Politike

“Shuplaka” e Bushatit: Nuk duhet të fajësojmë BE-në për atë që s’kemi bërë!

Ish Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka dërguar një mesazh të rëndësishëm për aktorët politikë në Shqipëri, duke deklaruar se për negociatat nuk duhet të fajësohet vetëm Bashkimi Europian.

Duke folur nga Beogradi, ku mori pjesë në një forum për forcimin e marrëdhënieve mes Ballkanit Perëndimor me BE-së, ish-ministri tha se vendet në rajon nuk duhet të fajësojnë BE-në për atë që nuk arritën të bënin.

“Ne duhet të jemi vetë-kritikë. Nuk mund të vazhdojmë të fajësojmë vazhdimisht BE-në” deklaroi Bushati sipas portalit të njohur “European Western Balkans”. “Pyetja është se si t’i bëjmë vendet tona më europiane. As Rusia dhe as Kina nuk po na ndihmojnë në këtë aspekt” tha ai.

Ish-kreu i diplomacisë shqiptare kujtoi gjithashtu krizën politike dhe institucionale me të cilën përballet Shqipëria, të cilën e konsideroi si një pengesë serioze për rrugën europiane të vendit. Por sipas Bushatit BE-ja nuk po ndihmon në kapërcimin e saj. Ai kujtoi se vitin e kaluar ish-Komisioneri i Zgjerimit të BE-së Johannes Han nuk e kishte vizituar Tiranën, duke u thënë aktorëve politikë shqiptarë se ai nuk kishte mekanizma për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës. “Duam apo nuk duam, Bashkimi Europian e ka humbur besueshmërinë në rajon”, tha Bushati.

Ish-ministri i Jashtëm deklaroi se vendet e rajonit kanë nevojë për zhvillim ekonomik dhe shoqëror, si dhe adresimin e problemeve demografike.

Profesori nga Universiteti i Zagrebit Dejan Jović, Gazeta Si, 2019



Ndërkohë, profesori nga Universiteti i Zagrebit Dejan Jović, i cili ishte po ashtu pjesëmarrës në këtë forum deklatori se të rinjtë nga Ballkani Perëndimor besojnë se vendet e tyre nuk do të bëhen kurrë pjesë e Bashkimit Europian.

Duke folur në konferencës “Ta sjellim Ballkanin pranë BE-së” e organizuar nga Instituti “Affari Internazionali”, delegacioni i BE-së në Serbi dhe portali “European Western Balkans”, profesori i njohur tha se sot edhe Axhenda e Selanikut e 2003 sot është e diskutueshme.

“Opinioni publik në Ballkanin Perëndimor është shumë i ndarë. Qytetarët janë më pro-europianë në Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kosovë, ndërsa nga ana tjetër, ka një skepticizëm në rritje në Serbi ”, tha Jović, duke shtuar se ka gjithnjë e më shumë qytetarë që pyesin nëse rajoni do të bëhet ndonjëherë pjesë të BE-së.

Ai përmendi skepticizmin në shoqërinë kroate kur vendi i tij u bë pjesë e Bashkimit Europian në vitin 2013, duke deklaruar se vetëm 29 për qind e popullsisë së përgjithshme kroate votuan për anëtarësim në BE.

“Rajoni do të shikojë edhe alternativa, të tilla si SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, por edhe Rusia, Kina dhe Turqia. SHBA tani është një alternativë e besueshme, siç ishte kur BE dështoi të merrej me rajonin në vitet 1990” vuri në dukje Jović.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë