Analize

Si e shfrytëzoi Orban momentin e Trump për të folur për Evropën

Nga Gazeta ‘Si’- Tridhjetë e gjashtë orë pasi aleati i tij Donald Trump u shpall fitues i zgjedhjeve në SHBA, ai doli në një konferencë shtypi si zëri i vetë-emëruar i Evropës, duke dhënë konkluzionet e një samiti prej 42 liderësh që ai priti në kryeqytetin e tij.

Pasi qëndroi nën rrezet e diellit të Budapestit ai mirëpriti liderët evropianë një nga një dhe më pas i pa të gjithë të rreshtoheshin për të theksuar nevojën për të punuar me shokun e tij Trump (një njeri që ka kërcënuar se nuk do t’i mbrojë ata, do t’i bëjë importet e tyre më të shtrenjta dhe ndërpreu ndihmën për Ukrainën e shkatërruar nga lufta.)

“Historia është e përshpejtuar. Me zgjedhjet amerikane është mbyllur një kapitull. Bota do të ndryshojë dhe do të ndryshojë në një mënyrë më të shpejtë se më parë”, deklaroi Orbán në konferencën për shtyp pas samitit.

“Natyrisht, është një shans i madh për Hungarinë që të jetë në një partneritet dhe aleancë të ngushtë me SHBA-në”, tha Orbán. “Ne do t’i shfrytëzojmë këto mundësi.”

Orbán është izoluar në BE për shkak të thirrjes për paqe të menjëhershme në Ukrainë, pavarësisht se Rusia pushton pjesë të vendit. Dje ai tha se nuk ishte më kështu.

“Një gjë është evidente sot, që është se ata që duan paqen janë gjithnjë e më të shumtë,” tha ai. “Me zgjedhjet në SHBA, kampi i atyre që duan paqen është rritur shumëfish.”

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, megjithatë, hodhi poshtë këtë dhe kërkesat e lidhura me të për të bërë lëshime ndaj Rusisë për paqe të mundshme.

“Është e qartë se ndryshimi i ideve në Evropë po vazhdon,” përfundoi Orbán, duke shtuar se evropianët duhet të bisedonin me SHBA-në dhe Rusinë për t’u siguruar që ata nuk ishin “të shkëputur” nga arkitektura e re e sigurisë së kontinentit.

Si një bonus shtesë për Orbanin, ndjenja e krizës së BE-së u rrit nga kolapsi i qeverisë gjermane pak para fillimit të samitit, që do të thotë se kancelari Olaf Scholz nuk ishte në gjendje të merrte pjesë. Shumë diplomatë psherëtinë nga ironia: Orbán ka qenë prej kohësh delja e zezë e BE-së; Trump, anatema e BE-së.

 Por tani, në një realitet gjeopolitik të riformuar nga elektorati amerikan, ky ishte momenti i tyre.

Burimi: Financial Times/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë