Ne rrjet

Si dënimi me burg i shkrimtarit Boualem Sansal tensionoi raportet mes Francës dhe Algjerisë

Nga Gazeta “SI”– Shkrimtari franko-algjerian Boualem Sansal është dënuar me pesë vjet burg nga gjykata penale e Dar El Beida, pranë Algjerit e cila shpalli një dënim me pesë vjet burg dhe e gjobiti gjithashtu me 500 mijë dinarë algjerianë, rreth 3,500 euro.

Ky dënim është gjysma e asaj që kishte kërkuar prokuroria, e cila akuzon shkrimtarin e njohur 80-vjeçar se ka minuar integritetin e territorit algjerian përmes një videoje të përhapur në një media franceze të ekstremit të djathtë. Videoja në fjalë i jepte hapësirë qëndrimit të Marokut, sipas të cilit një pjesë e territorit të tij iu dha Algjerisë gjatë kolonizimit francez.

Para vendimit të sotëm, analistët kishin parashikuar se ky proces mund të luante një rol kyç në zgjidhjen e krizës diplomatike midis Parisit dhe Algjerit, e cilësuar si më e rënda në dekadat e fundit. Ata shpresonin në një ulje të dënimit ose në një falje të mundshme nga presidenti algjerian Abdelmadjid Tebboune.

Boualem Sansal

Arrestimi i Sansal dhe tensionet Francë-Algjeri

Arrestimi i Sansal në Algjer në nëntorin e kaluar ka përkeqësuar edhe më shumë marrëdhëniet tashmë të tensionuara midis Algjerit dhe Parisit, veçanërisht pasi presidenti francez Emmanuel Macron shpalli mbështetjen e tij për një plan autonomie nën sovranitetin maroken për territorin e diskutueshëm të Saharasë Perëndimore.

Algjeria, e cila mbështet pretendimet e lëvizjes separatiste Polisario për këtë territor,  statusi i të cilit nuk është përcaktuar ende nga OKB  reagoi menjëherë duke tërhequr ambasadorin e saj dhe kërcënuar me masa ndëshkuese. Vendimi i Parisit u interpretua nga Algjeria si një mbështetje për pozicionin e Marokut, rivalit të saj kryesor rajonal, me të cilin ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike që nga vera e vitit 2021.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë