Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka njoftuar sot hapjen graduale të sistemit shëndetësor, pjesa e madhe e të cilit u paralizua për t’u përqendruar tek lufta kundër pandemisë së koronavirusit.
Duke folur gjatë një inspektimi në spitalin e ri të Kirurgjisë në QSUT, ministrja tha se pas vlerësimit të situatës nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, është vendosur ri-hapja graduale e sistemit shëndetësor dhe se ndërhyrjet e planifikuara do të nisin në mënyrë graduale në të gjithë vendin.
“Koeficienti i riprodhimit paraqitet nën 1, çka ka bërë që sot Komiteti Teknik i Eksperteve të vlerësojë edhe rihapjen graduale te sistemit shëndetësor në spitalet rajonale dhe universitare nga data 18 Maj. Gjatë kësaj jave duhet që të gjithë strukturat të angazhohen maksimalisht për t’u bërë gati për rihapjen graduale të shërbimeve të kirurgjisë së planifikuar”, tha Manastirliu.
Ajo theksoi se gjatë të gjithë kohës së epidemisë, janë garantuar të gjithë shërbimet së i përket urgjencave kirurgjikale dhe patologjive malinje. Ministrja e Shëndetësisë tha gjithashtu se po vlerësohet rikthimi në normalitet edhe i spitalit COVID2.
“Jemi duke vlerësuar me komitetin Teknik të Ekspertëve edhe rikthimin në normalitet të spitalit universitar ‘Shefqet Ndroqi’, i cili i është dedikuar COVID2 dhe brenda kësaj jave do të kemi një vendim për të vlerësuar rikthimin në normalitet të këtij spitalit për të ofruar shërbimet e tij”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




