Analize

Si do të jetë politika e Biden në Shqipëri dhe Ballkan?

Presidenti i sapo betuar Joe Biden është i përkushtuar për të rivendosur marrëdhëniet trans-Atlantike, sepse një aleancë më e bashkuar mund të trajtojë më mirë problemet globale. Një nga sfidat e tij më të mëdha do të jetë në Europën Lindore dhe Ballkan, një rajon që është jetik për sigurinë e kontinentit por përballet me sulme të brendshme dhe të jashtme ndaj sovranitetit dhe demokracisë. Ky rajon i gjerë nuk është monolit, por përfshin demokraci të konsoliduara, shtete ku normat demokratike janë nën kërcënim, vende me kufij të diskutueshëm dhe shtete qeveritë e të cilave i nënshtrohen ndikimit rus.

Në shtetet ku normat demokratike janë të rrezikuara, si në Poloni dhe Hungari, administrata e SHBA-së pritet të inkurajojë pluralizmin dhe ndarjen e pushteteve por jo të largojë qeveritë e zgjedhura lirisht dhe të dobësojë potencialisht NATO-n.

“Forcimi i marrëdhënieve SHBA-Shqipëri mund të bëhet duke rritur marrëveshjet e mbrojtëse për të siguruar që Shqipëria mbetet një aleat i fortë i NATO-s, duke zgjeruar marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare midis dy vendeve dhe duke zhvilluar biseda të sinqerta për një përgjegjësi më të madhe kur njëri ose tjetri nuk i përmbush idealet demokratike.” Këto janë ndër objektivat e renditura në një komunikimin  me email midis fushatës së Joe Biden dhe komunitetit shqiptar në Amerikë.

Stafi i Biden thekon se presidenti do të mbështeste Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE, për shembull duke ndihmuar Shqipërinë të miratojë reformat e vështira, përfshirë sundimin e ligjit, anti-korrupsionin, si dhe reformat gjyqësore dhe zgjedhora, të kërkuara për të lëvizur përpara drejt unionit europian.

Në vendet me kufij të diskutueshëm, ekipi i sigurisë kombëtar të Biden do të ndihmojë në forcimin e sovranitetit dhe integritetit të tyre. Në Ballkanin Perëndimor, ajo pritet të finalizojë bisedimet Serbi-Kosovë me një udhërrëfyes për njohjen ndër-shtetërore. Udhëheqja e SHBA në dialog kërkon që të punohet ngushtë me BE dhe të parandalohet që Beogradi të vonojë ose devijojë diskutimet. Mungesa e marrëveshjes ndihmon zgjerimin e ndikimit të Moskës, ndërsa një marrëveshje dypalëshe do të hapë rrugë për zhvillimin ekonomik rajonal dhe integrimin në BE.

Administrata e Biden gjithashtu duhet të trajtojë pengesat kryesore për përparimin e Bosnjë-Hercegovinës në institucionet perëndimore. Ndryshimet kushtetuese janë të nevojshme për qeverinë qendrore në Sarajevë për të marrë vendime thelbësore të politikës së brendshme dhe të jashtme. Mbi të gjitha, kërcënimet e vazhdueshme kundër integritetit boshnjak nga politikanët nacionalistë duhet të ndëshkohen, pasi ato kufizojnë zhvillimin ekonomik, kufizojnë investimet e huaja, nxisin përçarjen ndëretnike dhe rrezikojnë mbijetesën e shtetit.

Për vendet si Mali i Zi, qeveria e të cilit po shikon gjithnjë e më shumë drejt investimet kineze, SHBA. duhet të hartojnë një strategji çlirimi. Biden pritet të duhet të punojë ngushtë me BE-në për të përjashtuar vënin e sektorëve kryesorë ekonomikë në Europën Lindore në kontrolli kinez. . Kjo është veçanërisht urgjente duke pasur parasysh ndikimin negativ afatgjatë të pandemisë në rajon edhe pas shpërndarjes së një vaksine.

Shtëpia e Bardhë e Biden gjithashtu pritet të fuqizojë luftën kundër ndikimit rus, veçanërisht në Bullgari, Hungari dhe Serbi, ku Moska po fuqizon dezinformimin, korrupsionin dhe financimin e ekstremizmit të djathtë dhe të majtë. Administrata e tij e ka të qartë se ndikimi i Moskës mund të zvogëlohet gjithashtu duke ndihmuar në lehtësimin e integrimit më të shpejtë në BE për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Uashingtoni gjithashtu pritet të luajë një rol konstruktiv në Bjellorusi, por jo përmes sanksioneve ekonomike dhe diplomatike që thjesht do ta shtyjnë atë në orbitën e Rusisë. Administrata Biden do të duhet të punojë ngushtë me Poloninë dhe Lituaninë në një përpjekje afatgjatë për ta sjellë vendin më pranë institucioneve perëndimore.

Për të qenë e suksesshme politika e Biden ndaj Europës Lindore pritet të bazohet tek fuqizimi i NATO-s dhe një qasje e vendosur ndaj Rusisë. Krahu lindor i NATO-s ka nevojë për fortifikim në rajonin e Detit të Zi duke rritur mbrojtjen detare dhe aftësinë ushtarake të Rumanisë dhe Bullgarisë.

Burimet: “The Hill”, “Foreing Policy”. Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë