Futboll

Shuhet ëndrra europiane e Ballkanit, mundet thellë nga Dinamo Zagreb

Gazeta Si – Nuk ka mrekulli në Zagreb. Ballkani, ekipi kampion i Kosovës, është mundur thellë 3-0 nga Dinamo vendëse në ndeshjen e fundit në grupet e Ligës së Konferencës.

Me këtë humbje, skuadra e trajnerit Ilir Daja i ka dhënë fund aventurës europiane, duke e mbyllur në vend të fundit, me 4 pikë, po aq sa Astana, fazën e grupeve. Ballkanit i duhej të fitonte në Zagreb për të kaluar më tej, por nuk ia arriti qëllimit.

Kampionët e Kosovës ishin në lojë deri 20 minuta para fundit të ndeshjes. Por, pasi pësuan golin e parë ata u çoroditën dhe pësuan edhe dy herë të tjera në pak minuta, çka bëri që të kthehen me një humbje të thellë nga kjo transfertë.

Gjithsesi, për Ballkanin është një arritje kualifikimi dy herë radhazi në grupet e Ligës së Konferencës. Për më tepër që gjatë kësaj kohe ka arritur të shesë disa lojtarë, si Ermal Krasniqi, Albion Rrahmani dhe Meriton Korenica.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë