirën urbane ku do ta përjetojmë duke e ngjitur potencialin filozofik nga diçka e dobët dhe e sheshtë në diçka të paevitueshme dhe urgjente. Kjo është një taktikë që ai përdori në një vepër të vitit 2007 pranë Oxford Street në Londër, ku tregon një djalë mbi një shkallë të lartë duke pikturuar me spray mbishkrimin “Një Komb Nën CCTV” me shkronja të mëdha dhe dramatike. Në mur është paraqitur edhe një oficer me unifromë dhe qeni i tij që vëzhgojnë vandalin e ri.

Të Dashuruarit me Telefonat, 2014
Vepra ironike e Banksy-t nga viti 2014 “Të Dashuruarit me Telefonat” hedh një dritë të ftohtë mbi gjendjen e marrëdhënieve bashkëkohore. Muri paraqet një çift që duket sikur përqafohen me përkushtim, por përqafimi i tyre ndërpritet nga dashuria më e thellë që kanë për dritën e ngrohtë të telefonave të tyre inteligjentë. Filozofia ekzistencialiste franceze Simone de Beauvoir, e cila vdiq në 1986, ndoshta nuk jetoi mjaftueshëm për të parë ardhjen e telefonave mobil. Por libri i saj me ndikim të thellë, “Etika e Ambiguitetit”, botuar në 1947 , pikërisht 60 vjet para lansimit të iPhone në 2007 ku trajtohet shkatërrimi që shkakton ndarja dhe shkëputja në realizimin e vetes sonë më të vërtetë, është paralajmërues i fuqishëm i situatës moderne.

Për të qenë të lirë, insistonte De Beauvoir, duhet të jemi thellësisht të vëmendshëm ndaj njëri-tjetrit. Por në një botë të përkushtuar ndaj ekranit dhe vetëfokusimit, mundësia e kësaj vëmendjeje thelbësore është në rrezik të madh.
Në këto vepra dhe në shumë të tjera, Banksy përpiqet të ndërtojë ura midis artit urban dhe filozofisë së thellë, duke na thirrur të reflektojmë jo vetëm për botën që na rrethon, por edhe për atë se kush jemi dhe çfarë mund të bëhemi.
Burimi:BBC
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.