Taksa

Si do të përfitojnë nga taksat ata që dhurojnë prona për të prekurit nga tërmeti

Qeveria ka përcaktuar procedurën e vlerësimit të kontributeve të donacioneve në formën e pasurive të paluajtshme për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit.

Sipas vendimit të qeverisë, vlera e pasurive të paluajtshme të dhuruara për rastet e shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore do të konsiderohet si shpenzim i njohur.

Për pasuritë e paluajtshme të dhuruara nga tatimpaguesit që janë subjekt i tatimit mbi fitimin apo i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin, vlera e pasurive të paluajtshme, për efekt të llogaritjes së masës së nivelit të shpenzimeve të njohur, konsiderohet vlera kontabël neto e pasqyruar në bilancin e shoqërisë përpara momentit të dhurimit, minus shumën e amortizuar deri në periudhën e dhurimit.

Për pasuritë e paluajtshme të dhuruara nga tatimpaguesit që janë subjekt i tatimit mbi fitimin apo i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin, të rivlerësuara më parë, vlera e pasurive të paluajtshme, për efekt të llogaritjes së masës së nivelit të shpenzimeve të njohur, konsiderohet vlera e rivlerësuar, për të cilën është paguar tatimi, sipas akteve ligjore në fuqi në momentin e rivlerësimit të pasurisë së paluajtshme.

Për pasuritë e paluajtshme të dhuruara, tatimpaguesit duhet të disponojnë dokumentacionin e fitimit të pronësisë.

Në rastet kur pasuria e paluajtshme, e regjistruar në bilancin e shoqërisë, është e ndërtuar nga vetë shoqëria apo nga një nënkontraktor, si shoqëri ndërtuese, si vlerë e pasurisë do të konsiderohet vlera e investimit e dorëzuar në organet e pushtetit vendor për efekt të llogaritjes së taksës së ndikimit në infrastrukturë.

Vlera e pasurive të paluajtshme të dhuruara nga institucionet financiare bankare dhe jobankare, për efekt të përllogaritjes së shpenzimit të njohur para tatimit, konsiderohet vlera e pasqyruar në aktivet e bilancit të këtyre institucioneve në momentin e fitimit të aktit të pronësisë, sipas legjislacionit të fushës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë