Futboll

Shuhet Osman Mema, ish-futbollisti i shquar i Tiranës, Partizanit dhe Kombëtares

Gazeta Si – Një emër i madh i futbollist shqiptar, Osman Mema, është shuar sot në moshën 84-vjeçare. Bëhet fjalë për një nga pjesëtarët më të njohur të dinastisë Mema, që i ka dhënë aq shumë futbollit shqiptar.

Osman Mema është rritur te Tirana, ku ka spikatur, por ka luajtur edhe me ekipin tjetër të kryeqytetit, Partizanin. Në karrierën e tij, që i përket periudhës 1958-1971, ka fituar 7 herë titullin kampion.

Me dy ekipet e kryeqytetit Osman Mema ka luajtur ndeshje ndërkombëtare. Ka veshur edhe fanellën e Kombëtares. Ish-mbrojtësi ka lënë pas një trashëgimi të madhe për futbollin. Është vlerësuar me titullin “Mjeshtër i madh”, ndërsa ata që e kanë parë në fushë, e kutojnë me shumë nostalgji.

Më së shumti kanë mbetur në memorie paraqitjet e Osman Memës me Kombëtaren ndaj Gjermanisë Perëndimore, apo ndeshjet ndaj klubeve të mëdha, si Ajaks, Standard, Beshiktash dhe Rapid.

Menjëherë pas lajmit të trishtë ka pasur shumë ngushëllime, mes të cilëve edhe ai i presidentit të FSHF-së, Armand Duka, i cili në faqen e tij shkruan: ‘Futbolli shqiptar e në veçanti ai tiranas humbi sot një tjetër figurë legjendare. Është ndarë nga jeta Osman Mema, një nga figurat më të spikatura të dinastisë Mema, që i ka dhënë shumë futbollit e që ka fituar më shumë tituj.

I nderuar me titullin “Legjenda e Futbollit Shqiptar” nga Federata Shqiptare e Futbollit pesë vite më parë, me titullin “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe shtatë herë Kampion i Shqipërisë me fanellat e Tiranës dhe Partizanit, Mema zë një vend të rëndësishëm në hollin e famës së futbollit shqiptar, duke qenë një personalitet i padiskutueshëm në fushë dhe jashtë saj.

Një qytetar model dhe me vlera të mëdha. Dua t’i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Mema për këtë humbje të madhe. Kujtimi i tij në historinë e futbollit shqiptar do të mbetet i paharruar. U prehtë në paqe!’


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë