Treg

Shuma e kredive private të garantuara nga qeveria u rrit me 12% në tremujorin e dytë

Skemat e përdorura nga qeveria shqiptare për garantimin e kredive të sektorit privat kanë vijuar rritjen gjatë tremujorit të dytë të vitit.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë (MFE), në fund të muajit qershor shuma e garantuar për të dyja skemat arriti në afërsisht 10.5 miliardë lekë. Vlera e shfrytëzuar e garancive u rrit me rreth 12% krahasuar me fundin e tremujorit të parë dhe me rreth 15% që nga fillimi i vitit.

Në mesin e këtij viti, shuma totale e garantuar nga skema e parë ishte rreth 3 miliardë lekë, në rënie të ndjeshme me 20% krahasuar me tremujorin e parë dhe me 33% krahasuar me fundin e vitit të kaluar.

Skema e dytë e garancisë sovrane u miratua në muajin maj 2020 dhe kishte për qëllim mbështetjen e rimëkëmbjes së aktivitetit të biznesit. Megjithëse shuma e përdorur është rritur në tremujorët e fundit, ajo ngelet afërsisht sa gjysma e limitit prej 15 miliardë lekësh të akorduar nga qeveria shqiptare. Në fund të qershorit, shuma e garantuar nëpërmjet skemës së dytë arriti në 7.5 miliardë lekë, në rritje me 33% krahasuar me tremujorin e parë dhe me 63% që nga fillimi i vitit.

Kjo skemë fillimisht kishte afat fundin e vitit 2020, por në muajin janar qeveria shqiptare vendosi ta shtyjë deri në 30 qershor 2021. Mbështetur në këtë skemë, qeveria merr përsipër të garantojë 60% të kredisë, ndërsa pjesën tjetër të rrezikut duhet ta marrë përsipër vetë banka kredituese. Për një fond garancie prej 7.5 miliardë lekësh, portofoli maksimal i kredisë së gjeneruar mund të llogaritet në afërsisht 12.5 miliardë lekë.

Në mesin e këtij viti, shuma totale e detyrimeve të garantuara nga qeveria shqiptare kishte vlerën e 14.6 miliardë lekëve. Garancitë në favor të kompanive private përbënin 72% të kësaj shume, ndërsa pjesa e mbetur janë garanci për mbulimin e huave të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë