U shua në moshën 86-vjeçare ikona e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha.
Këngëtarja e shumë hiteve për dekada të tëra nuk e fitoi dot betejën me një sëmundje të rëndë.
Kanë qenë familjarët e së ndjerës ata që kanë dhënë lajmin e trishtë. Vajza e saj, Cuce Pagarusha ka publikuar një fotografi zie në profilin e saj në rrjetet sociale, ndërsa mesazhet ngushëlluese kanë qenë të shumta.
E cilësuar si bilbili i Kosovës, artistja e madhe Nexhmije Pagarusha mbetet emri më i çmuar në mbarë kulturën shqiptare, e cila me zërin e saj këndoi këngë, të cilat nga njohës të artit dhe kritikë janë vlerësuar si kryevepra artistike.
Vlera e veprës së saj mbetet e njëjtë pavarësisht kalimit të kohës dhe muzika që ajo ka bërë mbetet një nga krenaritë më të mëdha ndër shqiptarë.
Ndër këngët e saj më të njohura mbeten: “Baresha”, “Ani mori nuse”, “E dehun jam”, “Zambaku i Prizrenit”, “Kur më shkon si zog n’hava”, “Kur më del në derë”, “Një lule”, “Dallëndyshe”.
Kush ishte Nexhmije Pagarusha
Pagarusha ka një veprimtari të gjatë dhe të larmishme muzikore sa vështirë të thuhet se cilit zhanër i përket. Është e njohur për interpretimet e saj të shkëlqyera në muzikën popullore dhe opera.
Nexhmije Pagarusha ishte edhe aktore e suksesshme, si në film ashtu edhe në teatër.
Në Beograd vijoi shkollën e muzikës për solo kanto, të cilën ajo e la në vitin e tretë dhe nuk e vazhdoi më. Po ashtu në Beograd kishte paraqitjen e parë muzikore në skenë. Në vitin 1948 është pranuar soliste në Radio Prishtinë.
Bashkëpunoi edhe me këngëtarët nga Shqipëria dhe u paraqit edhe në Shqipëri me ansamblin “Shota” me rastin e një turneu.
”Baresha” është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj. Kjo këngë u kompozua nga bashkëshorti i saj Rexhep Mulliqi, me tekstin e poetit Rifat Kukaj.
Nexhmije Pagarusha interpretoi në një koncert të muzikës klasike veprat e përkthyera shqip të Bethovenit, Puçinit, Verdit, etj. Ky koncert ka qenë i pari i këtij lloji. Fatkeqësisht, asnjërit nga organizatorët nuk i ishte kujtuar që të regjistronte këtë koncert! Për fat të keq, nuk janë evidentuar as të gjitha koncertet dhe repertori i këngëve të kënduara nga ajo, ngaqë, siç ka thënë ajo një herë, për të vetëm muzika ishte me rëndësi; ajo dhe muzika ishin një. Mendohet se ajo ka interpretuar mbi 150 këngë.
Ajo ishte pjesëmarrëse e koncerteve në Kosovë, Shqipëri, Bullgari, Izrael, etj. Karrierën muzikore e përfundoi në vitin 1984, pas një koncerti në Sarajevë.
Pas 16 vjetësh larg skenës, ajo u paraqit në vitin 2000 me këngën “Për ty”: në një emision të udhëhequr nga Ardit Gjebrea, i cili e bindi të rikthehej.
Ishte në jurinë e festivalit “Kënga Magjike 2005”. Më 2018 Pagarusha u vlerësua me “Medaljen e Mirënjohjes” nga presidenti amerikan, Donald Trump.
‘Bilbili’ do mbetet pjesë e historisë së artit shqiptar me veprat e saj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.