Nga Liridon Mulaj – Arredimi i hapësirave zyrtare të liderëve shtetërorë është një pasqyrë shumëdimensionale që shpreh estetikën, kulturën, historinë dhe mesazhet politike të vendeve përkatëse. Mjediset si dhomat ceremoniale dhe pritjet e liderëve botërorë nuk janë vetëm hapësira funksionale, por edhe platforma vizuale që komunikojnë identitetin kombëtar dhe pozicionin ndërkombëtar. Duke analizuar shtatë raste të ndryshme nga Shtëpia e Bardhë në SHBA te Kryeministria në Shqipëri dallojmë një spektër të gjerë stilistik midis traditës dhe modernitetit, lindjes dhe perëndimit.
Për të analizuar këtë qasje konceptuale por dhe kulturore të arredimit të dhomave të pritjeve të liderëve botërorë, Gazetasi.al bisedoi me Dr. Klodjan Xhexhi, Përgjegjës i Departamentit të Arkitekturës dhe Inxhinierisë në Universitetin “Polis” i cili analizon në detaje sallat e pritjes dhe takimeve të liderëve, si hapësirat mbase më të rëndësishme të pushtetit në botë.
Dhoma Ovale, Shtëpia e Bardhë
Sipas Xhexhit, dhoma ovale ku Trump dhe çdo president amerikan pret liderët botërore, ka ruajtur stilin neoklasik, me mobilje prej druri me ngjyra të ngrohta.
“Stili arkitektonik i perdorur në Dhomën Ovale është cilësuar si Neoklasik me elementë kolonialë amerikanë. Ngjyrat janë të ngrohta, të buta (bezhë, krem, ar). Vihen re mobilie prej druri të errët masiv, qilima të personalizuar që ndjekin llogjiken ovale të dhomës, veshjet murale me dru në gjysëm lartësi si dhe tekstura të kushtueshme. Dyert e padukshme nuk mungojnë (apo ne një linjë me murin).

Kjo e fundit bën një lidhje të fortë midis arkitekturës tradicionale dhe asaj postmoderne. Simetria eshte evidente si dhe salla është brenda normativave të shkallës humane në propocion. Format ovale kanë gjithëmonë një performancë perfekte akustike në raport me format apo volumet e tjera arkitektonike. Ky fakt me sa duket është i rëndësishëm për Shtepinë e Bardhë” thotë ai.
Ai shton se arredimi i dhomës ovale tregon respekt për traditën por dhe nxjerr në pah, autoritetin dhe stabilitetin e amerikanëve.
“Eshtë formë fluide dhe shumë njerezore. Simbolika e përdorur lidhet ngushtë me autoritetin, stabilitetin dhe respektin për traditën. Dhoma Ovale është ndoshta një nga ambientet më të njohura zyrtare sot në botë. Arredimi i saj i përket një stili neoklasik të përpunuar, që përçon seriozitetin e institucioneve amerikane.
Qilimi me emblemën presidenciale, mobiliet e sofistikuara, dhe renditja simetrike e elementeve dëshmojnë për rëndësinë e etikës institucionale dhe prestigjit politik. Në krahasim me ambientet simotra lindore, ky stil përfaqëson një kulturë më të formalizuar dhe të racionalizuar të pushtetit, ku çdo element dekorativ ka një funksion protokollar të veçante dhe të qartë” analizon Xhexhi.
Dhoma e pritjes e Kryeministrit Japonez ( Geihinkan Akasaka Rikyu)
Nga Perendimi në lindje, arkitektura dhe arredimi ndryshon sipas kulturave. Në Japoni sipas Xhexhit, dominon stili minimalist dhe ngjyrat neutrale.
“Stili i përdorur në Japoni në dhomën e pritjes së Kryeminstrit Japonez është ai Minimalist, Japonez tradicional. Ky lloj stili ka filluar të huazohet kohët e fundit edhe në Shqipëri, por jo vetëm. Ngjyrat tentojnë të jenë neutrale (krem, gri e lehtë, kafe e hapur). Ndërsa materialet e përdorura janë dru i lehtë si dhe aplikimi i tij në mure dhe tavane, tapete tatami (tapete karakteristike të përbera nga oriz i shtypur ose materiale moderne si dhe nje shtresë nga kashta e barit), ndricim LED etj. Përdorimi i formave të thjeshta është karakteristike e këtij stili si dhe carjet në fasadë janë të maksimizuara me qëllim rritjen e kontaktit me natyrën”

Qasja e japonezëve shpreh kryesisht modestinë dhe natyralitetin sipas pedagogut Xhexhi.
“Simbolika e përdorur imponon thjeshtësi, harmoni, respekt dhe natyralitet. Arredimi i zyrës japoneze përfaqëson filozofinë e estetikës Ëabi-Sabi – bukuria në thjeshtësi dhe papërsosmëri. Karriget e ulëta, mobiliet pa ornamente, ritmi, ndriçimi natyral dhe mungesa e elementeve të rëndë shfaqin një përqasje jo imponuese ndaj pushtetit. Ndryshe nga modelet perëndimore që theksojnë prestigjin dhe solemnitetin, kjo qasje japoneze shfaq modestinë dhe natyralitetin si vlera thelbesore të drejtimit shtetëror”
Dhoma e pritjes së Presidentit Erdogan ( Salla Mabeyn)
Dhe duke ardhur në Turqi, stili arredues i pallatit presidencial dhe dhomës së pritjeve të delegacioneve, reflektojnë madhështi dhe ngjyra të thella. Sipas Klodjan Xhexhit, ndikimi bizantin vërehet kudo në arredimin dhe ngjyrën e përzgjedhur.
“Stili i perdorur eshte ai neoklasik ottoman me ndikime islamike. Verehen elemente të huazuar nga kultura Bizantine. Ngjyrat e perdorura si e kuqe e thellë, ari, ngjyrë bronzi, perde të rënda, imponojne madheshti dhe respekt. Përdorimi i mobilieve të rënda, qilima orientalë, dekor metalik është shumë i pranishëm. Verehet gjithashtu përdorimi i ndriçuesave të varur neoklasik si dhe i ndriçuesave tokësorë në kristal. Gjithashtu simbolika e përdorur është ajo e lavdisë perandorake, fuqizimit kombëtar, dhe e trashëgimnise osmane”
Ai thotë se stili perandorak është i ndikuar nga trashëgimia osmane që ndërthuret ndërthuret me neoklasicizmin.

“Stili i përdorur në ambientet e Presidentit Erdogan reflekton një kthim të qëllimshëm drejt trashëgimisë osmane. Kjo përqasje jo vetëm që rikujton lavdinë e kaluar të Perandorisë Osmane, por edhe demonstron një vetëdije të thellë kulturore dhe politike mbi rolin e Turqisë si fuqi rajonale. Ky stil qëndron mes lindjes dhe perëndimit, duke përthithur elemente neoklasike evropiane (forma simetrike, shtylla, korniza) me thekse islamike të rafinuara (arabeska, dritare apo dekore me harqe, detaje kornizash floriri etj.). Raporti lartesi ambjenti – shkalle humane minimizon këtë të fundit duke dirigjuar madhështi dhe forcë. Gjithashtu qasja me një skrivani qëndrore maksimizon rolin e drejtuesit në raport me të ftuarit duke e pozicionuar atë në pozitë dhe qëndrim të veçantë. Këtë fakt nuk e veme re tek rastet e tjera te marra ne konsideratë” thotë ai.
Dhoma Ceremoniale në Malajzi (Balairung Seri)
Malajzia është një tjetër shtet që demostron madhështi në pritjen e liderve botërorë ku sipas Xhexhit, mbizotëron ngjyra e gjelbër por edhe elementët tradicional dhe ekzotik të lidhura me spiritualizmin.
“Stili në dhomën ceremoniale në Malajzi është tipik Ekzotik aziatik i ndërthurur me motive islame. Ngjyrat që mbizotërojnë janë e artë, e gjelbër, si dhe nuancat të tokës. Vërehen pëlhura të punuara, dru të errët, zbukurime artizanale, perde të rënda etj. Lartesia e nivelit është gjithashtu imponuese. Ngarkesa arkitektonike në nivel detaji në muret perimetrale është me e thjeshtëzuar në raport me dhomen e pritjes së Presidentit Erdogan. Vihet re përdorimi i ndriçuesave tokesore si dhe i aplikave murale. Simbolika e kësaj dhome dirigjon pushtet ceremonial, spiritualitet, si dhe nderim tradicional.
Por ai thekson se në arredimin e përgjithshëm vihet re ndikimi i islamit por dhe fakti i të qënit koloni britanike.

“Arredimi ceremonial në Malajzi përfaqëson një përzierje të ndikuar nga kultura malajziane, islame dhe koloniale britanike. Përdorimi i elementeve të harlisura dekorative nuk është vetëm estetik, por mbart simbolika të thella shpirtërore dhe historike. Arkitektura e lartë dhe hapësira e bollshme shpreh solemnitetin dhe përmasat e një pushteti që përfaqëson më shumë se thjesht një qeveri, por një trashëgimi shoqërore dhe fetare. Mënyra se si është e organizuar pritja përsëri vendos në qendër të vemendjes liderin, por jo aq imponuese sa në rastin e Turqisë”
Dhoma ceremoniale e Kryeministrit Britanik ( White Drawing Room)
Dhe duke ardhur sërish në Europë dhe konkretisht në Britani, dhoma e pritjes së lidervë, reflekton një arredim të thjeshtë dhe modern, duke ruajtur gjithsesi stilin viktorian.
“Stili arkitektonik i dhomes ceremonial të Kryeministrit Britanik i përket atij Viktorian i shoqëruar me elementë modern. Ngjyrat e përdorura janë ato të ngrohta dhe të errëta (gri, kafe, bezhe jeshile e errët). Tapete orientale, mobilie klasike, perde të gjata dhe të rënda janë të pranishme gjithashtu. Traditë, prestigj institucional, elitizëm i rafinuar janë disa nga simbolikat që mbivendosen. Lartësia me humane e nivelit redukton konceptin e madheshtisë por eleganca dhe stili i rafinuar mbeten prezent. Përdorimi i ndriçuesave të varuar neoklasik në kristal si dhe mbi kredenca është evident.

Simetria në funksion dhe përpunim të fasadave të brendëshme është gjithashtu prezente. Vihen re korniza me ngarkese arkitektonike të lartë mbi dyer si dhe perimetralisht tavanit. Dyert kryesore prefererohen të larta dhe të dekoruara”
Dritaret e mëdha janë dhe simbol transparence që lidhen me simbolikën e fuqishme të prestigjit .
“Ky stil është një përfaqësim tipik i qasjes britanike ndaj autoritetit: i qëndrueshëm, i kujdesshëm dhe historikisht i bazuar. Mjediset ceremoniale britanike janë konservatore në natyrë, ku çdo objekt ka vlerë të trashëguar ose historike. Dritaret e mëdha dhe ndriçimi natyral mund të lexohen si një simbol i transparencës në qeverisje. Ndërsa Dhoma Ovale është simbol i prestigjit të ri, britanikët shfaqin një simbolikë të një fuqie të konsoliduar dhe të trashëguar” thotë Pedagogu Xhexhi.
Zabeel Palace, Dubai
Ndërkohë Dubai, ashtu siç në të gjithë botën njihet, reflekton klas dhe pasuri, me kollona neoklasike, perde të mëdha dhe ar i implementuar kudo.
“Luks islamik bashkëkohor është stili akitektonik përkatës i dhomës ceremoniale në Dubai. Ngjyrat mbizoteruese janë ato të çelëta si e bardhë, ari, bezhë, pasqyrime kristal, ngjyrat pastel, bojeqielli etj. Verehet një kombinim i ngjyrave të ftohta por edhe atyre të ngrohta. Kjo si pasojë dhe të karakteristikave klimaterike të zonës. Materialet e përdorur janë mermer, xham, ar dekorativ, ndriçim LED etj. Perdet janë të renda dhe në pastel. Vihen re kolona neoklasike me kapitele floreale të veshura me fletë ari. Ndërsa trupi dhe bazamenti i kolonës është i trajtuar me mermer të bardhë. Harqet eliptike të tavanit kanë karakter oriental dhe të pasura me dekore. Ndriçuesi i varur qëndror në flori dhe kristal është simbol i përqendrimit të qendrës së influences në mes të sallës, ku seicili prej anëtarëve të saj ka një maredhenie me të në menyrë të barabartë dhe të drejtpërdrejtë. Simbolika që përcillet është pasuri, modernitet, si dhe identitet arab. Organizimi i poltronaveve vendos në qendër të vemendjes liderat ndërsa të tjerët kanë rol dytësor apo tercor.

Luksi dhe pushteti ekonomik, dominon sallën e madhe të pritjes, me mjedise të tejndriçuara dhe një vizion estetik ultra-modern edhe si një demonstrim i fuqisë së parasë.
“Dubai përfaqëson një miks të fuqishëm midis teknologjisë bashkëkohore dhe trashëgimisë kulturore islamike. Arkitektura e brendshme ceremoniale nuk është thjesht e pasur por ajo është edhe nje manifestim i një identiteti të vetëdijshëm për pushtetin ekonomik dhe ndikimin kulturor në rajon. Elementet simetrikë, mjediset të tejndriçuara dhe përqendrimi në formën perfekte flasin për një vizion estetik ultra-modern me rrënjë të thella tradicionale. Ndërsa Turqia e përdor estetikën osmane për nostalgji dhe pozicionim politik, Dubai e përdor luksin si mjet imponimi dhe modernizimi” analizon Xhexhi
Salla e hartave e Kryeministrit Edi Rama, Shqipëri
Në vendin tonë, salla e hartave në Kryeministri sipas pedagogut Xhexhi, përfaqëson një koncept postmodern me ngjyra të ndezura , të ndikuara edhe nga Partia Socialiste, dhe me lartësi mbi humanen.
“Salla e hartave e Kryeministrit Edi Rama ka një stil Postmodern – eklektik, konceptual. Vihet re përdorimi i ngjyrave të ndryshme me baza të ndryshme që kanë për qëllim kontrastin me njera-tjetrën (ngjyra të ndezura, lejla, mustarde, violete, kafe, e bardhë). Printime murale, mobilie të thjeshta, formë lineare te veshjeve murale me dru, tapet i stampuar, simetri në shperndarjen e funksioneve si dhe të aksesese, ndriçim mural me aplika, lartësi e konsiderueshme jashtë shkallës humane, janë disa nga karakteristikat arkitektonike të kësaj salle. Simbolikat që mbizoteron janë Individualitet, kreativitet, si dhe shkëputje nga formaliteti. Salla e hartave, e dizenjuar personalisht nga Kryeministri Edi Rama, shfaq një qasje diametralisht të ndryshme nga format ceremoniale klasike. Është një hapësirë e ngarkuar me simbolikë artistike dhe një interpretim të lirë të pushtetit si përfaqësim i mendimit dhe kulturës. Në të reflektohen gjthashtu edhe simbolikat e ngjyrës të Partisë Socialiste”

Në këtë pikë sipas Klodian Xhexhit, Shqipëria ka një sallë pritjeje atipike dhe të ndryshme nga lindja dhe perëndimi. Salla e hartave sipas tij përfaqëson një hapësirë komunikimi e cila ndërmjetëson politikën dhe artin.
“Ndryshe nga solemniteti i kancelarive tradicionale, kjo dhomë sugjeron komunikim të hapur, dialog kulturor dhe një identitet që sfidon format e zakonshme institucionale. Shqipëria, në këtë rast ka një qasje totalisht të ndryshme, nga perëndimi dhe lindja në lidhje me shembujt e marrë në konsideratë. Ajo ndërton një narrativë të vetën që reflekton një përpjekje për identitet kulturor dhe politik përmes artit. Ky analizë tregon se, ndërsa kultura perëndimore tenton të përdorë simetri, ngjyra të qeta dhe natyrale për të theksuar stabilitetin dhe autoritetin, kulturat lindore shpesh përqendrohen në harmoni me natyrën ose shfaqje të fuqishme të trashëgimisë përmes zbukurimeve dhe simboleve fetare.
Ndërsa Shqipëria në mënyrë interesante ka adoptuar një qasje moderne, post-moderne dhe personale që shpreh më shumë karakterin individual të saj sesa strukturën apo fuqinë e mirëfilltë të shtetit. Mbështetur kjo e fundit gjithsesi tek trashegimia kulturore dhe arkitektonike e vendit tonë” përfundon analizën e tij Pedagogu Klodjan Xhexhi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.