Futboll

Shuhet miti Uve Seler, më popullor se Myler e Bekenbauer në Gjermani

Gazeta Si – Shuhet një nga sulmuesit europianë më të fortë të të gjitha kohërave, Uve Seler. Ishte kapiteni i gjermanëve në Botërorin e 1966-ës, ku ata humbën në finale ndaj Anglisë. Protagonist absolut i historisë së Hamburgut.

Është ndarë nga jeta në moshën 85-vjeçare Uve Seler, një nga mitet e futbollit gjerman. I lindur në Hamburg në 1936-ën ai ia dedikoi skuadrës së qytetit gjithë karrierën.

Uve Seler. Gazeta Si, 21 korrik 2022

Seler ishte sulmuesi i Hamburgut nga 1953-shi në 1972-shin. Ka shënuar 445 gola në 519 ndeshje mes Oberligës dhe Bundesligës, duke fituar një titull në 1960-ën. Atë vit u rendit i treti në klasifikimin e Topit të Artë, pas Suarez dhe Pushkash.

Ka fituar edhe një Kupë të Gjermanisë në vitin 1963. Po ashtu, Seler ka qenë edhe president i Hamburgut në periudhën 1995-1998.

Fanella e kombëtares gjermane, ajo e Gjermanisë Perëndimore, ishte një tjetër dashuri e madhe e tij. Ka luajtur 72 ndeshje me të, ka shënuar 43 gola. Luajti në Botërorin e 1966-ës si kapiten i Gjermanisë, që humbi në finale me Anglinë.

Finalja e ‘Wembley’-t kujtohet edhe sot për atë episod shumë të diskutuar që vendosi ndeshjen. Gjermanët u ndëshkuan nga një gol-fantazmë i Hurst. Me Hamburgun Seler ka humbur dhe një finale të Kupës së Kupave ndaj Milanit në 1968-ën.

Seler, kapiten i Gjermanisë para finales së 1966-ës. Gazeta Si, 21 korrik 2022

Humbje që gjithsesi nuk e kanë prekur popullaritetin e këtij lojtari në Gjermani. Seler ishte shumë i dashur për tifozët, ndoshta më shumë se mitet e tjerë, si Fritz Valter, Bekenbauer, apo Myler.

E thërrisnin “Uns Uve” (Uve ynë) për bujarinë e tij dhe modestinë, më të forta se çdo rivalitet. Për këtë arsye duartrokitej në çdo stadium të Gjermanisë. Lajmi për ndarjen e tij nga jeta u dha nga Hamburgu, pastaj u konfirmua nga familja e kampionit gjerman.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë