Gazeta Si – Ka ndërruar jetë në moshën 65-vjeçare Bujar Gogunja, një nga emrat më të shquar të futbollit elbasanas, kampion i Shqipërisë në vitin 1984.
Një lajm i trishtë ky për komunitetin futbolldashës në qytetin e Elbasanit, por edhe për atë shqiptar. Bujar Gogunja ka qenë i njohur nga të gjithë edhe si portieri që mban rekordin e minuta pa pësuar gol në futbollin shqiptar, me 1037 minuta.

Gogunja vuante nga një sëmundje e rëndë dhe sot e humbi betejën me të. Pas lajmit, ndër të parët që reaguan ishte presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili shkruan:
‘Pak minuta më parë mora lajmin e trishtë se miku im i mirë Bujar Gogunja, portieri i madh i Elbasanit të viteve ‘80-të, njeriu i mençur e fjalëpak, u nda nga jeta pas një beteje me një sëmundje të rëndë. Ish-portieri i Labinotit kampion të sezonit 1983-1984 ishte pjesë e atij brezi të artë të futbollit elbasanas, që sollën emocione të mëdha në gjithë futbollin shqiptar.
Bujari ishte një ikonë e portës dhe do të kujtohet gjithmonë për rekordin e tij prej 1037 minutash pa pësuar gol. Ai mbeti një frymëzim për brezat e rinj dhe kontribuoi për qytetin e tij edhe si trajner portierësh te Elbasani kampion i sezonit 2005-2006.
Në këtë moment të vështirë për familjen dhe miqtë e tij të shumtë, gjej rastin t’i shpreh ngushëllimet e mija më të ndjera për humbjen e njeriut të tyre më të dashur. Kujtimet që na ka lënë, do të jenë gjithmonë të paharruara. Prehu në paqe Bujar, do na mungosh të gjithëve”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




