Gazeta Si- Në seancën e radhës për çështjen “Gërdeci”, avokatët e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu kërkojnë të kryhet një akt ekspertimi i ri financiar, pasi, sipas tyre, në kryerjen e aktit të parë nuk kanë qenë të pavarur ekspertët, por shtojcë e grupit të hetimit.
Ekspertet kërkuan kohë të njihen me dosjen dhe për këtë seanca është shtyrë, e cila u vendos të mbahet më 26 qershor.
Prokurori Klodian Braho u shpreh: “Nuk shohim ndonjë argument shtesë që të që të këtë një akt ekspertimi të ri”. Në seancë janë paraqitur 5 ekspertët që kanë bërë aktin e mëparshëm.
Referuar seancës së kaluar, avokati i Mediut, Henrik Ligori tha se një nga ekspertët deklaroi se kishin kryer akt-ekspertimin ekonomiko financiar, jo si ekspert, por si nëpunës publik i atashuar pranë Prokurorisë së Përgjithshme.
“Besoj se barazia e armëve në proces është e drejtë e padiskutueshme. Gjithë kjo situatë e zhvilluar dhe seancën e kaluar edhe sot tregon një lloj tendence për të shkuar në absurditet. Ashtu si pohuan, ekspertë nuk janë betuar si ekspertë. Thjeshtë janë atashuar pranë PP. Ky proces është krejt formal, pa asnjë lloj substance për të shkuar tek e vërteta. Nëse doni të kuptojmë në ka pasur dëm ekonomik apo jo, duhet të pranohet kërkesa për kryerjen e një akti të ri”, mësohet të ketë thënë Mediu.
Ekspertët e paraqitur në gjykatë kanë kërkuar kohë të rifreskojnë edhe një herë të gjitha konkluzionet e kryera në aktin e parë. Po ashtu, dy prej tyre nuk e administronin fare aktin e ekspertimit.
Për çështjen “Gërdeci”, ku i pandehur është marrë ish-ministri Fatmir Mediu, GJKKO ka pranuar që të thërrasë në total 71 dëshmitarët e SPAK mes tyre dhe djali i ish kryeministrit, Shkëlzen Berisha si dhe një numër të madh të dëshmitarëve të palës mbrojtjëse.
Me nismë të Zamira Durdës dhe familjarëve të tjerë që humbën të afërmit e tyre në shpërthimin e Gërdecit, SPAK rihapi hetimet për çështjen dhe akuzon Fatmir Mediun për “Shpërdorim detyre” kryer në bashkëpunim, “Shpërdorim detyre” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues për shpërthimin në “fabrikën” e demontimit të armëve ku u vranë 26 persona dhe u plagosën qindra të tjerë në 2008.
Pak javë më parë, Gjykata e Strasburgut, pranoi padinë e familjarëve të viktimave të Gërdecit për ngjarjen tragjike të ndodhur para 15 vitesh dhe që është marrë në dorë nga SPAK.
Sipas vendimit, që ishte në favor të familjeve të prekura, theksohet se gjatë procesit ka pasur shkelje procedurale dhe Gjykata kërkoi dëmshpërblim prej 12 mijë eurosh për Zamira dhe Feruzan Durdajn, familjen e një prej 26 viktimave të tragjedisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




