Gazeta Si – Tirana dhe futbolli shqiptar kanë humbur një nga figurat më të njohura. Është ndarë nga jeta në moshën 85-vjeçare Nuri Bylyku, ish-futbollist i njohur i Tiranës dhe Kombëtares dhe ish-drejtues i klubit kryeqytetas.
Bylyku ka mbajur shiritin e kapitenit të Tiranës për disa vite, më pas ka qenë trajner i saj dhe po ashtu edhe shef klubi. Në familjen bardheblu njihet si një nga personazhet emblematikë të saj.

Nuri Bylyku ka lindur më 10 prill 1937, në Tiranë. Gjithë jetën e ka të lidhur me klubin e Tiranës, ku ka dalë kampion fillimisht me të rinjtë e këtij klubi. Bylyku po ashtu ka dalë kampion edhe me Partizanin.
Trofetë e fituar me Tiranën janë të shumtë, që nga titujt kampionë te Kupat e Shqipërisë e të tjerë trofe turnesh. Për disa vite pas futbollit të luajtur ka qenë trajner i Tiranës. Homazhet për nder të Nuri Bylykut do të bëhen sort, në ambientet e stadiumit ‘Selman Stermasi’.
Pas lajmit të trishtë, presidenti i FSHF-së, Armandi Duka, ka shprehur ngushëllimet me një status në faqen e tij në Facebook, ku shkruan: ‘I trishtuar për ndarjen nga jeta të një figure të madhe të futbollit shqiptar, siç ishte Nuri Bylyku! Mesfushori i shquar mbahet mend nga të gjithë futbolldashësit si një lojtar energjik e luftarak, që drejtoi Tiranën në fushë si kapiten drejt fitimit të disa titujve kampion në vitet 1960-1970.
Pas karrierës në futbollin e luajtur Bylyku nuk u shkëput për asnjë çast nga sporti magjik, duke dhënë kontributin e tij si trajner apo në rolet drejtuese në klubin kryeqytetas për vite me radhë. Familja sot është në zi, pasi ka humbur një personalitet me shumë vlera, një ikonë, që shkroi historinë me klubin bardheblu dhe i dha gjithçka futbollit gjatë gjithë jetës së tij.
Në emër edhe të komunitetit të futbollit, dua t’i shpreh ngushëllimet më të thella familjes Bylyku, të afërmve dhe miqve të tij. Kujtimi i tij do të mbetet i paharrueshëm! Lamtumirë Nuri Bylyku!”
Klubi i Tiranës ka bërë një postim në faqen zyrtare, ku publikon disa foto të Nuri Bylykut gjatë festës së titullit të fundit kampion dhe shkruan: “Yje që nuk shuhen kurrë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




