Gazeta Si – Partizani ka fituar ndoshta më lehtë se mund të mendohej në “Niko Dovana”. Rezultati 1-4 në favor të të kuqve flet qartë për dominimin e skuadrës së drejtuar nga italiani Kolela, që për momentin shkëputet 4 pikë nga Tirana.
Engjëll Hoti hapi serinë e golave në Durrës. Gruda barazoi për Teutën, por vetëm kaq. Ndeshja u mbyll praktikisht që në pjesën e parë, kur Viktor Da Silva dhe Hoti shënuan dy gola të tjerë për Partizanin. Kryeqytetasit shkuan shumë të qetë në dhomat e zhveshjes. Në pjesën e dytë ishte Xhuljano Skuka që shënoi edhe golin e 4-t për të kuqtë.
Në ndeshjen e Durrësit pati dy episode të veçanta. Në një moment u fikën dritat e stadiumit, për t’u kthyer disa minuta më pas. Kurse episodi i dytë ndodhi në shkallët e stadiumit, ku një tifoz i Partizanit pati probleme shëndetësore dhe stafi mjekësor i këtij ekipi vrapoi duke kaluar kangjellat për t’i dhënë ndihmën e parë.

Vllaznia është ngjitur në vend të tretë, pasi mundi sot 2-1 Bylisin në “Loro Boriçi”. Ishte një fitore shumë e rëndësishme për shkodranët, të cilët shënuan dy herë me anë të mesfushorëve Herald Marku dhe Fjoart Jonuzi.
Situata u komplikua shumë në fundin e ndeshjes, ku Bylisi shkurtoi diferencën në 2-1 me Kaçorrin. Megjithatë, skuadra e Josës arriti të kthehet më në fund të fitorja dhe të afrohet me kreun e renditjes, që mbahet nga Partizani me 19 pikë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.