Kombetarja

Si do të zbresë sot Shqipëria përballë Gjeorgjisë

Nga Gazeta Si- Përfaqësuesja kuqezi ka zhvilluar mbrëmjen e djeshme seancën e fundit stërvitore në stadiumin ku sot do të luhet ndeshja e raundit të katërt të Ligës së Kombeve përballë Gjeorgjisë. Një seancë ku Silvinjo ka mundur të punojë me futbollistët edhe në aspektin taktik të lojës që pritet ndaj vendësve.

Kuqezinjtë janë fokusuar te aspekti atletik për tu rikuperuar nga lodhja e ndeshjes me Çekinë, por edhe në aspekte te ndryshme të taktikës që do të përdoret, duke u ndalur më pas edhe te një problem i dukshëm që është shfaqur në ndeshjet e fundit që ka të bëjë me gjuajtjet në portë, një mangësi e madhe e ekipit në dy disfatat kundër Gjeorgjisë në Tiranë dhe Çekisë në Pragë.

Në ndeshjen e Tiranës, kuqezinjtë nuk kanë gjuajtur asnjëherë në portën kundërshtare gjatë 90 minutave, ndërsa arritën vetëm dy herë që të kalibronin goditjet në portën Çeke me Asllanin dhe Tucin.

Në këtë takim, nisur edhe nga obligimi që kemi për të marrë vetëm fitoren, trajneri Silvinjo duket se do të ketë një formacion me tipare më ofensive. Ndërkohë që porta dhe mbrojtja do të mbetet e njëjtë me Strakoshën mes dy shtyllave dhe Hysajn, Ismajlin, Kumbullën dhe Mitajn në repartin e mbrojtjes, në mesfushë pritet të tërhiqet Bajrami për t’i zënë vendin Laçit, i ndihmuar nga Ramadani dhe Asllani. Ndërsa në 3-shen sulmuese pritet nga minuta e parë Arbër Hoxha me Jasir Asanin në ndihmë të sulmuesit të vetëm qëndror Mirlind Daku.

Një ndeshje shumë e vështirë për kuqezinjtë që ndryshe nga takimet e tjera kanë vetëm një zgjidhje, fitoren, për të mbajtur ende gjallë objektivin kryesor. Gjithçka në Tbilisi të Gjeorgjisë do të startojë nga ora 18:00.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë