Politike

Si bëhesh deputet nga listat e hapura? Ish-kryetari i KQZ, Kristaq Kume tregon ‘sekretin’ e formulës së re

Gazeta Si – Partitë e mëdha, PS dhe PD, e kanë ndërtuar Kodin Zgjedhor për t’u dhënë sa më shumë pushtet kryetarëve për hartimin e listave të deputetëve.

Ky rregull do të zbatohet edhe në këto zgjedhje, por me një ndryshim të vogël. Në vend të përcaktimit të renditjes së të gjithë listës së kandidatëve, një pjesë e saj do të vendoset nga vota e qytetarëve.

Kjo përbën atë që njihet si lista e hapur. Në një intervistë për GazetaSi.al, ish-kryetari I KQZ-së, Kristaq Kume dhe ekspert i sistemeve elektorale, shpjegon me gjuhë të thjeshtë si votojnë qytetarët dhe çfarë duhet të bëjnë kandidatët e listës së hapur për të marrë mandatin e deputetit.

Në thelb, kuptohet se është një sistem që punon për partinë dhe jo për kandidatin, pasi gjithçka varet sesa mandate depuetteësh do të marrë partia në zgjedhje.   

Gazeta Si: Në zgjedhjet e 11 majit do të ketë një mënyrë të re për llogaritjen e mandateve, pasi kësaj radhe kemi një listë të mbyllur dhe një listë të hapur. Çfarë duhet të dinë zgjedhësit, kur të shkojnë të votojnë?

Kristaq Kume: Sistemi elektoral në bazë të të cilit do të zhvillohen zgjedhjet e 11 majit është proporcional rajonal, që do të thotë se zgjedhësit votojnë për subjektet zgjedhore që marrin pjesë në proces dhe për listën e kandidatëve që ata paraqesin.

Në këto zgjedhje, është vendosur rregulli sipas të cilit vota parapëlqyese e zgjedhësit mund të ushtrohet vetëm tek kandidatët e 2/3-ës së listës dhe 1/3-a e saj është e pandryshueshme.

Neni 67 i Kodit Zgjedhor u kërkon partive politike që të dorëzojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve një listë me kandidatë të fiksuar, me renditje të fiksuar, pra, të mbyllur, me numër sa 1/3-a e mandateve që ka njësia zgjedhore përkatëse dhe listën tjetër me kandidatë që do t’i nënshtrohet votimit parapëlqyes, pra lista e hapur, me numër kandidatësh aq sa është numri i mandateve në zonën përkatëse.

Kjo do të thotë se fletën e votimit do të vendoset emri i subjektit zgjedhor, që mund të jetë parti ose koalicion, lista e mbyllur me emrat e kandidatëve, e cila nuk votohet nga zgjedhësit dhe, poshtë kësaj, lista e hapur e kandidatëve.

Për këtë listë, pra, për listën e hapur, zgjedhësi ka të drejtë të ketë 1 votë parapëlqyese dhe të votojë vetëm 1 kandidat në listën e hapur.

Zgjedhësi, do të votojë fillimisht për subjektin në kutinë e subjektit dhe, më pas, do të shkojë tek lista e hapur dhe do të votojë për njërin nga kandidatët në kutinë përkatëse.

Gazeta Si: Si bëhet shpërndarja e mandateve? Cila është rëndësia e listës së mbyllur?

Kristaq Kume: Në fillim, mandatet që ka fituar subjekti zgjedhor shpërndahen për kandidatët e listës së mbyllur.

Nëse subjekti ka fituar mandate më shumë sesa numri i kandidatëve në listën e mbyllur, këto mandate do t’u jepen kandidatëve të listës së hapur, pasi ata të rirenditen, në bazë të votave parapëlqyese që ka fituar secili prej tyre.

Kjo do të thotë se, nëse në Tiranë një subjekt fiton deri në 12 mandate, ndërkohë që lista e mbyllur është me 12, votat që kanë marrë ata që janë në listë të hapur nuk kanë asnjë efekt për ta personalisht.

Por, nëse subjekti merr 13 mandate, mandati i 13-të i jepet kandidatit të listës së hapur, i cili ka marrë më shumë vota parapëlqyese se gjithë të tjerët e listës së hapur. Dhe kështu me radhë për mandatin 14, 15 etj.

Gazeta Si: A mund të bëhet tani një llogaritje sesa vota i duhen një kandidati të listës së hapur për të fituar një mandate deputeti?

Kristaq Kume: Llogaritje të tilla nuk kanë vlerë. Llogaritje të tilla mund të bëhen vetëm pasi të dalë rezultati i votimit.

Mendoj se është spekulative të diskutojmë tani një gjë të tillë, sepse vetëm do t’i vijmë rrotull problemit dhe nuk themi dot diçka të saktë.

Gazeta Si: Pra kandidati që është në listë të hapur nuk ka asnjë ide përsa vota lufton?

Kristaq Kume: Jo. Nuk ka nga ta dijë. Ai hyn në lojë vetëm nëse subjekti ku garon, shterron mandatet e listës së mbyllur dhe merr më shumë sesa ky përcaktim, pra, merr më shumë se 12 mandate në Tiranë.

Gazeta Si: Është një disavantazh ky në krahasim me herësin, kur kandidati jashtë vendit të sigurtë e dinte që do t’i duheshin 10 mijë vota për t’u bërë deputet?

Kristaq Kume: Mendoj që sistemi aktual është më mirë sesa herësi, në kuptimin e funksionimit të votimit parapëlqyes.

Me herësin ne e provuam në zgjedhjet 2021 se u morën vetëm 3 mandate, pra që kishim deputetë jashtë listave të sigurta, që kaluan 10 mijë votat.

Nëse do t’i referohemi rezultateteve të vitit 2021 dhe mënyrës së të votuarit, me votë parapëlqyese, siç do të bëhet tani në 11 maj, dalin rreth 28-29 mandate.

Gazeta Si: Por nisur nga interesi i kandidatit në listën e hapur, të mos dish për sa vota lufton nuk është favorizuese apo jo?

Kristaq Kume: Nuk e bën dot këtë llogari që të thuash se hyj për të marrë 10 mijë vota apo 6 mijë vota që të jem i pari në listën e hapur.

Askush nuk e di sa do të votohet as vetë, as të tjerët. Pra, sekreti është që të merren sa më shumë vota për vete, në mënyrë që subjekti të marrë sa më shumë mandate dhe që kandidatët e listës së hapur të kenë shansin të konsiderohen për të marrë nga mandatet përtej listës së mbyllur.

Po nuk u morën mandate që kapërcejnë numrin e listës së mbyllur, mund të marrësh mijëra vota vetë, por ato nuk janë efektive, nuk prodhojnë mandat personal.

Pra, gjithçka është e lidhur me njëra-tjetrën, numri i votave që merr subjekti, i cili prodhon mandatet për subjektin dhe numri i votave parapëlqyese që merr individi për t’u renditur në pjesën e sipërme të listës së hapur.

Pra, sa më shumë vota, aq më mirë, por se sa duhen, ëhstë e vështirë për t’u thënë me saktësi. Mund të thuhet diçka e përafërt, psh, nëse në Tiranë mund të duhen 11 mijë vota, në Kukës mund të  duhen 17 mijë vota që të mund të futesh në lojën e marrjes së mandatit si rezultat i votave parapëlqyese, por theksoj, se është e pamundur të thuhet me saktësi.

Është njësoj si me atë që thonë se votat e diasporës do të prodhojnë x mandate. Qesharake. Nëse votat ndahen përgjysëm, nuk prodhojnë asnjë mandat shtesë për ndonjë subjekt, se kanë të njëjtën vlerë sikur të ishin këtu.

Ne nuk e dimë për kë do të votojnë emigratët që të themi sa mandate prodhon vota e tyre. Saktësisht, sesa vota duhen që të fitohet një mandat, kjo del pas rezultatit. Si pikë referimi për t’u orientuar mund të marrim rezultatet e zgjedhjeve të mëparshme.

Ne e dimë që në Tiranë marrja e një mandati kërkon 11 mijë vota. Pra që, të futesh në lojë, ti duhet të kesh vota parapëlqyese afër kësaj shifre, ndoshta edhe më pak, por saktësisht, nuk mund të thuhet. Të paktën unë, që jam specialist i matematikës, s’e them dot.

Gazeta Si: Çfarë u sugjeroni kandidatëve në listë të hapur?

Kristaq Kume: Të përpiqen të marrin sa më shumë vota! Duke marrë kandidatët sa më shumë vota, partisë apo koalicionit i rriten shanset të marrë më shumë mandate, për rjedhojë edhe kandidati në listë të hapur ka shanse të ngjitet në listën e mandateve të fituara përtej kufirit të 1/3-ës. Pra, merrni sa më shumë vota! 

Gazeta Si: Me dorëzimin e listave në KQZ u konfirmua që në në listën e hapur numri i kandidatëve është i barabartë me numrin e mandateve që ka qarku. Pse është bërë kjo zgjedhje në ligj?

Kristaq Kume: Po, është e vërtetë. Le të marrim sërish Tiranën si shembull ilustrues. Në Tiranë, ku ka 37 mandate gjithsej, partitë kanë vendosur 12 kandidatë në listën e mbyllur dhe 37 kandidatë në listën e hapur.

Gjithsej janë 49 kandidatë për 37 mandate. Sipas analizës sime, ka dy arsye pse partitë e mëdha kanë vendosur këtë përcaktim ligjor.

E para, sa më shumë kandidatë të ketë në garë, aq më shumë vota merr subjekti, sikur edhe 1 votë më shumë, atë të personit të fundit në listë.

E dyta, vështirëson sa më shumë punën për partitë e reja, sepse atyre u vështirësohet gjetja e njerëzve për të bërë listën e kërkuar sipas ligjit.

I gjithë sistemi është bërë për të favorizuar partitë e mëdha, përfshirë edhe formulën e ndarjes së mandateve. Është një sistem që e bën shumë të vështirë marrjen e mandateve nga partitë e vogla apo të reja, por, siç ka treguar historia, jo të pamundur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë