Një studim nxori në dritë një të vërtetë të pashmangshme: asnjëri prej nesh nuk i karikon celularët në mënyrë korrekte. Megjithatë, do të mjaftonte të lexonim udhëzimet që jepen në momentin e blerjes së smartfonit tonë se si të ruani kapacitetin e baterisë për aq kohë sa të jetë e mundur. Por jo, zakonisht jemi mësuar ta fusim në karikim një natë para se të flemë, pa e hequr nga kutia dhe më pas ta marrim në mëngjes me baterinë ngjyrë jeshile. Këtu janë këshillat se si duhet të kujdesemi që telefoni të mbajë sa më shumë karikim.
Nuk duhet të ngrohet
Gabimi i parë i madh që bëjnë shumë është të mos heqin mbrojtësen. Ne priremi ta karikojmë celularin pa e nxjerrë nga “kasa“. Në verë, ose nëse priza që përdorim vendoset pranë burimeve të nxehtësisë, do të ishte mirë ta hiqnim telefonin nga kasa. Arsyeja është shumë e thjeshtë: për të shmangur mbinxehjen, problemi më i keq për çdo bateri litium-jon, pasi përshpejton degradimin e saj.
Mos e karikoni deri në 100%
Një zakon tjetër i keq është që ta lini celularin të shkojë në 0% ose, anasjelltas, ta karikoni deri në 100%; në vend të kësaj, ajo duhet të mbahet gjithmonë midis 30% dhe 70%. Kjo është për shkak se bateritë litium-jon funksionojnë duke lëvizur vazhdimisht grimcat e vogla të lëvizshme të quajtura “bartës të ngarkesës” midis elektrodave. Karikimi i telefonit për një kohë të gjatë ose lënia e tij në zero janë dy mënyra që shkatërrojnë baterinë.
Mos e karikoni natën
Ky është gabimi më i zakonshëm, karikimi i pajisjeve gjatë natës. Problemi nuk është se duke vepruar kështu do të arrihet karikimi maksimal, por se për orë e orë të tëra ngarkuesi do të vazhdojë të furnizojë baterinë me energji të padobishme, para së gjithash duke e mbinxehur atë, por mbi të gjitha duke dëmtuar elektrodat e saj. Siç shpjegon Kevin Purdy në The Neë York Times: “Është mjaft e lehtë të mbushësh një sfungjer të thatë me ujë, por përpjekja për të detyruar një sfungjer pothuajse të ngopur të thithë pikat e fundit të ujit kërkon më shumë presion dhe lë më shumë ujë të grumbulluar në sipërfaqe. Ky akumulim në një bateri quhet SEI (Solid Electrolytic Interface) dhe zvogëlon kapacitetin e saj të përgjithshëm”.
Nëse dëshironi që bateria e celularit tuaj të ruajë standardet optimale për aq kohë sa të jetë e mundur, mos e lini të mbarojë plotësisht, hiqeni kasën kur e rikarikoni dhe lidheni me karikuesin ndoshta në mbrëmje pas darkës (shkëputeni para se të shkoni për të fjetur), ose në mëngjes kur zgjoheni.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.