Analize

Si dështoi këshilltari i Ramës, Tony Blair, me PPP-të në Britani

Partneriteti Publik-Privat (PPP) ka qenë pa dyshim kryefjala e udhëheqjes së kryeministrit Edi Rama gjatë gjashtë viteve të tij në detyrë, jo vetëm për shkak të kostove marramendëse por edhe mungesës së theksuar të transparencës.

Por siç thoshte edhe profesori britanik Richard Smith, politikanët nuk zgjohen papritur një mëngjes dhe vendosin që bankat dhe kompanitë duhet të financojnë dhe të zotërojnë shkolla dhe spitale, shpeshherë ndodh edhe në demokracitë e konsoliduara që prapa PPP-ve të fshihen interesa të mëdha politike dhe biznesi. Në rastin e kryeministrit Rama, ai që “ndezi shkëndijën” e PPP-ve duket se ishte ish-kryeministri britanik Tony Blair.

Këshilltari i besuar i zotit Rama është kritikuar ashpër gjatë dhjetë viteve të qeverisjes së tij në krye të Britanisë së Madhe për kontratat e majme dhe të shumta të koncesioneve, një ide që duket se ia përçoi edhe kreut të qeverisë shqiptare.

Në një raport në janar në këtij viti, FMN i tërhoqi edhe njëherë veshin qeverisë shqiptare për financimet e veprave me anë të Partneritetit Publik Privat duke e konsideruar si një nga rreziqet më të mëdha për bilancin publik. Shqipëria përballet me boshllëqe të konsiderueshme në infrastrukturë në krahasim me rajonin, gjë që aktualisht po adresohet përmes përdorimit të gjerë të PPP-ve. Qeveria ka dhënë më shumë se 200 projekte PPP (ose 31 përqind e PBB-së), një shifër që ka alarmuar edhe organizatat ndërkombëtare. Së fundmi parlamenti ka miraruar pavarësisht reagimeve të ashpra në public dy kontratat në një vlerë mbi 280 milionë euro për dy rrugët për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës “Porti i Jahteve – By- Pass Orikum – Dukat (ura e Shën Elizës)” dhe rruga segmenti rrugor Milot-Balladre Këto dy kontrata të reja kanë ndezur menjëherë debate të pashmebullta duke nxjerrë aludimet se prapa tyre qëndrojnë afera korruptive, pasi të dyja firmat do të marrin hua për të siguruar punimet me afate kohore, ku parashikohet dhe mirëmbajtja për 13 vite. Këto dy kontrata janë vetem shembujt e fundit të koncensiove të shumta që ka miratuar qeveria shqiptare përgjatë viteve të fundit.

Edi Rama dhe Tony Blair, Gazeta Si, 17 shtator 2019

Edhe pse qeveria “Rama 2” duket se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga kjo praktikë, trashëgimia që ka lënë këshilltari i tij në Britaninë e Madhe falë PPP-ve, shërben si një shëmbëlltyrë e pasojave që do të sjellë edhe në vendin tonë kalimi i shërbimeve publike në duart e sektorit privat. Edhe pse një bastion i demokracisë, Britania nuk ka qenë në gjendje të mbajë nën kontroll kostot e shtuara të PPP-ve dhe të gjithë po e drejtojnë gishtin nga ish-kryeministri Tony Blair. Gjatë dhjetë viteve në detyrë, ai të kontraktonte kompani private për ndërtimin e shkollave të reja, spitaleve, rrugëve, hekurudhave dhe burgjeve, me kontrata të majme që do ti kalonin kostot fillestare duke u kthyer në barrë për taksapaguesit britanik.

Debatet u shtuan ndjeshëm pasi Kryetari i Bankës Mbretërore të Skocisë deklaroi në gusht të vitit të kaluar se tenderat e partneritetit publik-privat (PPP) të iniciuara nga ish-kryeministri Blair kishin qenë një "mashtrim dhe vjedhje ndaj britanikëve".

Si kur mos të mjaftonte trazirat politike që ka shkaktuar Brexit, Britania e Madhe është përballur edhe me telashe të njëpasnjëshme në ofrimin e shërbimeve publike , pasi shumë nga kompanitë private të kontraktuara nga Blair për ofrimin e këtyre shërbimeve kanë falimentuar.

Gjithçka duket nisi me falimentimin kompanisë së ndërtimit “Carillion”, i kontraktuar nga qeveria e Tony Blair për ndërtimin e autostradave, e pasuar nga rënia e kompanisë “Capital”, dy firmat që ishin kthyer në perandori në Britani duke ofruar shërbime për autoritetet publike.

Partneriteti publik-privat u kthyen në çështjen më të diskutueshme të mandatit të dytë të Tony Blair, duke shkaktuar përplasje të ashpra midis ministrave të qeverisë dhe sindikatave dhe por edhe me një sërë figurash të Partisë së tij Laburiste mbi mënyrën se si duhet të reformohen më mirë shërbimet publike.

Sindikatat e sektorit publik në Britaninë e Madhe jo vetëm që organizuan greva të njëpasnjëshme , por edhe tërhoqën edhe donacionet për partinë Laburiste , si pjesë e fushatës së saj kundër privatizimin të shërbimeve publike.

Ish-kryeministri Toni Blair ka lobuar gjatë për ato që i cilëson si “vlera të sektorit privat”, duke deklaruar se dëshironte të injektonte në Britani një metodë “ të freskët dhe inovative” për të përmirësuar shërbimet publike.

"Ne duhet të shkelim me vendosmëri me traditën e shërbimeve publike të drejtuara nga shteti. Ne duhet të mobilizojmë bizneset dhe t'u japim atyre liri për të bërë ndryshime inovative. Unë dua që menaxherët lokalë dhe profesionistët të jenë sipërmarrës", do të shprehej Blair në 2001-in.

Ai e dha numrin më të madh të koncesioneve për ofrimin e shërbimeve shëndetësore, duke kontraktuar kompani private jo vetëm për ndërtimin e spitaleve, por edhe duke mbështetur ofruesit e kujdesit shëndetësor privat, duke dërguar pacientët në spitale private për të shkurtuar listat e pritjes në ato shtetërore, një formë e PPP-ve e bazuar në modelin amerikan të kujdesit shëndetësor.

Qysh në vitin 1999, Richard Smith, redaktori i “British Medical Journal”, e cilësoi politikën e Blair për PPP-të një “idiotësi” për shkak të borxhit të PPP-ve dhe financimin e shërbimeve publike.

Edi Rama dhe Tony Blair, Gazeta Si, 17 shtator 2019

Më vonë u bë e qartë se procesi i dhënies së koncesioneve nuk ishte tërësisht transparent. Sudiues Joel Benjamin do të akuzonte publikisht Blair për interesa personale dhe dhënien e koncesioneve kompanive që kërkon deklaronin kosto më të mëdha.

Me ardhjen e krizës financiare dhe masave shtrënguese, duket se në Britani filloi të shfaqeshin edhe pasojat e PPP-ve. Kujdesi shëndetësor në spitalin më të madh të Londrës u bë kontrata e parë koncesionare që pati kosto shumë më të larta sesa ato që ishin parashikuar.

Fatura totale për spitalet u rri mbi 79 miliardë paund, edhe pse në kontratën fillestare ishte parashikuar kostoja e ndërtimit të këtij spitali nuk do t’i kalonte 11.4 miliardë paund.

Shumë kontrata të PPP-ve erdhën bashkë me kosto për mirëmbajtjen e objekteve, si shkollat, spitalet apo rrugët. Si rezultat, vetëm kontraktorët lejohen të ndryshojnë ose rregullojnë segmente ose pajisje të caktuara. Një hetim i gazetës britanike “The Telegraph” zbuloi disa shembuj të egër të vjedhjes dhe korrupsionit nga kontraktorët e zgjedhur nga Blair. Në një spital, një prej këtyre kontraktorëve kishte kërkuar 52,000 paund për një punë që duhet të kushtonte 750 paund.

Gjatë udhëheqjes së Blair, borxhi i përgjithshëm i PPP-ve në Mbretërinë e Bashkuar në kurriz të tatimpaguesit arriti në mbi 300 miliardë euro dhe ai për projektet e infrastrukturës ka kapur një vlerë prej 54,7 miliardë paund. Gazeta britanike “The Independent”shkruan se aktualisht borxhi i PPP-ve në Britaninë e Madhe është katërfishi i madhësisë së deficitit buxhetor të përdorur për të justifikuar masat shtrënguese gjatë krizës ekonomike të vitit 2008..

“Për ta parë një mënyrë tjetër, një llogaritje e shpejtë zbulon se pagesat e papaguara të PPP-ve do të mbulonin pagën për të gjithë infermierët, konsulentët me kohë të plotë dhe mjekët e përgjithshëm për 10 vjet. Do të mbetet akoma shumë për të mbuluar trajnimin e gjeneratës tjetër të kirurgëve dhe për të ndërtuar 80 spitale më të mëparshme”, shkruan gazeta.

Një nga koncesionet më të bujshme të Blair ishte ai i ndërtimit të një qendre spitalore nga kompania “Innisfree”. Kostoja origjinale e projektit ishte 1.1 miliard paund, por “The Independet” shkruan se së bashku me kostot e mirëmbajtjes do të arrijë në 7.1 miliardë paund deri në vitin 2049.

Në fillim të mandatit të dytë të Blair, Instituti i Kërkimit të Politikave Publike (IPPR) nxori një raport duke i sugjeruar qeverisë të se sektorit privat nuk duhet të ofronte të gjitha shërbimet publik, nga mësimi në kujdesi spitalor.

Gavin Kelly, drejtori i këtij studimi tha në atë kohë se: "Partneriteti publik-privat ka një rol të rëndësishëm, por qeveria duhet të jetë e gatshme të rimendojë kur dhe si do të përdoret sektori privat dhe duhet të shmangë dërgimin e sinjalit se vetëm sektori privat ka përgjigjet për sfidat me të cilat përballen shërbimet publike ‘, thotë ai.

Si shumë ekspertë, edhe Kelly e paralajmëroi ish-kryeministrin se spitalet dhe shkollat nuk mund t’i besoheshin sektorit privat për shkak të interesave të mëdha korporative dhe financiare, por paralajmërimet duket se shkuan në “vesh të shurdhët” .


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë