Treg

Si do t’ia bëjë Europa pa gazin rus?

Europa pret një dimër të ashpër. Kostoja e gazit natyror mbetet e lartë në të gjithë kontinentin dhe qeveritë po përpiqen të mbrojnë konsumatorët familjarë nga kufizimet. Një numër faktorësh shpjegojnë pse, duke përfshirë kërkesën në rritje ndërsa ekonomitë u rimëkmëbën pas bllokimeve të Covid-19. Një dimër i zgjatur që varfëroi rezervat dhe lejoi zhvendosjen drejt burimeve të rinovueshme që ka lënë boshllëqe në furnizimin me energji të Europës.

Rusia, ofruesi më i madh i gazit në Europë, e ka mbajtur furnizimin të palimituar por disa kritikë thonë se Kremlini po luan me politikën.

Më 26 tetor, Financial Times raportoi se Gazprom, kompania shtetërore e gazit në Rusi, i propozoi Moldavisë të ndryshonte marrëveshjen e saj të tregtisë së lirë me Bashkimin Europian në këmbim të gazit me cmim më të lirë. Europa është ndjerë prej kohësh e pasigurt për këtë furnizim. Por çfarë do të duhej për të reduktuar varësinë e Europës nga energjia ruse?

Pyetja nuk është nëse ekzistojnë burime të tjera të gazit. Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore janë të mbushura me gaz natyror. Algjeria dhe Katari përbënin tashmë 8% dhe 5%, të importeve të gazit natyror të Europës në vitin 2019.

Por Europa përballet me konkurrencën për të siguruar furnizime shtesë. Azia përbën pothuajse ¾ e importeve globale të gazit natyror të lëngshëm (LNG), sipas AllianceBernstein, një firmë financiare. Kina dhe të tjerët po blejnë ngarkesa që përndryshe mund të kishin shkuar në Europë.

Kërkesa në Amerikën Latine është dyfishuar vitin e kaluar. Ndërsa shumica e gazit aziatik blihet ende me kontrata afatgjata të lidhura me çmimin e naftës, një praktikë që Europa e braktisi pasi liberalizoi tregjet e gazit – Europa e gjen veten më të ekspozuar ndaj çmimeve të larta ditët e sotme. Ndërkohë, rritja e konsumit të brendshëm të gazit natyror në Lindjen e Mesme, i cili u rrit mesatarisht me 4.6% në vit gjatë dekadës së fundit, po lë më pak për eksport.

Amerika ka qenë e prirur për ta paraqitur veten si një furnizues alternativ i LNG. Europa ka rritur tashmë porositë e saj për LNG gjatë dekadave të fundit dhe Gjermania ka plane për terminale shtesë për të marrë gaz. Por tani për tani është një zëvendësim i kushtueshëm për furnizimin rus.

BE-ja është fokusuar gjithashtu në ndërtimin e Korridorit Jugor të Gazit, një projekt gjigant energjetik “i ëndërruar” në Bruksel për të reduktuar varësinë e Europës nga gazi rus.

Një seksion i projektit, Gazsjellësi Trans Adriatik, hyri në funksion vitin e kaluar. Aktualisht ka kapacitet për të transportuar rreth 10 miliardë metra kub (bcm) gaz në Europë në vit nga fusha e Shah Deniz në Azerbajxhan. Kjo përfaqëson vetëm një pjesë të nevojave të bllokut, por në një shkallë më të vogël projekti është premtues: shtesat e ardhshme, si Interkonektori Greqi-Bullgari, do të thotë se 33% e kërkesës së Bullgarisë për gaz do të mbulohej nga gazi nga Azerbajxhani.

Projekte të tjera që po planifikohen aktualisht përfshijnë një tubacion 1.900 km të gjatë që lidh Izraelin me Europën, i cili mund të sigurojë 20 bcm të tjera në vit.

Megjithatë, kjo nuk do të plotësojë nevojat e të gjithë Europës. Heqja dorë nga gazi rus do të ishte tepër ambicioz, madje edhe në planin afatgjatë. Kontinenti importon një shumicë dërrmuese të gazit që konsumon dhe ka vetëm një numër të vogël alternativash. Por ka mundësi për të thyer monopolin e Rusisë në vendet historikisht të varura nga gazi i saj, si Bullgaria dhe shtetet baltike. Shtimi i burimeve alternative në përzierje, si energjia bërthamore, e favorizuar nga Franca, mund të diversifikojë më tej furnizimin me energji të Europës derisa premtimi për burime të rinovueshme të arrijë kërkesën. Por tani për tani, ndërsa moti ashpërsohet, Europa nuk mund t'ia lejojë vetes t'i japë Rusisë krahun e ftohtë.

Burimi: The Economist/ Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë