Politika është akuzuar se sa herë që ka ndërmarrë reforma administrativo-territoriale, kriterin kryesor që ka marrë për bazë ka qenë ai elektoral, që fshihej si qëllim pas decentralizimit, apo rajonalizimit të vendit.
Pr.dr. Perikli Qirjazi, Anëtar i Akademisë së Shkencave në një analizë të gjatë të tij thotë se reforma të ngjashme në vendet e Bashkimit Europian, shpesh kanë marrë deri në 10 vite kohë dhe janë paraprirë nga analiza të detajuara për të arritur në ndarjen më të mirë të mundshme që do të ndihmonte zhvillimin e rajoneve. Në Shqipëri kjo s’ka ndodhur.
LEXO EDHE:
Reforma territoriale do të bazohet te shembujt nga rajoni
“Asnjëherë nuk janë matur parametrat e premisave të ofruar nga resurset natyrore e njerëzorë për zhvillimin social-ekonomik të njësive administrative dhe efektet e tyre në këtë zhvillim. Është kjo një nga arsyet kryesore e problemeve jo të vogla që kanë shoqëruar të gjitha reformat tona administrative”, shkruan ai.
Profesor Qirjazi vëren se e tillë është edhe reforma e 2014-s, e përfunduar brenda 4 muajve. Të vetmin element pozitiv që gjen nga ajo ndarje, Qirjazi vëren bashkitë për minoritetet, megjithëse në rastet e bashkive Pustec dhe Dropull thotë se nuk janë respektuar kriteret e qendrës urbane dhe të largësisë nga qendra.
Ai thotë se një tjetër problem është se ndarja aktuale ka thelluar pabarazitë mes zonave të ndryshme të vendit përmes krijimit të bashkive mikroskopike e të varfëra me resurse zhvillimore, deri në ato tepër të mëdha dhe të pasura me këto resurse.
“Ka jo pak bashki që nuk po mbijetojnë ekonomikisht, po dështojnë apo falimentojnë dhe po braktisen me shpejtësi nga popullsia etj. Si të tilla qeveria i ka kërcënuar se mund të marrë nën kontroll administrimin e tyre si bashki të falimentuara”, thotë Qirjazi.
Për këtë, këshilla që i drejton politikës është që reforma e re administrativo-territoriale, ndryshe nga parardhëset, të paraprihet nga analiza të thelluara. “Kjo do të shtrojë trasen për të realizuar një reformë të mirë, eficente dhe afatgjatë”, mendon Profesori.
Ai propozon që të kihet parasysh edhe kriteri i numrit të popullsisë dhe në ndarjen e re ky numër për çdo bashki të jetë i lartë. Arsyeja?
“Në vendin tonë nuk mund të ketë kurrësesi zhvillim me një popullsi të pakët dhe të plakur, me numër të pamjaftueshëm të fuqisë punëtore për të shfrytëzuar resurset natyrore dhe për shërbime, me aftësi tepër të kufizuar blerëse dhe konsumuese të prodhimeve etj. Ndaj, shumë bisnesmenë të bashkive të zonave malore, në mungesë të perspektivës, kanë mbyllur aktivitetin dhe janë larguar drejt zonave më të populluara, ku gjejnë më lehtë forca pune dhe treg për prodhimet e tyre”, thotë Qirjazi.
Këshilla tjetër e akademikut lidhet me ndarjen gjeografike. Ai sjell dy shembuj ilustrues për të treguar se si nuk është respektuar kriteri i vazhdimësisë territoriale dhe distancës nga qendra.
“Në bashkinë e Dropullit, lidhja midis dy nënnjësive të saj, Pogonit dhe Dropullit bëhet përmes kreshtës së malit të Buretos, mbi 1500 m lartësi, ku nuk ka asnjë rrugë; Bashkia e Shkodrës zgjatet drejt veriut me një brez shumë të gushtë përgjatë luginës së lumit të Shalës, ndaj thethianëve u duhen mbi 70 km të komunikojnë me Shkodrën, qendrën e bashkisë; nuk mungojnë as ndërfutjet në formë xhepash të territorit të një bashkie tek tjetra etj”, thotë Qirjazi.
Mes të tjerave, Qirjazi propozon që ndarja të respektojë edhe krahinat etnogjeografike, që deri më tani nuk ka ndodhur asnjëherë. Si shembuj ai sjell krahinat e Kurveleshit, Mirditës dhe të Lumës, që janë të ndara në disa bashki.
Qirjazi propozon që të hiqet qarku dhe të prezantohet koncepti i rajonit, ashtu si në vendet e Bashkimit Europian. Propozimi i tij është që nga 12 qarqe, vendi të ndahet në 4 rajone. Këtu publikon edhe hartën. Rajoni, thotë ai, duhet të njësohet si kategori administrative e dytë, ndërmjetëse mes pushtetit qendror dhe atij vendor.
“Ne ende nuk kemi llogaritur saktë dhe shkencërisht mundësitë dhe efektivitetin e resurseve natyrore dhe njerëzore për jetesën dhe zhvillimin e njësive administrative brenda territorit të tyre gjeografik, ende nuk e dimë saktë se kush e ka fajin për falimentimin e bashkive: resurset natyrore e njerëzore të pamjaftueshme, struktura ekonomike e njësisë administrative, shkalla e zhvillimit dhe lloji i infrastrukturës ekzistuese, integrimi i munguar në vend dhe jashtë tij, apo problemet e organizimit dhe funksionimit të pushtetit vendor, raportet midis pushtetit vendor dhe qendror, vullneti e aftësitë e munguara të stafit drejtues të njësisë administrative etj”, shton Qirjazi.
Problematika tjetër, që duhet të kihet parasysh sipas propozimit të anëtarit të Akademisë së Shkencave lidhet me shkallën e decentralizimit financiar dhe të shërbimeve publike.
“Reforma administrativo-territoriale, që të jetë serioze dhe shpëtim për Shqipërinë, duhet të shihet si një reformë decentralizuese dhe vetadministruese, dhe jo si truk elektoral, me synimin e vetëm votat. Pra të synohet ndarja territoriale dhe jo elektorale”, propozon ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.