Gazeta Si - Situata e zjarreve në Finiq dhe Delvinë është vendosur nën kontroll. Ministria e Mbrojtjes njofton se pas punës që ka zgjatur përgjatë gjithë natës nga 75 efektivë të FA dhe helikopterit Cougar, zjarret janë shuar.
Situata është nën monitorim për çdo mundësi riaktivizimi. Ndërhyrja e shpejtë e forcave, në temperatura të larta dhe terren të vështirë, një ditë më parë shmangu dëmet e pasurisë kulturore, monumenteve, bazilikave apo objekteve të ndryshme në Parkun Arkeologjik të Finiqit. Forcat e Armatosura, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile vijojnë të jenë në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo rast që nevojitet në ndihmë të komunitetit.
"Pas një pune të pandërprerë edhe gjatë natës nga forcat operacionale nga bashkitë Finiq, Delvinë, Himarë, Sarandë, Konispol e Dropull, mbështetur nga 75 efektivë të Forcave të Armatosura dhe helikopteri Cougar është bërë e mundur shuarja e zjarreve në Finiq dhe Delvinë. Situata po vazhdon të monitorohet për të shmangur çdo mundësi riaktivizimi", - njoftoi Ministria e Mbrojtjes.
Gjithashtu mbrëmjen e së enjtes, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit bëri me dije se parku arkeologjik i Finiqit dhe asnjë monument nuk ishte prekur nga zjarri.
Në një komunikim për publikun ministri Vengu tha dje se që prej mesditës ka pasur një situatë problematike në rrafshin e kodrave që ndan dy bashkitë, por bashkërendimi i forcave të shumta bëri të mundur shuarjen e një pjese të madhe të vatrave.
Sipas ministrit, “u bë e mundur ruajtja dhe mbrojtja e të gjithë pasurisë kulturore në park, pjesa e bazilikës, thesarit të vjetër sikundër edhe amfiteatrit”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.