Nga Gazeta “SI”– Beatriçe me fustanin e kuq që simbolizon traditën dhe historinë e qytetit të Shkodrës dhe Kola me kostumin e zi që formon dualizmin si koncept, pritet të dhurojnë një performancë të rrallë e të kuruar deri në detaje nesër në skenën e madhe të Eurovizionit në Bazel të Zvicrës.
Menaxheri i “Shkodra Elektronike” Olsi Sulejmani, thotë për Gazetasi.al se performanca dhe skenografia janë ndërtuar mbi konceptin e dualizmit si në ngjyrat kuq e zi por edhe në tekstin e këngës “Zjerm”
“Skenografia është e ndarë në dysh, me ngjyrën e kuqe dhe të zezë si përfaqësim kombëtar dhe ngjyrat bardh e zi, si koncept i dualizmit dhe diversitetit që bashkëjetojnë. Kjo ka lidhje edhe me tekstin e këngës ku vargjet që këndohen nga Beatriçe dhe që shprehin dëshira dhe aspirata për paqe, liri dhe shndritje, vihen përballë tekstit të kënduar nga Kolë Laca dhe të shkruar nga Lekë Gjeloshi , me yjet, tokën dhe diellin, si elementë të paganizmit”

Ai shton se performanca është një elaborim dhe zhvillim i asaj të Festivalit në RTSH ku zjermi është element përfaqësues vizual.
“Performanca e ‘Shkodra Elektronike’ do të fokusohet tek dy artistët, pra nuk do të ketë trupë baleti dhe as prezencë tjetër në skenë përveç artistëve. Elementi i Bass-it të përdorur nga Kola gjatë këngës, këtë rradhë elaborohet dhe zgjerohet si koncept duke e nxjerrë më në pah e gjithashtu zjarri do të jetë pjesë e rëndësishme e performancës që simbolizon dhe mesazhin e këngës”
Sulejmani thotë se promovimi i këngës ka ardhur kryesisht nga pëlqimi i madh që ka pasur nga fansat e huaj, çka ka krijuar edhe idenë se është kënga shqiptare më e promovuar në vitet e fundit.

“ Promovimi i ‘Zjerm’ në Europë në nivel institucional nuk ka qenë më i madh sesa këngët pararendëse. Por kanë qenë fansat ata që e kanë promovuar këtë këngë duke e pëlqyer dhe shpërndarë në rrjete sociale apo edhe në Youtube. Ndoshta kjo ka dhënë idenë se kënga ka qenë më e promovuara por kjo ka ardhë vetëm për shkak të pëlqimit të saj në masë nga Europianët”
Ai shton se pritshmëritë primare janë kalimi në finale. Dhe thekson se kërkesat nga shtëpi të mëdha diskografike apo ofertat për koncerte i kanë shtyrë të gjitha për pas Eurovizionit.

“Nuk kemi pritshmëri. Ne primare kemi kalimin në finale dhe për këtë kërkojmë votat e diasporës. Kemi vendosur së bashku të gjithë që ofertat për koncerte apo pjesëmarrje t’i lëmë për në një moment të dytë, pra pas Eurovizionit. Për momentin jemi të fokusuar vetëm tek Eurosongu dhe të një përfaqësim sa më dinjitoz”
Ai gjithashtu në mbyllje thotë se pas festivalit Europian, “Shkodra Eelektronike” do të vijë me një album të ri.
“ Albumi ishte gati që në janar por duke parë angazhimet për promovimin e këngës në Europë, vendosëm së bashku që ta shtyjmë daljen e albumit për në Shtator. Ndoshta kështu do të jetë më mirë edhe për faktin se Eurosongu ka pjesën e tij të impaktit” përfundon Olsi Sulejmani.

Festivali Europian i këngës, Eurosong starton nesër. Shqipëria që përfaqësohet nga “Shkodra Elektronike” me këngën “Zjerm” do të performojë e 12-ta në rradhë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.