Futboll

Si e fitoi Amerika Botërorin 2026?

Kupa e Botës në 2026 do të zhvillohet në tre vende njëkohësisht, duke premtuar që të jetë eventi më i madh i këtij lloji në historinë e futbollit.

Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Meksika mposhtën pa shumë mund sfidën e Marokut për të organizuar kompeticionin më të rëndësishëm futbollistik, që do të jetë edhe i pari me 48 skuadra në finale.

Kur është votuar në Kongresin e FIFA-s në Moskë, me siguri anëtarët e qeverisë botërore të futbollit kanë menduar edhe anën financiare dhe të marketingut. Kupa e Botës rikthehet për herë të parë në një treg të madh si SHBA, që pas vitit 1994 dhe këtij tregu i shtohet edhe Meksika dhe Kanadaja.

Si u arrit deri në këtë vendim dhe pse u nxitua FIFA për të përcaktuar organizatorin?

Përgjigja për të dyja këto pyetje mbërrin me një fjalë të vetme; të ardhurat. FIFA ka paguar fatura të majme së fundmi si gjobë pas hetimit të nisur nga FBI mbi lidhjet korruptive të ish-drejtuesve të saj, përfshi këtu edhe ish-Presidentin Sepp Blatter.

Së dyti, nën efektin e sanksioneve të ashpra amerikane dhe disi më të zbutura të Bashkimit Europian për ndërhyrjen ushtarake në Ukrainë dhe aneksimin e Krimesë, botërori rus tërhoqi shumë pak sponsorat. Edhe botërori i Katarit nuk premton më shumë se kaq.

Duke folur të mërkurën në ditën e fundit të Kongresit të FIFA-s, Presidenti Gianni Infantino tha se organizata ishte në gjendje klinike të vdekur kur mori drejtimin e saj në vitin 2016. Zgjedhjet i fitoi me premtimin për të katërfshiuar të ardhurat për FIFA-n, që do të përkthehej më shumë fonde për federatat e vendeve anëtare. Tashmë i ka mbetur edhe një vit nga mbyllja e mandatit të parë dhe Infantinos i nevojiten burime financiare për të përmbushur zotimin e dhënë.

Për të gjitha këto arsye, Infantino ishte mbështetësi më i zjarrtë i organizimit të botërorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nisur edhe nga zotimi i amerikanëve se ky botëror do t’i siguronte FIFA-s rreth 14 miliardë dollarë të ardhura.

Vetë Gianni Infantino nuk e vë dorën në zjarr për këtë shifër të premtuar nga federata amerikane e futbollit, por shprehet optimist. Ndërkohë, Maroku e quajti të tepruar dhe në ofertën e tij për të organizuar kampionatin i premtonte FIFA-s 7.2 miliardë dollarë në pjatë.

Si u mbërrit deri këtu?

Kur SHBA, Kanadaja dhe Meksikë hodhën kandidaturën e përbashkët në vitin 2017 të gjitha vendet e tjera që kishin ndërmend ta bënin një gjë të tillë u tërhoqën dhe e panë të pamundur fitoren e garës përballë lobimit të tre vendeve të ndryshme në një Kongres të FIFA-s.

Deri vonë u mendua se askush nuk kish ndërmend që të kandidonte, por Maroku e bëri në momentin e fundit. I mbështetur në lobim nga një kompani me bazë në Londër, vendi afrikano-verior fitoi një mbështetje të konsiderueshme mes anëtarëve të FIFA-s.

Qytetet ku do të zhvillohen ndeshjet e Botërorit 2026. 10 janë në SHBA, 3 në Kanada e po 3 në Meksikë

Gjatë fushatës për të joshur anëtarët e FIFA-s u fol edhe për një ndjenjë antiamerikane mes disa vendeve, që u përforcua disi nga komentet e Donald Trump mbi vendet afrikane dhe vendimi për të pezulluar vizat me disa vende myslimane në Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme.

Në atë kohë u fol gjithashtu edhe për ndërhyrje politike dhe vendimi i administratës së Donald Trump për të vendosur tarifa për disa produkte të Bashkimit Europian, përforcoi pozicionin e Marokut mes anëtareve europiane të FIFA-s.

Por, Infantino ishte i qartë në pozicionimin e tij. Ai kërkonte që botërori 2026 të zhvillohej në SHBA dhe në muajin prill të këtij viti, deklarata e një zyrtari të lartë të FIFA-s qarkulloi në media. Zyrtari thotë në kushte anonimati se Presidenti i FIFA-s kishte urdhëruar nisjen e një hetimi për gjetjen e pikave të forta dhe të dobta të të dy kandidaturave dhe mundësinë që kandidatura e Marokut të skualifikohej.

Maroku e tejkaloi testin e Infantinos dhe kandidatura u cilësua e vlefshme, por inspektorët e FIFA-s e cilësuan planin me “rrezikshmëri të lartë” si pasojë e mungesës së infrastrukturës. Vetë Maroku kishte premtuar shpenzimin e 16 miliardë dollarëve për infrastrukturën sportive dhe ndërlidhëse në vend për të realizuar botërorin.

Nga ana tjetër, propozimi trepalësh SHBA-Kanada-Meksikë kaloi pa asnjë problem testimet e inspektorëve, duke shënuar një vlerësim dyfish më të lartë se kandidatura e Marokut. Raporti përfundimtar i inspektorëve të FIFA-s doli me një përfundim se dy kandidaturat janë "si nata me ditën”.

Si shkoi dita e votimit?

Kongresi i 68 i FIFA-s u zhvillua në Moskë dhe dy kandidaturat patën nga 15 minuta kohë finale për të prezantuar planin e tyre para se të shkohej në votim.

Infantino e cilësoi votimin si historik, pasi për herë të parë vendet anëtare të FIFA-s përcaktonin se kush do të organizojë një botëror. FIFA mbledh 211 vende anëtare, por vetëm 200 kanë të drejtë vote dhe nga këto, disa zgjodhën bojkotin, të tjera abstenuan. Rezultati përfundimtar ishte 134 vota për SHBA-Meksikë-Kanada dhe 65 për Marokun. Irani nuk votoi fare, ndërsa Sllovenia, Spanja dhe Kuba ishin në listën e abstenueseve.

Maroku dështon për herë të pestë

Kjo ishte hera e pestë që Maroku kandidon për organizimin e një botërori dhe në të gjitha rastet ka humbur. Fushata e tyre këtë herë u përqendrua në faktin e afërsisë gjeografike me Europën, si një përpjekje për të tërhequr mbështetjen e anëtareve europiane të FIFA-s.

Qytetet ku do të organizoheshin ndeshjet nëse Maroku do të fitonte të drejtën e organizimit të Botërorit 2026

Gjatë prezantimit final, përfaqësuesit marokienë thumbuan edhe realitetin amerikan, duke deklaruar se në vendin e tyre armët ishin të ndaluara dhe se distanca mes stadiumeve do të ishte shumë më e afërt se sa në Amerikën e Veriut.

Por, propozimi çalonte rëndë në infrastrukturë. Maroku tha se botërorin do të organizonte në 14 stadiume në 12 qytete, por 9 prej këtyre stadiumeve duhej t’i ndërtonte nga zero. Finalen e premtonte në Grand Stade de Casablanca, një stadium me 93 mijë vende.

Çfarë ofroi kandidatura fituese?

E djegur deri diku me Rusinë dhe me Katarin, FIFA kërkonte që organizatorët e botërorit 2026 të ishin vende me infrastrukturë të konsoliduar. E tillë ishte kandidatura e pagëzuar me emrin “Kandidatura e Bashkuar”, por që udhëhiqej nga SHBA.

SHBA ka organizuar botërorin në vitin 1994, Meksika në vitin 1970 dhe 1986, ndërsa Kanadaja ka përvojën e Kupës së Botës për femra në vitin 2015.

Në total janë 16 qytete ku do të luhet, 10 prej të cilave në Shtetet e Bashkuara dhe 3 në Kanada e po aq në Meksikë.

Finalja e madhe do të luhet në MetLife Stadium përpara 85 mijë tifozëve në Nju Jork. Pika e dobët e kandidaturës amerikano-veriore ishte distanca e madhe, pasi nga Edmontoni në Veri deri në Mexico City në jug janë plot 4828 kilometra në mes.

A ishte procesi transparent?

Vendimet për t’i dhënë Rusisë botërorin 2018 dhe Katarit atë të 2022 do të mbahen mend si vendimet më të kundërshtuara në historinë e futbollit.

Një seri hetimesh në lidhje me procesin dhe mënyrën sesi u vendos për këtë janë duke u zhvilluar paralelisht. Mbi gjysma e atyre që morën pjesë në procesin e përzgjedhjes së këtyre dy vendeve e kanë të ndaluar aktualisht që të përfshihen në sporte, mes tyre dhe Sepp Blatter dhe Michel Platini.

Gianni Infantino premtoi në fushatën e zgjedhjes si President i FIFA-s reformimin e organizmit, duke filluar me mënyrën sesi zgjidhet një vend organizator i botërorit. Me të marrë detyrën ndryshimi ndodhi. Tashmë nuk vendoste për vendin organizator një grup i vogël drejtuesish kryesorë të FIFA-s, por 200 anëtarët e Kongresit.

Synimi ishte parandalimi i ndikimit politik dhe financiar përmes korrupsionit në vendimarrje. Vota e fundit tregoi se gjërat kanë ndryshuar dhe sistemi i vjetër ku korrupsioni ishte ulur këmbëkryq në mënyrë flagrante u shemb, megjithëse ka nevojë ende për përmirësim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë