Futboll

Si e “zboi” Flick kolegun Ancelotti nga Spanja

Një ditë më parë dy njoftime jo shumë larg njëri-tjetrit morën vëmendjen e të gjithëve në Spanjë dhe në Botë. Hansi Flick rinovoi deri në 2027 me Barcelonën ndërsa Carlo Ancelotti zyrtarizoi largimin nga Real Madrid për në stolin e “Selecaos”. Parë në këtë këndvështrim duken lëvizje normale në tregun e trainerëve që është gjithnjë në vlim dhe askush nuk e ka të sigurtë vendin e tij, pavarësisht karrierës, sukseseve dhe eksperiencës.

Madje lëvizja e Ancelotti-t drejt 5 herë kampionëve të Botës në Brazil, ishte diçka që përflitej më herët, por gjermani në sezonin e parë në krye të katalanasve dha kontributin e tij për ta përshpejtuar diçka të tillë. Kjo nëpërmjet rezultateve që Barcelona nën drejtimin e tij arriti ndaj Real Madrid. Madje italiani i shpëtoi shkarkimit pas eleminimit në Champions League, me kushtin e vetëm – evitimin e humbjes në “El Clasico”.

Diçka që jo vetëm nuk ndodhi, por madrilenët pësuan humbjen e 4 brenda një sezoni dhe Hansi Flick përsëriti suksesin e Pep Guardiola-s si të vetmit në historinë e “El Clasico-s” që realizonë poker në një sezon. Në këto kushte durimit i erdhi fundi në Madrid. Ancelotti bën gati valixhet dhë zëvendësuesi i mundshëm është Xabi Alonso që zyrtarizoi largimin pas pothuajse 3 sezonesh nga Bayer Leverkusen në Bundesliga.

Italiani pranon ofertën e Brazilit ku do të përfitojë një pagë prej 10 milionë eurosh deri në fundin e botërorit të ardhshëm. Shifra këto më të larta se ato që italiani mori në Madrid. Ndërsa nëse do të arrijë të fitojë Kupën e 6 të Botës në drejtim të “verdeoro” ai do të shpërblehet edhe me 5 milionë euro të tjera. Aq sa u paguan në një vit dy paraardhësit, Dorival Junior dhe Tite. E thënë ndryshe, Ancelotti, nuk duket i mërzitur me largimin nga “Bernabeu”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë