Prokuroria nuk mundi të vërtetonte me prova dyshimet e antidrogës se një i ri furnizohej në Fier me kokainën që e shpërndante më pas në kryeqytet. Një burim policor i tregoi gazetës “Si” se si një 46-vjecar nga Tirana me inicialet D. K i shpëtoi survejimit disa mujor, pasi autoritetet nuk mundën të mblidhin të dhëna.
Në materialin sekret të policisë përmendet dhe referohet se D.K “sipas të dhënave të siguruara në rrugë operative është i përfshirë në shitjen e kokainës, që e merr në qytetin e Fierit dhe më pas ua shet disa shpërndarësve në kryeqytet.” Kjo e dhënë e rezervuar që vendoset në dispozicion të gazetës “Si” iu dha policisë nga një shtetas i cili këmbëngulte që 46-vjecari sëbashku me dy të tjerë dhe me një autoveturë Opel, me ngjyrë të bardhë, ishte nisur për në Fier për të siguruar dy kilogramë kokainë për 35 mijë euro kilogrami. Informatori ka treguar gjithashtu edhe emrin e bashkëpuntorit të të dyshuarit, që ishte nga ana e tij një furnizues i madh heroine. Në rrugë operative, për A.Sh, policia grumbulloi këto të dhëna: “Ky shtetas me lidhjet e tij shoqërore gjeti 3 kg heroinë që do ta shesë në tregun e Tiranës”. Pas këtyre të dhënave paraprake prokuroria ka nxituar të fitojë në gjykatë lejen për përgjime telefonike, vetëm për 15 ditë.
Prokuroria shpjegon në dosjen e saj se madje vec përgjimeve, kishte futur në grup një agjent të infilturuar, i cili është prezantuar si blerës.
“Shtetasi A.Sh i tha se edhe të bardhën edhe të kuqen (edhe kokainën edhe heroinën) do t'i siguronte në Fier”, ilustrohet në dosjen e pushimit të hetimeve. Më tej theksohet se “është komunikuar për veprime të mëtejshme operacionale për të administruar materialin e vëzhgimit ambjental, por prokurorisë nuk i është vendosur në dispozicion asnjë material”.
Burimeve ekskluzive i thanë të gazetës “Si” se “megjithë punën e bërë nuk ishte e mundur të grumbullohen prova që provojnë veprimtari të mundshme kriminale të shtetasve D.K , A.SH dhe të tjerë, pasi me gjithë agjentin nën mbulim, metodat speciale të hetimit dhe përgjimet, nuk u kap asnjë sasi e dyshuar si narkotike”.
Sipas burimeve të gazetës "Si" shpesh policia ka organizuar aksione vëzhgimi për një grup që mendohet se furnizon me kokainë shpërndarësit e vegjël, por deri më tani të gjitha aksionet kanë rezultuar pa sukses. Vec shpërndarësve që dalin para gjykatave të ndryshme në rrethe, personat që janë furnizuesit kryesorë nuk dalin asnjëherë në dritë. Gjithsesi skema sipas asaj që gjykohet është sërisht e njëjtë, në shumicën e rasteve kokaina shpërndahet në lokale apo përmes shtëpive të marra me qira në lagje të mbipopulluara.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.