Është ndarë nga jeta sot në moshën 77-vjeçare një nga emrat më të shquar të futbollit shkodran dhe atij kombëtar, Ramazan Rragami. Një lajm i trishtë ky për gjithë komunitetin e futbollit. Rragami vuante nga një sëmundje e rëndë, së cilës nuk mundi t’i mbijetojë.
I lindur në Shokër, më 3 prill 1944, Ramazan Rragami e ka gjithë jetën të lidhur me futbollin. Falë talentit të tij, arriti të fitonte vendin te skuadra e Vllaznisë pa mbushur 17 vjeç. Nga viti 1961 e deri në 1965-ën mbajti fanellën e skuadrës së qytetit të tij, pastaj luajti për Partizanin për 3 vjet e më pas u kthye te Vllaznia.

Legjenda shkodrane numëron 19 ndeshje me Kombëtaren e Shqipërisë, që në atë kohe luante pak ndeshje ndërkombëtare. Përveç Vllaznisë dhe Partizanit, ka luajtur edhe për Dinamon dhe në total ka gati 90 ndeshje ndërkombëtare.
Suksesin si futbollist Rragami më pas e vazhdoi edhe si trajner, duke udhëhequr Vllazninë drejt fitimit të disa trofeve, por një arritje e madhe ishte edhe ajo në krye të ekipit Shpresa të Shqipërisë në vitin 1983, kur ajo doli mes 8 më të mirave të Europës.
Ramazan Rragami mbetet një nga figurat më popullore të futbollit shkodran. Vlerësimet për të kanë qenë maksimale, ndërsa pak vjet më parë presidenti Ilir Meta e nderoi me titullin “Mjeshtër i Madh”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.