Pas 78 ditë bombardimesh kundër bazave ushtarake serbe në Kosovë, në Serbi dhe në Mal të Zi, trupat e NATO-s arritën të hynin më në fund në Kosovë. Për shqiptarët, 12 qershor i 1999 ishte jo vetëm dita që i dha fund represionit të Beogradit, por edhe dita kur do niste rrugën shteti më i ri i Ballkanit. Gjatë luftës gati dyvjeçare forcat okupuese ushtarake dhe policore serbe kishin kryer një sërë masakrash ndaj shqiptarëve të Kosovës.
E vlerësuar nga ata që e përjetuan si një ndër ditët më të mëdha të historisë së Kosovës, 12 qershori, ndonëse jo e njohur edhe si festë zyrtare, do të mbahet mend si një ditë gati konfrontimi midis Perëndimit dhe Rusisë. Hyrja e ushtarëve të NATO-s hapi rrugën e kthimit në shtëpitë, në tokën dhe në vendin e tyre, të mbi një milion shqiptarëve të Kosovës të strehuar në Shqipëri, Maqedoni dhe dhjetëra vende të botës. Tanimë Kosova është e lirë dhe e pavarur dhe kjo nuk mund të ndryshohet nga askush. Megjithatë, edhe pse e lirë, Kosova ende gjendet në ujëra të rrezikshme politike.

Brenda një viti Kosova ka ndërruar tre kryeministra dhe qeveri. Ramush Haradinaj, u cili nisi një betejë të ashpër me Beogradin duke vendosur një taksë 100% ndaj të gjitha importeve serbe, dha dorëheqjen në korrik të vitit të kaluar për t’u përballur me akuzat për krime luftë në Hagë. Ai u përplas ashpër jo vetëm me aleatët ndërkombëtarë të Kosovës që kërkonin heqjen e taksës, por edhe me presidentin Hashim Thaci.
Haradinaj u pasua nga Albin Kurti, si fituesi i zgjedhjeve të tetorit, por u rrëzua nga pushteti vetëm pas 51 ditësh në detyrë. Ndryshe nga Haradinaj, ai pranoi ta hiqte taksën, por me reciprocitet, duke i çuar në pikën më të ulët marrëdhëniet me vendin që bëri të mundur çlirimin e Kosovës, SHBA-në. Ai u rrëzua me një mocion mosbesimi, duke mos i kursyer akuzat ndaj Uashingtonit, të cilin e cilëson si “shkaktar” për rrëzimin e tij. Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar sot protesta. Sipas partisë së Kurti, sot, me anë të këtij tubimi në shesh, VV do të festojë Ditën e Çlirimit, por edhe të themelimit të Lëvizjes Vetëvendosje.
Dita e çlirimit e gjeti Kosovën me një qeveri të re dhe një kryeministër të ri, Avdulla Hotin, i cili nuk u zgjodh nga populli, por mori miratimin e Kuvendit dy javë më parë. Kjo është hera e parë që qeveria e Kosovës po formohet nga partia që doli në vend të dytë në zgjedhje. “Qeveria e dialogut”. Qeveria Hoti po cilësohet nga ekspertët si “qeveria e dialogut”. Koalicioni mes Lidhjes Demokratike të Kosovës, AAK-së, Nismës dhe Listë Serbe duket se erdhi në jetë me një mision të vetëm: arritjen e marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë. Pas pavarësisë, ky është misioni më i rëndësishëm i Kosovës dhe mund t’i japë fund viteve të tëra bllokade, recensioni dhe izolimi.
SHBA është akuzuar se vazhdon të konsiderojë si zgjidhje shkëmbimin e territoreve, një skenar për të cilin presidentët Thaçi dhe Aleksandër Vuçic janë cilësuar si protagonistët kryesorë. Qeveria e re e udhëhequr nga LDK thotë se do të vendosë “linja të kuqe” në lidhje me shkëmbimin e territorit, por është treguar shumë e paqartë në lidhje me alternativat e tjera të mundshme përtej atyre që janë diskutuar deri më tani.
Hoti bërë sot homazhe pranë memorialit të ushtarëve të KFOR-it, të cilët kanë humbur jetën duke shërbyer në Kosovë.

“Është ditë e veçantë për popullin e Kosovës. Të gjithë e kemi parasysh entuziazmin dhe emocionin që kanë përjetuar qytetarët kur trupat e NATO-s futeshin në Kosovë. U jemi mirënjohës partnerëve tanë ndërkombëtarë për lirinë që ne sot e gëzojmë”, tha Hoti.
Megjithatë, për shumë ekspertë, e ardhmja e Kosovës është tanimë më e pasigurtë se kurrë, për shkak të rrezikut që vazhdojnë të paraqesin skenarët për ndryshime kufijsh dhe shkëmbime territoresh. Disa janë të bindur se Kosova do të arrijë këtë vit marrëveshjen përfundimtare me Serbinë dhe se 22 përvjetori i çlirimit do ta gjente shtetin më të ri dhe më të brishtë të Europës më të fortë dhe më të konsoliduar.
Falë mbështetjes së SHBA-së dhe aleatëve perëndimore, Kosova është bërë anëtare e shumë organizatave ndërkombëtare, përfshirë edhe organizatat më të rëndësishme financiare si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim si dhe atyre sportive, duke veçuar anëtarësimet në FIFA, UEFA dhe Komitetin Olimpik.
Por Kosova mbetet ende vendi më i izoluar në Evropë, pa liberalizim të vizave. Shteti më i ri europian, edhe këtë përvjetor e shënon pa e siguruar karrigen që i takon në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Po ashtu, Kosova nuk e ka ende as mbështetjen unike të Bashkimit Europian, pasi pesë shtete anëtare të BE-së, nuk e njohin.

Për shkak të “tentakulave” të Serbisë dhe Rusisë, Kosova vazhdon të përfaqësohet nëpër organizata dhe mekanizma ndërkombëtarë, herë si shtet sovran, e herë si vëzhgues, e herë me fusnotë në emrin e saj.
Edhe pse kërkon rifillimin e dialogut, Presidenti Aleksandër Vuçiç, është i pari që nuk e pranon pavarësinë e Kosovës. Dialogu Kosovë-Serbi filloi në vitin 2011. Në fillim ishte premtues, falë marrëveshjeve të arritura mbi targat dhe menaxhimin e kufijve. Por me kalimin e kohës ai e humbi qëllimin e tij. Të dyja palët nuk kanë rënë dakord as për kuptimin e “normalizimit të marrëdhënieve”, madje Serbia i referohet qeverisë së Kosovës si “autoritetet e përkohshme të Kosovës dhe Metohisë”.
Ndërkohë që shprehin mirënjohje në Bruksel, zyrtarët serbë punojnë prapa krahëve për të minuar përpjekjet e Kosovës për të fituar njohje më të madhe globale. E përkrahur nga Rusia, Serbia u ka kërkuar dhjetëra shteteve të tërheqin njohjen e Kosovës.
Ajo bën fushatë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare si UNESCO dhe Interpol. Gjatë vitit të kaluar, Kosova nuk pati asnjë njohje të re, pavarësisht përpjekjeve të ministrit të jashtëm. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është zbuluar se ka lobuar me buxhetin e shtetit për ndryshimin e kufijve në këmbim të njohjes zyrtare nga Serbia, edhe pse shumica e shqiptarëve të Kosovës e kundërshtojnë ndarjen e vendin të tyre. Por në vend që të negociojnë me Serbinë, politikanët e Kosovës po debatojnë me njëri-tjetrin. Thaci dhe Hoti janë në një betejë të hapur se kush do ta udhëheqë dialogun me Serbinë, një luftë që Thaci duket se e ka fituar ndaj dy kryeministrave të fundit të Kosovës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




