Nga Gazeta ‘Si’- Pas anulimit të koncerteve dhe mos-kompensimit të biletave për qytetarët, kompania RedCloud ka nisur ‘një avaz’ të ri: shtyrjen e shfaqjeve të programuara.
Frustrimi i qytetarëve të cilët u ankuan më herët për mos marrjen mbrapsht të parave të tyre, tani i lë vend konfuzitetit.
Në datën 5 Maj ( vetëm një ditë para shfaqjes), në faqen zyrtare në Facebook të kompanisë RedCloud.al u njoftua për shtyrjen e shfaqjes “Romeo & Juliet On Ice” e projektuar për t’u shfaqur në datën 6 Maj në Pallatin e Kongreseve.
Vetë njoftimi është kontradiktor, sepse pas fjalisë për shtyrje të shfaqjes si shkak i rrethanave ‘të paparashikuara’, thuhet se produksioni po bën përpjekje për të mos e anuluar dhe më pas shton se do të ketë edhe një vendndodhje të re.
Kjo i përngjan një amullie e cila ngatërron qytetarët të cilët ende nuk e dinë se kur do të mbahet shfaqja për të cilën kanë paguar por edhe planifikuar kohën e tyre.
Fran Rica, avokat dhe ish-drejtues në sektorin e krimit ekonomik, thotë për Gazetasi.al se shtyrjet e shpeshta të koncerteve dhe paqartësia ndaj qytetarëve krijon në mënyrë hipotetike pretendimin për mashtrim.
“Mashtrimi në vetvete ka elementë vjedhjen, qoftë dhe nëse shet dy bileta dhe nuk e shfaq koncertin, është rast i vjedhjes. Nëse ndodh që shiten biletat dhe koncertet apo shfaqjet shtyhen në mënyrë të përsëritur pa caktuar datën e shfaqjes së shtyrë, atëherë në mënyrë hipotetike mund të pretendojmë për abuzim. Aq më tepër pastaj nëse kjo shtyrje është e qëllimshme siç mund të hamendësojmë në këtë rast”, vëren ai.

Ai shton për Gazetasi.al se duhet hetuar fakti nëse shtyrjet janë të qëllimshme dhe gjithashtu, duhen parë dhe detyrimet kontraktuale të RedCloud me artistët e ftuar.
“Mbetet të provohet gjithmonë nëse shtyrjet kanë një qëllim. Sepse edhe nëse koncerti shtyhet qoftë dhe vetëm një javë për qëllim përdorimin e parave atëherë sigurisht që ka mashtrim.
Por kjo duhet parë dhe nga ana e detyrimeve kontraktore mes kompanisë RedCloud dhe artistëve që vijnë për shfaqje. Si është kontrata mes tyre dhe çfarë ndodh në rast shtyrjeje ose mos plotësim të detyrimeve kontraktore? Nëse ka ankesa reale ose padi nga njerëz të cilëve nuk u janë kompensuar çmimet e biletave, atëherë mund të niset dhe një hetim për të kuptuar shkaqet se pse ndodh” përfundon Rica.
Ankesat e para pak ditëve të qytetarëve në redaksinë e Gazetasi.al për mos kompensim të parave të biletave, u konfirmuan edhe nga burime nga Agjencia për mbrojtjen e konsumatorit të cilët pohuan se ankesat ndaj këtij subjekti kanë qenë të shumta.
Edhe pse nga shfaqja e fundit e anuluar (8-9 shkurt) Redcloud tha për Gazetasi.al se biletat kompensoheshin brenda 90 ditësh nga dita e blerjes, rezultoi që kishin kaluar më shume se 100 ditë dhe kompensimi nuk është kryer.
Në fund, fatura nuk rëndon mbi kompaninë, por mbi qytetarin që paguan dhe mbetet pa shërbim, e gjithashtu ende pa drejtësi, por me pyetjen dhe dyshimin legjitim, se ku kanë përfunduar paratë e tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.