Lojëra me Dore

Mendja, fuqia e vërtetë e LeBron James

Në moshën 33-vjeçare tashme, më shumë se tek këmbët, krahët dhe shpatullat, fuqia e vërtetë e LeBron James qëndron tek koka. Ishte pikërisht mendja e tij gjeniale ajo që dërgoi Cleveland Cavaliers në finalen e Konferencës së Lindjes. Nëse do t’i bëhej një analizë e qelizave të trurit të tij, çfarë do të shihnin neurologët?

Rezultati i deritanishëm (2-0 për Boston Celtics) nuk e bën shumë interesante këtë finale, por ja vlen që të shihet deri në fund për të mësuar nëse James do t’i rikthehet magjia dhe të përmbysë gjithçka. Në të shkuarën e ka bërë dhe ndeshja e dytë ndaj Boston Celtics, ku prodhoi 42 pikë, 12 asiste dhe 10 bllokime tregoi se është një sinjal i mirë për Cavaliers. Herën tjetër, që do ta shihni në fushë, bëni një eksperiment; ndiqni vetëm James, analizoni veprimet e tij, jo vrapimet dhe shihni sesi e skanon lojën dhe memorizon gjithçka në kokën e tij.

Në ndeshjen e parë bënë përshtypje disa sekuenca, kur përballë kishte 20-vjeçarin e Boston Celtics, Jason Tatum. Në shumicën e dueleve doli fitimitar ndaj djaloshit të papërmbajtshëm rival dhe nuk e arriti këtë me gjunj, por me inteligjencë. Në një dyluftim, kur të gjithë kërcyen për të kapur topin në kosh, ai ishte i vetmi që qëndroi me këmbë në tokë. Priti, analizoi trajektoren e sferës dhe më pas fluturoi, duke zënë në kundërkohë të kundërshtarët dhe bërë të tijin topin. Salla shpërtheu në duartrokitje.

Lëvizja la mbresa. “Mahnitëse”, thotë Jocelyn Faubert, studiuese e perceptimit vizual në Universitetin e Montrealit. “Një bukuri e vërtetë”, deklaron Andre Fenton, profesor i neuroshkencës në Universitetin e Nju Jorkut. “E jashtëzakonshme, por jo surprizuese”, shprehet Zach Hambrick, profesor në Universitetin Shtetëror të Michiganit.

Hambrick ka të drejtë kur thotë se nuk është surprizuese, sepse studiuesit prej kohësh po mundohen që të gjejnë lidhjen mes njohurive shkencore dhe performancës fizike njerëzore.

“Është themeli i të gjitha kërkimeve shkencore, që ekspertët kanë një memorie superiore, që i ndihmon të përpunojnë informacionin në një rrugë të ndryshme nga pjesa tjetër”, thotë Hambrick.

Studimet e lidhin gjithë këtë me atë që njihet si “kujtesa fotografike”, që bazohet në ndjekjen e gjurmëve të lëna nga përvoja në tru.

Për ta shpjeguar më mirë, i drejtohemi një tjetër sporti; shahut. Në një studim të famshëm të viteve 1960 të lojtarëve të këtij sporti mendor, Adriaan de Groot u tregoi atyre gurët e vendosur në fushë për vetëm pesë sekonda. Më pas, u kërkoi subjekteve të studimit të tij që të rivendosin gurët ashtu siç ishin. Të rinjtë, pra lojtarët me më pak përvojë në këtë sport, mbanin mend shumë pak dhe sa më shumë përvojë kishte një lojtar, aq më i saktë ishtë në rivendosjen e gurëve.

“Mjeshtërit e mëdhenj mbajnë mend gjithçka”, thotë studiuesja K.Anders Ericsson, studiues në Universitetin Shtetëror të Florida.

Po jo vetëm kaq! Mjeshtërat e lojës nuk ndërtojnë thjeshtë statistika bazuar në kujtesën e tyre, por kanë edhe intuitën. Rasti i James kur u paraprin të gjithëve e tregon këtë.

Një eksperiment të ngjashëm me Adriaan de Groot në fushën e shahut, Ericsson e kreu me lojarët elitarë të SuperBoël, ose siç njihet futbolli amerikan. Lojtarëve iu treguan fragmente nga një ndeshje e caktuar dhe më pas ndeshja ndalej në një pikë të paparashikuar. Këtu u kërkonte subjekteve të studimit të tij që të tregonin pozicionet e secilit lojtar në fushën e lojës në një moment të mëhershëm. Rezultati: lojtarët më të mirë jo vetëm që e gjetën se kush ndodhej ku, por ishin në gjendje që të parashikonin edhe lëvizjen e radhës.

“Ishin në gjendjje që të parashikonin veprimet e lojtarëve pas momentit të përcaktuar. Kjo është një detyrë që e realizon më së shumti kujtesa fotografike”, thotë Ericsson.

Hambrick nga ana tjetër risjell në kujtesë një studim të realizuar me lojtarë të bejsbollit dhe kriketit. Në të tregohej se lojtarët më të mirë dhe më me përvojë, në momentin që u bllokohej fushëpamja, ishin aq të pështjelluar sa një amator. “Kjo ndodh sepse ata janë mësuar që të bëjnë përllogaritjet dhe më pas lëvizjen e radhës në bazë të fushëpamjes që kanë”, thotë ai.

Duke iu rikthyer LeBron James dhe performancës së tij, sidomos në ndeshjen e dytë. Një sërë lëvizjesh të tij i atribuohen pikërisht përvojës dhe kujtesës fotografike. Kujtoni pasën e dhënë pas shpine pa e parë për Kevin Love. Topi e zuri të papërgatitur këtë të fundit dhe iu përplas në duar jashtë kontrollit. Intuita dhe përqendrimi i James bënë që të kuptonte edhe pa e parë se e gjeti të “përgjumur” shokun e skuadrës.

“Të menaxhosh aq bukur dhe me qetësi një situatë të tillë, mund të thuhet pa frikë se është një formë inteligjence”, interpreton Faubert.

Në 2014 shkencëtarët John O’Keefe, May-Britt Moser dhe Edvard Moser fituan Çmimin Nobel për punën e tyre që shpjegonte sesi funksionon truri. Ata iu përgjigjën disa pyetjeve sa të thjeshta, aq edhe komplekse. Si e perceptojmë vendndodhjen? Si e dimë se ku ndodhemi dhe më pas gjejmë rrugën për në shtëpi? Ata zbuluan një “GPS” të fshehur të trurit që mundëson orientimin dhe planifikon lëvizjen e radhës. O’Keefe zbuloi se një qelizë specifike e vendosur në pjesën e hipokampusit të trurit njerëzor, dërgonte një sinjal të caktuar për të shenjuar një vend të caktuar. Mosers nga ana tjetër zbuluan se neuronet e korteksit aktivizoheshin rregullisht kur sinjalizoheshin nga qeliza specifike e hipokampusit. Kjo është ajo që ka në kokë edhe LeBron James. Truri i tij me përvojë tashmë e ka perfeksionuar gjeometrinë në fushën e lojës dhe vepron edhe në mënyrë “të pavullnetshme”.

Por, nëse në hipokampus ruhen kujtimet apo ngjarje të shumta, si i ndan truri i James se kush është “përvoja” që i duhet në një moment të caktuar dhe kush jo?

“Ai nuk po regjistron dhe as po riprodhon një regjistrim të së shkuarës. Ai nuk rindërton një pikturë të së shkuarës për të tashmen, por e përshtat atë, e sheh atë të evoluojë vazhdimisht. Është si një tufë zogjsh që fluturojnë në grup në mënyrë kaotike, por edhe të rregullt në qiell pa u përplasur me njëri-tjetrin. Ne po i quajmë tufë zogjsh, ai (LeBron James) e quan lojë”, thotë neurologu Glen Fenton.

Si përfundim, truri ynë mëson vazhdimisht përgjatë viteve “modele” të caktuara veprimi, që i ruan ato dhe i thërret kur i nevojitet. Kjo quhet përvoja dhe në rastin e James, ky sistem thjesht funksionon më mirë se tek pjesa tjetër e basketbollistëve.

Burimi Washington Post


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë