Politike

Shtyrja e afatit të ID-ve për diasporën/ Hoxha: T’u japim mundësinë të votojnë më 11 maj! Berisha: Shtyni me 10 ditë regjistrimin

Nga Gazeta ‘Si’- Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha paraqiti sot në seancën plenare të Kuvendit aktet normative të Këshillit të Ministrave që synojnë shtyrjen e vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit të shtetasve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit deri në fund të muajit maj.

Hoxha tha se qëllimi është që diaspora të votojë dhe të ushtrojë të drejtën e votës për zgjedhjet e majit 2025.

“Nuk mund të lejojmë që vështirësitë e rinovimit të dokumenteve të bëhen pengesë për pjesëmarrjen në zgjedhje. Diaspora ka dhënë dhe jep një kontribut të jashtëzakonshëm për vendin. Detyra jonë është të bëjmë çfarë është e nevojshme për të garantuar përfshirjen e tyre për çdo vendimmarrje që lidhet me vendin tonë”, tha Hoxha.

Hoxha shtoi se miratimi mundëson një pjesëmarrës shumë të gjerë të votuesve nga jashtë vendit që të regjistrohen në Platformën Elektronike të Regjistrimit.

Ai tha se numri i shqiptarëve të cilët përfitojnë nga miratimi i akteve është 520 mijë.

“Identitek po vijon turin e aplikimeve në skuadrat e lëvizshme në qytetet e mëdha jashtë vendit ku jetojnë shumë shqiptarë. Numri i shtetasve shqiptarë me të drejtë vote të cilëve u ka kaluar afati i vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimi ose mund t’u skadojë gjatë kësaj periudhe është 520 mijë shtetas”, tha Hoxha.

“Këshilli i Ministrave propozon që afati i vlefshmërisë së mjeteve të identifikimit të kartave të identitetit dhe pasaportave që përfundon me datë 11 maj të zgjatet deri më datën 31 maj 2025 për shtetasit me banim jashtë vendit”, tha Hoxha.

Ndërkohë Sali Berisha kërkoi shtyrjen e afatit të regjistrimit për Diasporën edhe për 10 ditë të tjera dhe jo deri në 4 mars që është afati. Madje tha se ky afat duhet shtyrë edhe për zgjedhësit brenda vendit dhe të ndiqej i njëjti standard.

“Aktet që paraqiten këtu janë gjysmake dhe hipokrite. Nëse bëhet fjalë që 800 mijë shqiptarëve (Balla e kontestoi më pas) i kanë të skaduara dokumentet dhe mundësojmë aktin që u lë vetëm 5 ditë afat, ky është akt qesharak që damkos këtë mazhorancë me një damkë tjetër të zezë dhe të merituar.

Të paktën të shtyjmë edhe 10 ditë, ta bëjmë 15 ditë mundësinë e tyre edhe për ata që janë brenda. Ju po bëni këtu një akt që diskriminon shqiptarët. Nëse e zgjasni afatin për ata jashtë, duhet ta bëni edhe për shqiptarët brenda”, tha Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë