Nga Sokol Çunga– Përveç disa periudhave kur isha student, gjithë pjesën tjetër të jetës e kam kaluar në Tiranë. Në të përditshmen time, si dhe shumë vërsnikë përreth, kam vënë re ndryshimet e toponimisë, të pikave të referencës në orientimin urban. Kam vënë re, po aq, edhe ndryshimin e emrave të disa rrugëve, në periudha të ndryshme, por sidomos pas vitit 1992. Më pas kam mësuar se përpara emrave aktualë, disa prej këtyre rrugëve kanë pasur emra të tjerë, siç i hasim, ndonjëherë, në korrespondencat e personave dhe personaliteteve të viteve 1920-30. Dhe këtu fillon kërshëria…

Përpara periudhës së vet si kryeqytet, Tirana ka pasur emërtesa rrugësh shpesh të lidhura me emrat e familjeve që ishin pronare të pronave pranë apo përmes të cilave kalonin rrugët, ose kanë pasur emrat e objekteve me të cilat takoheshin. Kështu, kemi rrugën e Jellës, rrugën e Bamit, rrugën e Sokolit, rrugën e Gjinalit, të Qorraliut, të Bërxollit, të Këlliçit, etj. Kemi dhe rrugën e Çarshisë, rrugën e Pishës, rrugën e Tabakëve, të Saraçëve, të Farkëtarëve, të Gjelltarëve, apo rrugën e Jevgjve, rrugën e Kodrës së Kuqe, etj. Ndryshimi i emrave të rrugëve dhe shesheve, siç na dëften dokumentacioni që paraqesim, fillon të ndodhë në periudhën e Mbretërisë, pas vitit 1928. Shohim se si emërtesat e mëhershme, toponime të mirëfillta të peizazhit urban që bartin dhe kujtesë historike, zëvendësohen nga emra të rinj që nuk lidhen drejtpërdrejt me qytetin, por me arsyen e pushtetit.

Kështu, rruga e Qorraliut bëhet Miss Edith Durhan, rruga e Bërxollit bëhet Ali Bashë Gucia, rruga e Zajmit bëhet Francesco Krispi, apo rruga e Avdi Beut bëhet Pjetër Bogdani, rruga e Kazazit bëhet De Rada, rruga e Dibrës bëhet Xhemal Pashë Zogu, etj. Jo të gjitha këto emërtesa mbeten jetëgjata. Me bashkimin e Shqipërisë nën kurorën e Mbretërisë së Italisë më 1939, disa prej tyre ndryshojnë. Shtohen emërtesat Konte Ciano, Mbretëresha Elena, Bulevardi Musolini, Princ Umberto. Kurse më 1945, Komiteti Ekzekutiv i Prefekturës së Tiranës vendos emërtesat e veta që i bënin jehonë luftës antifashiste dhe dëshmorëve të saj: shfaqet Xhoxhi Martini, Qemal Stafa, Mustafa Lleshi, Shyqyri Ishmi, Ali Demi, Siri Kodra, Riza Cerova, rruga e Barrikadave, etj.

Pra, shohim se emërtesat e rrugëve e të shesheve nuk lindin gjithmonë spontanisht. Ca herë i zgjedh komuniteti, por më shpesh i zgjedh pushteti, me synim certifikimin e autoritetit dhe të ideologjisë. Prandaj, sa herë keni rast, kushtojini vëmendje emërtesave në dukje të parëndësishme në mjedisin jashtë shtëpisë. Mikrotoponimia dhe toponimia janë më shumë se sistem adresash dhe instrumente orientimi: janë instrumente autoriteti.
Shënim: Sokol Çunga është historian, përkthyes dhe arkivist pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



