Ngjarje

Shuhet ikona e kinematografisë Margarita Xhepa- Iku një model

Nga Gazeta “SI”– Aktorja e madhe e skenës shqiptare , Margarita Xhepa, është ndarë nga jeta mëngjesin e ditës së sotme në moshën 91-vjeçare duke lënë pas dhimbje në zemrat e një publiku që e deshi dhe duartrokiti për shtatë  dekada me rradhë. Vetëm një ditë më parë ajo  do të mbushtte 91 vjeç. 

Xhepa lindi më 2 prill të vitit 1934, në qytetin e Lushnjës, prej ku nisi edhe hapat e parë drejt një rrugëtimi të gjatë në kinematografi dhe teatër.  Gjatë karrierës së saj, aktorja Margarita Xhepa ka luajtur në mbi 150 role.

Vdekja e saj  ka lënë në trishtim bashkëpunëtorët e saj, me të cilët punoi por dhe ndau pjesën më të madhe të jetës në skenë dhe jashtë saj.

Në një prononcim për Gazetasi.al, aktorja Luiza Xhuvani thotë se Margarita Xhepa ishte dhe do të mbetet gjithmonë një model për të gjitha artistet.

“Kam patur fatin të jem pranë saj edhe profesionalisht! Për mua ishtë simbol i mirësisë njerëzore e cila përjetoi në skenë dashurinë në të gjitha dimensionet si nënë, grua, mikeshë. Do të jetë model për të gjitha artistet. Jam me fat që bashkëjetova me të”  u shpreh  Xhuvani.

Margarita Xhepa, Luiza Xhuvani

Vasjan Lami, një tjetër bashkëpunëtor i Xhepës në skenë shprehet për GazetaSi.al se  ajo do ti mungojë shumë skenës shqiptare.

“Ajo u largua fizikisht, por do të jetë përjetësisht e gjallë me krijimtarinë e saj të mrekullueshme. Për ne që kemi patur fatin të luajmë e jetojmë me të, do të na mungojë fjala e saj e ëmbël dhe paqja që ajo transmetonte pa fund”

Xhepa u aktivizua fillimisht në Estradën e Shtetit dhe më pas në Teatrin Popullor. Spikati në plejadën e kohës përmes interpretimit të rolit të “Ofelisë” të tragjedisë shekspiriane “Hamleti”, vënë në skenë në vitin 1960 prej regjisorit rus Bortko.

Përveç suksesit me veprat e shumta të dramaturgëve shqiptarë, Margarita Xhepa ka korrur sukses edhe në rolet e dramaturgjisë botërore si vajza e dytë tek “Mbreti Ilir”, dadoja tek “Romeo e Zhuljeta”, mbretëresha Margaret tek “Rikardi III”, etj.

Në vitin 1997, interpretoi në filmin grek “Mirupafshim” (regjisor J. Koras, K. Vupuras). Filmi u laureua me Çmimin e Madh në “Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Mesdhetar” në Selanik, ndërsa Margarita Xhepa fitoi “Çmimin e Nderit”

Në vitin 2007 iu dha “Çmimi i Karrierës” për rolin e Nadjezhnës në monodramën “Kënga e mjellmës” së Çehovit.  

Krahas teatrit, Xhepa është shfaqur në ekranin e filmit me një galeri të larmishme prej 32 rolesh. Disa prej personazheve që interpretoi mjeshtërisht janë Zyraka te “Vitet e para” (1965), Shano te “Dimri i fundit” (1976), pianistja te “Koncert në vitin 1936” (1978) dhe Lena te “Tokë e përgjakur” (1976).

E nderuar me medaljen “Nderi i Kombit” e gjithashtu mbajtëse e titullit “Artiste e popullit” Margarita Xhepa ishte një nga zonjat më të mëdha të teatrit dhe filmit shqiptar, e cila frymëzoi breza të tërë aktorësh dhe kineastësh.  

Homazhet do të mbahen nesër më datë 4 prill në orën 10:00-13:00 në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë