Treg

Shtyrja e rinisjes së transportit publik, shoqatat kërkojnë edhe një rrogë shtesë

Transporti ka humbur 100 mln euro në tre muaj: Protokolli i sigurisë anti covid-19 kontradiktor dhe i pazbatueshëm

Vendimi i Institutit të Shëndetit Publik, për të lënë mbyllur Transportin Publik, si aktiviteti i fundit që pret të rinisë shërbimin, prek në mënyrë të drejtpërdrejtë të punësuarit në këtë sektor dhe familjet e tyre. Për këtë kreu i shoqatës kombëtare të Transportit Urban, Rixhin Qoshja thotë se në kërkesat drejtuar qeverisë, shtohet edhe  një pikë tjetër; akordimi i një page shtesë për të gjithë punonjësit e sektorit.

Sipas Unionit të Shoqatave të Trnasportit Publik, nga llogaritë paraprake që janë bërë, sektori ka humbur gjatë tre muajve bllokim nën pandemi, 100 mln euro.

Por sipas tyre, shqetësimet vazhdojnë.

Në Fletoren Zyrtare është publikuar protokolli i sigurisë për transportin publik, që sipas shoqatave pikat e protokollit janë në kontradiktë me njëra-tjetrën dhe rrjedhimisht janë ta pazbatueshme.

Protokolli i sigurisë për transportin publik

Shoqatat e Tranportit Publik përmes një letre i janë drejtuar ministrive të linjës dhe kryeministrit Edi Rama që të rishikojnë edhe një herë protokollin për tu bërë I zbatueshëm dhe të vendosin masat mbështetëse për rinisjen e “këtij sektori jetik që po pengon realisht jetesën normale të njerëzve”.

Kundërshtitë e protokollit sipas shoqatave

Për Transportin qytetës/urban i udhëtarëve me autobus është parashikuar se “Në transportin qytetës të udhëtarëve me autobus të lejohet udhëtimi me kapacitet të reduktuar, vetëm duke respektuar distancën prej 1m midis udhëtarëve.”

Për shoqatat, subjekti operues nuk ka asnjë mundësi konkrete për garantimin e zbatimit të këtij rregulli të vendosur sepse sipas tyre; edhe nëse do të mundësohej teknikisht respektimi kësaj distance, atëherë kapacitetet transportuese do të reduktoheshin në masën 75 % për autobusët qytetës, duke sjellë një dëm të konsiderueshëm dhe të papërballueshëm ekonomik për bisnezin transportues. Po ashtu sipas tyre, nisur nga nevojat dhe kërkesat insistuese të qytetarit për shfrytëzimin e këtij transporti dhe, duke konsideruar nivelin qytetar të tyre, “vlerësojmë se drejtuesit e autobusëve dhe faturinot do të jenë tërësisht të pafuqishëm për t’ju imponuar udhëtarëve që të zbatojnë këtë rregull (ruajtjen e distancës 1m dhe ndalimin e udhëtarëve për hipjen në autobus mbi kapacitetin e lejuar sipas këtij rregulli protokollar).”

Kurse në lidhje me rregullin e vendosur , për detyrimin e qytetarit për mbajtjen e maskës dhe dorezave gjatë udhëtimit, përfaqësuesit e transportit publik thonë se personeli shofer/faturino e ka të pamundur të garantojë zbatimin e këtij rregulli kundrejt qytetarëve të pabindur që insistojnë të vazhdojnë udhëtimin pa maskë dhe doreza.

“Kujtojmë se aktualisht këto masa në transportin e ofruar për personelin mjeksor garantohen me prezencën e policisë bashkiake. Në këto kushte subjekti transportues në asnjë mënyrë nuk mund të ngarkohet me përgjegjësi nga organet kompetente, për mos zbatimin e këtij rregulli.”- citohet në letrën drejtuar qeverisë.

Për pikën ku parashikohet detyrimi i subjekteve për dezifektimin e autobusëve dhe mjediseve, që sipas tyre shtojnë ndjeshëm shpenzimet/kostot e shërbimit, ndërkohë që të ardhurat e realizuara nga ky shërbim njohin vetëm rënje edhe si rezultat i kapaciteteve të reduktuara lëvizëse, është problem. 

Në protokollin e sigurisë anti covid-19 për transprotin publik është parashikuar që autobusët urbanë gjatë udhëtimit duhet të bëjnë të mundur ajrimin e brendshëm duke mbajtur dritaret hapur. Në lidhje me këtë kërkesë, shoqatat sqarojnë se, flota e autobusëve të transportit qytetës, në zbatim të kontratës me bashkitë, teknikisht është e pajisur me mjete të cilat kanë dritare të mbyllura në mënyrë hermetike sepse ato përdorin në mëyrë të detyrueshme sistemin e kondicionimit. 

Po ashtu protokolli parashikon se përgjegjësia e drejtëprdrejtë për zbatimin e rregullave i takon subjekteve operuese të transpotit qytetës, ndërkohë, shprehen në letër shoqatat, stafet e autobusëve dhe drejtuesit teknik të këtyre shërbimeve nuk kanë asnjë mundësi ligjore dhe faktike për tu përballur me çdo udhëtar që shkel ose nuk zbaton këto rregulla.

Për transpotin ndërqytetës, rrethqytetës është parashikuar se numri i udhëtarëve që do të lejohen të udhëtojnë do të jetë në masën e reduktuar deri në 70 % të numrit të përcaktuar në lejen e qarkullimit, ndërkohë që kërkohet ruajta e një distance ndërmjet udhëtarëve, nëprmjet skemës së shfrytëzimit të ndenjësve në mënyrë diagonal. Kjo, shpjegojnë përfaqësuesit e transporti public, do të thotë se zbatimi i kësaj skeme do ta reduktonte kapacitetin në 50 % të udhëtarëve dhe jo 70 % siç përcaktohet në protokoll. Në këto kushte, thonë ata, duhet që pika që parashikon kapacitetin, të ndryshohet dhe të unifikohet me pikën tjetër të distancimit,.

Gjithashtu, është parashikuar si rast përjashtimor i distancimit, udhëtimi i pjestarëve të një familjeje. “Por zbatimi i këtij rregulli nuk mund të garantohet nga stafi i automjetit sepse një gjë e tillë mund të realizohet vetëm nëpërmjet çertifikatës familjare, për të cilën qytetari nuk ka asnjë detyrim që ta ketë me vete”, thonë shoqatat në letër.

Kurse për kryerjen e dizifektimit të automjeteve dhe mjediseve, shprehen se ky lloj rregulli rëndon kostot e shërbimit dhe bëhet efektivisht i pamundur.

“Argumetet e përdorura vlejnë edhe për dispozitat rregullatore të miratuara për transportet e tjera rrugor të udhëtarëve (transporti rastit-turistik). Përveç këtyre, protokolli ngarkon subjektet transportuese me përgjegjësinë e drejtëpërdrtë për zbatimin ose kontrollin e zbatimit të masave dhe kufizimeve të vendosura në këtë protokoll. Gjithashtu, në rregullore janë ngarkuar organet shtetërore kompetente për kontrollin e zbatimit të këtyre rregullave. Në lidhje me shtimin e përgjegjësive të ngarkuara operatorët e transportit rrugor publik njëzëri shprehin kundërshtinë e tyre, duke konsideruar faktet se, së pari, ato muk kanë asnjë mjet ligjor shtrëngues për të kundërvepruar ndaj shkelësve të këtyre rregullave dhe, së dyti, zbatimi ushtrimi i përgjegjësive rëndon së tëpërmi kostot, për të cilat duhet të ishin parashikuar paraprakisht masa kompensimi nga shteti. Pra në çdo rast, operatorët transportues, nuk mund të jenë objekt i masave ndëshkimore nga organet kompetente, për shkeljet e kontatuara që kryhen drejtpërdrejtë nga persona të tretë ose që për shkelje që rrjedhin nga pamundëstë financiare të operatorëve apo teknike të automjeteve”, citohet në letrën e shoqatave të transportit publik drejtuar qeverisë.   

Eneo Sulejmanaj, kryetar i Shoqatës së Transportit Ndërqytetas dhe Rrethqytetas të Udhëtarëve, bën me dije për Gazetën “Si” se të hënën unioni do të ketë një mbledhje për të diskutuar vijimësinë e sektorit dhe sjelljen e tyre në vazhdim të mosreagimit të qeverisë.

“Nuk kemi asnjë reagim zyrtar. Nesër kemi mbledhje, nuk do të protestojmë. Në ditët në vijim, në varësi të reagimit të qeverisë do të vendosim. Nëse nuk plotësohen kërkesat tona, nëse nuk nuk korrigjohet protokolli i sigurisë, ne nuk do të nisim nga puna, por do të përshkallëzojmë protestat”- shprehet Sulejmanaj.

Si pasojë e shtimit të rasteve të infektimit me Covid-19, Komiteti Shëndetësor vendosi që të shtyhej edhe me një javë rifillimi i aktivitetit të transprotit publik.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e
patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e
autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht
kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës
“Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179
të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë