Zakonisht, krimi i organizuar priret të ndihmojë partinë që është në pushtet. “- tha Eugen Beçi në një intervistë për Gazeta Si, ku analizon operacionin e fundit “Metamorfoza”, me përfshirjen e deputetëve dhe ish deputetëve të PS. “Bisedat e zbardhura na treguan se çdo ditë e më tepër po shohim që kemi një shkrirje të tmerrshme të politikës me krimin. Askush nga grupet nuk do ta kishte këtë fuqi pa qenë në politikë. “- u shpreh zoti Beçi, sipas të cilit SPAK-u ka shumë për të bërë në këtë drejtim. Veçanërisht para zgjedhjeve. “Duhen sa më shumë hetime proaktive para zgjedhjeve. Një hetim proaktiv do të thotë që ta ndjekësh çështjen dhe jo t’i japësh rezultatet e hetimit pasi ai deputet ka hyrë me vota të vjedhura në parlament.”- theksoi ish Kryeprokurori i Krimeve të Rënda, Eugen Beçi gjatë intervistës me Gazeta Si.
Gazeta Si: Operacionini fundit i SPAK-ut na tregoi për lidhjet e deputetëve, ish-deputetëve të PS apo familjarëve të afërt me krimin e organizuar në trafik droge dhe porosi vrasjesh. Fuqia e tyre ka lidhje me përfshirjen e tyre në politikë?
Eugen Beçi: Janë 7 grupe kriminale që shohim në dosjen e fundit. Në çdo bisedë të zbardhur, këta grupe kriminale, minimalisht, kanë eksponentë të lidhur me politikën. Kushdo mund të bëjë një analizë dhe të dalë në përfundimin se çdo ditë e më tepër po shohim që kemi një shkrirje të tmerrshme të politikës me krimin. Askush nga grupet nuk do ta kishte këtë fuqi pa qenë në politikë. Fakti që kanë patur një rol në politikën shqiptare u jepte atyre një aoreolë mbrojtëse qoftë në sistemin e drejtësisë, qoftë në politikë. E vetmja gjë pozitive që shoh është se politika duket sikur do që t’i lëshojë këto personazhe që kanë lidhje me krimin e organizuar. Dhe këtu vijmë në një problem më të madh. A është vonë politika? Mos vallë krimi organizuar e ka tejklauar dhe është bërë shefi i poliitkës? Deri disa vite më parë shikonim se politika e shfrytëzonte krimin e organizuar dhe kriminelët ordinerë, por i shfrytëzonte duke qenë vetë shefe, ndërsa sot duket se krimi i organizuar e ka përmbysur këtë situatë. Nuk urdhërojnë më politikanët, por kriminelët urdhërojnë politikanët. Nuk është pak që personazhë të krimit, të zgjedhur nga maxhoranca arrijnë të kontrollojnë struktura të policisë së shtetit. Është e qartë që ka një shkrirje mes tyre.
Gazeta Si: Kur thuhet që krimi ka kapur shtetin, çfarë keni parasysh?
Eugen Beçi: Në tipologjinë e personave të arrestuar kemi personazhe të cilët janë shumë të rëndësishëm për Policinë e Shtetit dhe kemi personazhe që kanë qenë drejtpërsëdrejti të lidhur me PS dhe personazhe, të cilët kanë patur mbështetje të madhe politike nga maxhoranca e sotme. Kjo më bën të arrij në konkluzionin se këtu, krimi dhe shteti po bëhen një.
Gazeta Si: Gjatë ushtrimit të detyrës suaj, cila ka qenë forma më flagrante e ndërhyrjes në çështjet në hetim?
Eugen Beçi: Nuk mund të them se ka patur raste të ndërhyrjes direkte, por ato kanë qenë në mënyrën e fshehjes së provave, të zbehjes së provave përmes organeve të tjera ligjzbatuese, në këtë rast policia. Më shpesh kjo ndodhte për veprën e trafikut të lëndëve narkotike, përfshirë drogat e forta, ku dukej se krimi i organizuar jo vetëm merrte viston nga politika me shkeljen e njërit sy, por, më pas, krimi i organizuar ia kthente haraçin politikës përmes sponsorizimit në fushata të ndryshme. Si tipologji, deri në 2015-2016, nuk ndërhynte direkt, në formën klasike që të ndikonte sesi duhej hetuar dosja apo personi. Ata shfaqeshin në publik me politikanë, me njerëz të pushtetit që, në mënyrë indirekte, të bënin një lloj presioni tek prokurori apo gjyqtari. Më pas, kjo gjë avancoi. Pjesëtarë të krimit të organizuar nuk ishin më bashkëpunëtorë, por pjesë e politikës.
Gazeta Si: Dosjet “Metamorfoza”, por edhe të tjera më parë, na kanë treguar ndërhyrjen e krimit në zgjedhje, por a ka fuqi krimi të ndikojë rezultatin zgjedhor?
Eugen Beçi: Vitet e fundit është vënë re që krimi i organizuar ka një ndikim shumë të madh tek vota. Ai merr vota ose duke i blerë, ose, kur nuk i blen dot, e bën në mënyrë të dhunshme. Zakonisht, krimi i organizuar priret të ndihmojë partinë që është në pushtet. Në një dosje që kemi hetuar gjatë zgjedhjeve të pushtetit lokal në një qytet, ditën e zgjedhjeve personazhe të krimit të organizuar dërgonin njerëz të tyre në një rrugicë të caktuar, kur mendohej se vota ishte e një krahu politik. Patrullonin gjithë ditën në atë rrugicë dhe nuk lejonin votuesit të dilnin nga shtëpitë për të votuar. Mendoj që edhe braktisja e politikës nga njerëzit ka në bazë krimin. Duke qenë se vota u merret dhunshëm, qytetarët nuk kanë zgjidhje tjetër veçse ta abandojnë politikën.
Gazeta Si: Kreu i SPAK-ut, Altin Dumani deklaroi se në janar do të dalin me një strategji kundër krimit zgjedhor. Keni një sugjerim, nisur nga përvoja juaj?
Eugen Beçi: Me këtë kuadër ligjor që ka sot Prokuroria e Posaccme për krimet kundër zgjedhjeve, SPAK duhet të ishte më aktiv edhe në fushatat që kanë kaluar, pasi ka qenë i krijuar të paktën në 3 procesez gjedhore që kanë ndodhur pas 2019-ës. Korrupsioni në fushën e krimeve zgjedhore është kompetencë e SPAK-ut dhe korrupsioni zgjedhor vinte për shkak të tenderave të dhënë gjatë fushatës zgjedhore, shpërblimeve të dhëna në mënyrë masive dhe këto ishin hetime që SPAK-u nuk kishte asnjë pengesë t’i niste. Prandaj e quaj tani një justifikim këtë çështjen e strategjisë. Sugjerimi im është që sa më shumë hetime proaktive në kuadër të një fushate zgjedhore, që dihet sesi zhvillohet në Shqipëri, aq më mirë do t’i bënte hetimit dhe mënyrës sesi votohet në Shqipëri. Një hetim proaktiv do të thotë që ta ndjekësh ccështjen dhe jo t’i japësh rezultatet e hetimit pasi ai deputet ka hyrë me vota të vjedhura në parlament.
Gazeta Si: A vleresoni që politika e ka fuqinë të shkëputet nga krimi?
Eugen Beçi: Politika duhet të shkëputet nga krimi, por nuk e shoh se kjo maxhorancë ka fuqi ta bëjë. Duhen shkëputur dhunshëm! Duke dënuar persona që merren me krimin e organizuar dhe janë pjesë e politikës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.