Ngjarje

Shuhet familja shqiptare me 4 anëtarë në Itali, u helmuan nga monoksidi i karbonit

Gazeta Si – Një tragjedi ka ndodhur në Itali, ku një familje shqiptare prej 4 anëtarësh kanë humbur jetën si pasojë e helmimit nga monoksidi i karbonit në banesën e tyre në një fshat në Piana di Lucca.

Viktimat janë, kryefamiljari Arti Kola, 48 vjeç, bashkëshortja e tij, Jonida 42 vjeçe dhe 2 fëmijët e tyre, Hajdar, 23 vjeç dhe Xhesika, 15 vjeçe.

Dyshohet se shkaku i ngjarjes ka qenë një defekt në kaldajën e shtëpisë, që ka çliruar gazin vdekjeprurës brenda banesës. 

Një i afërm i familjes, vëllai i kryefamiljarit, ka shkuar në banesë pasi nuk merrte përgjigje në telefon. 

Ai ka njoftuar autoritetet, të cilat pasi kanë hyrë në shtëpi kanë gjetur katër trupat pa jetë. Vëllai i Artit, sipas mediave italiane, ka rrezikuar jetën në tentativë për t’i transportuar trupat jashtë banesës. Ai ndodhet në gjendje kritike në spital, pasi u intoksikua nga monoksidi i karbonit. 

Gjatë ndërhyrjes janë helmuar lehtë edhe dy efektivë të policisë që hynë në banesë për të dhënë ndihmën e parë, por ata janë jashtë rrezikut për jetën.

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur në orët e mbrëmjes së të mërkurës, pasi në banesë u gjet tavolina e shtruar, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar me saktësi shkakun e tragjedisë. 

Në vendngjarje mbërriti edhe kryetari i bashkisë së zonës, i cili shprehu tronditjen për humbjen e katër jetëve, duke e cilësuar ngjarjen si një dramë për gjithë komunitetin.

Prokuroria ka urdhëruar sekuestrimin e shtëpisë. Bashkë me zjarrfikësit, karabinierët do të kontrollojnë nëse kaldaja ishte instaluar dhe mirëmbajtur sipas rregullave ligjore.

Shtëpia ishte blerë nga Arti Kola rreth tre vjet më parë dhe pjesërisht e restauruar nga vetë ai dhe disa miq, por vetëm kohët e fundit kishin nisur të jetonin aty.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë