Futboll

Shtypi italian masakron Asllanin, lojtari me dy fytyra

Nga Gazeta Si- Inter humbi Superkupën duke u përmbysur nga Milan dhe shtypi italian gjen menjëherë përgjegjësitë e humbjes tek loja e mesfushorit shqiptar, Kristjan Asllani. Futbollisti kuqezi zëvendësoi të dëmtuarin Calhanoglu por nuk bindi për asnjë moment duke qënë më i dobëti në fushë. Nuk mbrojti dot Leao-n në rastin e golit të 3-të dhe humbi topin që u shoqërua me goditjen e dënimit nga e cila erdhi goli i Theo Hernandez. Megjithëse për këtë të fundit trajneri Inzaghi pretendon një faull ndaj Asllanit dhe goli duhej anuluar.

Dueli Asllani-Morata që për trajnerin Inzaghi ishte faull

Për shtypin italian, Inter humbet shumë me Asllanin në mungesë të Calhanoglu, sidomos në Evropë dhe ndeshjet finale. Në Superkupë preku rreth 50 topa, realizoi 40 pasime dhe nisi disa aksione por pa qenë në gjendje të krijojë rrezikshmëri për kundërshtarin. Pak topa vertikalë dhe shumë larg asaj që bën Calhanoglu për të nisur në krah lojtarë si Dimarco dhe Bastoni. Megjithëse këtë vit bëri disa paraqitje të mira, për gazetarët përtej Adriatikut ai është shumë konservator dhe pak kurajoz. 

Asllani, Mitaj dhe Ramadani me Kombëtaren

Asisti për golin e de Vrij ndaj Veronës apo goli i parë sezonal në Kupën e Italisë ndaj Udinezes, mbeten pak. Aq pak sa 491 minutat në 15 ndeshje deri tani që mjaftojnë për ta krahasuar me Harvey Dent (personazhin komik tek Dy Fytyrat të Bob Kane). Kjo pasi nëse te Inter mbetet gjithnjë alternativë e Calhanoglu ndërsa në Kombëtaren kuqezi ka luajtur 29 ndeshje dhe ka shënuar 3 gola, duke qënë një udhërrëfyes i kuqezinjve, ashtu si Inzaghi do të donte ta kishte edhe te Inter.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë