Ngjarje

Situatë kritike nga zjarret në Delvinë dhe Nartë të Gramshit, urdhër evakuimi për banorët: Ikni urgjent!

Gazeta Si – Pas situatës së vështirë me zjarret në në Delvinë dhe Nartë të Gramshit, Ministria e Mbrojtjes ka nxjerrë një tjetër thirrje për evakuim për banorët e këtyre zonave që të evakuohen urgjentisht.

“THIRRJE URGJENTE PËR EVAKUIM! Për shkak të përhapjes së shpejtë të zjarreve në Nartë, Skënderbegas (Gramsh) dhe Delvinë, u bëjmë thirrje banorëve të ndjekin udhëzimet e ekipeve të emergjencës dhe të evakuohen menjëherë drejt zonave të sigurta”, – thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 64 vatra zjarri, nga të cilat 24 vatra zjarri janë ende aktive. Por dy bashkitë më të prekura janë Gramshi dhe Delvina.

Konkretisht në Kullollas dhe njësinë Skënderbegas të Gramshit, zjarri ka marrë përmasa të mëdha, duke përfshirë disa fshatra dhe shkaktuar një viktimë.

Janë raportuar dëme në banesa. Sipas shërbimeve emergjente, situata mbetet e rëndë dhe po ndërhyhet nga ajri. Në Mukaj e Sojnik, zjarri vijon në sipërfaqe me shkurre dhe ferra, me forcat vendore dhe FA në terren.

Ndërkohë në Delvinë, zjarri i depërtuar nga Syri i Kaltër ka përfshirë fshatrat Pecë, Sirakat dhe Kardhikaq, duke arritur deri pranë kurorës së bashkisë. Flakët u shtrinë nga Vllahati drejt Kakodhiqit, duke shkaktuar djegien e 5 shtëpive, prej të cilave 4 të pabanuara.

Në operacione janë angazhuar 36 efektivë zjarrfikës me 5 mjete, 120 trupa të FA, forca të FNSH, Delta, Shqiponjat, policia vendore dhe bashkiake, si dhe 7 autobote uji. Zjarri është zhvendosur mbi fshatin Vllahat, ku po ndërhyhet nga ajri me helikopterë çek dhe sllovak.

Në Finiq, vazhdon aktive vatra që ka prekur zonën nga Syri i Kaltër deri në pllajën e malit të Gjerë dhe Sopotit. Në Bistricë, vatra po mbahet nën monitorim. Në Parkun e Rëzomës, mbi tunelin e Skërficës, zjarri vijon, por terreni i vështirë nuk lejon ndërhyrje.

Ndihmë mjekësore

Gjatë natës, për shkak të tymit dhe kushteve të krijuara nga flakët, rreth 10 qytetarë, përfshirë 4 ushtarë, kanë marrë ndihmë mjekësore për asfiksi në mjediset e Kinotetatrit të Delvinës, ku përkohësisht u vendos spitali i emergjencës.

Aktualisht mësohet se një pjesë e madhe e forcave zjarrfikëse dhe atyre të armatosura janë zhvendosur në Delvinë për të tentuar shuarjen e flakëve, ndërsa sipas ministrit të Mbrojtjes Pirro Vengu, nuk ka më rrezik për banesat.

Zjarri në Delvinë rrezikoi banesat e banorëve të fshatrave Pecë, Kranë, Krongj, Kardhikaq dhe Sirakat. Për shuarjen e flakëve janë angazhuar 2 avionë grekë PLZ, 1 helikopter çek dhe një sllovak.

Situata vazhdon të jetë alarmante edhe në Gramsh, ku raportohet për rreth 40 shtëpi të djegura dhe bagëti të ngordhura.

Tre helikopterë vijojnë punën për shuarjen e flakëve

Mëngjesin e kësaj të mërkure, më 13 gusht, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu ka deklaruar në një postim në rrjetet sociale se aktualisht po punojnë në terren tre helikopterë në Gramsh dhe dy në Delvinë, dy prej zonave ku situata paraqitet më pritike për momentin.

Ai ka falënderuar të gjithë operativët të cilët po punojnë duke rrezikuar jetët e tyre në zonat më kritike.

“Operacioni i gjerë kundër zjarreve ka vijuar pandalim gjatë gjithë orëve të natës për të kufizuar perimetrin e flakëve në afërsi të zonave të banuara dhe parqet kombëtare në mbarë Shqipërinë. Tre helikopterë po operojnë në Gramsh dhe dy të tjerë në Delvinë, ndërsa qindra efektivë të emergjencave lokale dhe të Forcave të Armatosura po punojnë pa u ndalur në zonat më të nxehta: Fushë Arrëz, Gramsh, Tepelenë, Dropull, Delvinë dhe Finiq. Vendosmëri, profesionalizëm dhe përkushtim për të mbrojtur jetën, pronën dhe mjedisin. Mirënjohje për çdo forcë të angazhuar në këtë sfidë.”, shkruna ministri, i cili mbrëmjen e kaluar në orët e vona deri gati në të gdhirë ka zhvilluar një mbledhje në Delvinë me strukturat vendore”, – tha Vengu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë