Futboll

Shuhet ëndrra europiane e Vllaznisë, islandezet e Valur e mundin në Shkodër

Gazeta Si – Vllaznia në futboll për femra është mundur sot 1-2 nga islandezet e Valur në finalen e raundit të parë. Ëndrra europiane është mbyllur shpejt këtë herë për kampionet e Shqipërisë, që një vit më parë shkonin deri në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.

Kampionët e Islandës shënuan nga një gol në çdo pjesë në stadiumin “Loro Boriçi”, ndërsa goli i Megi Doçit në kohën shtesë shërbeu vetëm për statistika. As ndihma e tifozëve në shkallët e stadiumit të Shkodrës nuk i ndihmoi vajzat kuqeblu.

Vllaznia nuk bëri një ndeshje të mirë në fakt, duke hasur shumë vështirësi ndaj islandezeve, të cilët ishin më lart dhe e merituan kualifikimin. Pavarësisht merkatos së bërë nga drejtuesit e skuadrës pak kohë më parë, aventura europiane është mbyllur këtu.

Kujtojmë që Vllaznia eliminoi Hajvalinë e Kosovës në gjysmëfinale tri ditë më parë, kurse Valur kishte eliminuar kampionet e Turqisë në gjysmëfinalen tjetër të grupit. Nëse fitonte sot, skuadra shkodrane do të shkonte në ‘Play-off’.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë