Kombetarja

Shumë mungesa titullarësh për 90 minutat e fundit kualifikuese, hapësirë për stolin

Ndeshjen me Andorrën pakkush e merr në konsideratë, është një formalitet që duhet bërë dhe 3 pikë që duhen marrë, për t’i mbyllur këto kualifikuese të Botërorit në vend të tretë, me 18 pikë. Por edhe kjo ndeshje kërkon seriozitet për të shmangur ndonjë surprizë të pakëndshme.

Lojtarë që kryesisht kanë qëndruar në stol kanë shansin e mirë për të treguar vlerat më të mira. Trajneri Edi Reja ka tri mungesa të sigurta për këtë ndeshje të fundit, Cikalleshin dhe Gjasulën të skualifikuar, si dhe Brojën që ka qëndruar në Angli dhe nuk ka udhëtuar me skuadrën për në Tiranë.

Bajrami ne aksion gjate ndeshjes me Angline. Gazeta Si, 13 nentor 2021

Sulmuesi i Southemptonit është lënë pushim për të kaluar 100% dëmtimin, por kuptohet që edhe qëndrimi në tribunë ndaj Anglisë mund të ketë krijuar një lloj qejfmbetjeje.

Me shumë mundësi, ndaj Andorrës do të mungojnë edhe Kumbulla me Baren, të cilët lanë fushën të dëmtuar që në fillim të ndeshjes. Mungesat do të shkonin kështu në 5, gati gjysma e ekipit, çka do të thotë se formacioni do të ketë shumë ndryshime më 15 nëntor.

Hapësirë pritet të marrin lojtarë si Mihaj në mbrojtje, apo edhe Hoxhallari ose Doka. Laçi dhe Ramadani priten titullarë në mesfushë, ashtu si dhe Bajrami. Në sulm, në mungesë të Cikalleshit dhe Brojës, nga minuta e parë pritet të luajnë Bekim Balaj dhe Myrto Uzuni.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë